Forumi Evolucion

Dje dhe Sot

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Dje dhe Sot

Mesazh nga Vizioner prej Mon Oct 25, 2010 7:00 pm

Apoteza për vizat?

-nga Myslim Pasha-

1.

VIZAT e shqiptarëve po i afrohen horizontit të muajit nëntor, si një "çudi" dhe "mrekulli" e vërtetë.

VIZAT... në një përfytyrim tragjik të shqiptarëve, në kohën e lëvizjeve të mëdha. Presim të marrim vizat, të marrim ikjen daljen dhe arratinë në dritën e kërkimit të Botës. Është një tregues i madh që lexohet vetëm në fund ( por lexohet sikur të mbash kandilin e mekur në dorë...) në fund të një pritje të gjatë ( kur ti nuk ke gjunjë të ecësh më tej... ), në fund të një ligjërimi ( kur ti ke mbaruar fjalët, togfjalëshat, parafjalët, pasfjalët ) në fund të një ëndrre ( kur të ka ikur dëshira për të parë një ëndërr të bukur...)

Dhe çuditërisht prej kësaj që ndodh, të duket se ky në të vërtetë është fillimi.
.... kur të tjerët kanë shkuar kaq larg, dhe ti ke ngelur tek bishti urës, apo tej Urës së Qabesë. Mbeçë more shokë mbeçë!

2.

Na kujtohet... Në piramidën e përbashkët kufitare hartografit të ri i kalonin emocione e dridhma. Më tej ishte Greqia... mateshin gurët, shkurret, udhëzat e mbyllura dhe të pashkelura, në anën e këtejme të shenjës kufitare.

Dukej, se më të vërtetë bëhej histori, afruar deri në atë vijë, ku mbyllej përjetë gjeohapësira jote...s' kish asnjë udhë, asnjë lidhje dhe asnjë VIZË. Veçse një vizë e ndërprerë e zezë, një simbol i ndarjes, që edhe kur e vizatoje kishe një ndjesi gati të mistershme.

Ishte një mëngjes me një ngjarje të pazakontë. Një gjuetar grek kish ardhur në këtë anë të kufirit, sepse kërkonte zagarin e tij. Kish ndalur në një majë shkëmbi dhe kufitarët e kishin pikasur. Ish dhënë alarmi. Aty ish zonë pa klon... se kloni i rrymës elektrike ngjethëse, ishte pak më tej.

Në dhomën tjetër të oficerit të rojes komandanti me një zë të çjerrë ish lidhur drejtpërdrejt me Tiranën. Ulërima e tij: " Në kuadratin.... " ai thoshte koordinata. Pastaj me po atë zë të çjerrë klithte "... Gjarpri" " Gjarpri, po ta përsëris! " i thoshte atij në fundin e telefonit në Tiranë... Simboli "gjarpër" ishte shkelësi grek që kishte kapërcyer në këtë anë... pra përfytyrimi lidhej me atë, që shihej që nga posta jonë... në majë të shkëmbit tonë, shkëmbit me myshk të virgjër, pranë një formacioni sedimentar dhe një gjarpër që kish shkelur mbi të....

Këndej, mbjellë me driza, tela me gjemba, klone me rrymë elektrike, sinjale që ndërthurura mbi gurë e bimë, mbi ajrin e mëngjesit e të mbrëmjes. Izolim, sa s'kishe guxim as të hidhje sytë atje më tej ku fillonte Dheu i shtetit fqinj...Yjet mbi krye të ngjanin se nuk ishin njësoj. Edhe qielli dukej, se ishte i ndarë.

Pak më tej në rrëzë brigjesh të thepisur ishin ende gjurmë të këputje të jetëve, të shkelësve të kufirit, të shqiptarëve që donin të dilnin prej këtij izolimi të gjatë, ata që kishin ëndërruar dhe s'i morën kurrë VIZAT e jetës por të vdekjes.


-vijon-




Edituar për herë të fundit nga Vizioner në Mon Oct 25, 2010 7:10 pm, edituar 1 herë gjithsej

_________________

Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1304
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Dje dhe Sot

Mesazh nga Vizioner prej Mon Oct 25, 2010 7:05 pm

3.

Sapo të dëgjoje në kërshëri e sipër, fjalën satelit apo fluturim në hapësirë, menjëherë do të përfytyroje dyndjen e bashkësive të djajve që fluturonin mbi kryet e tu, tinëz, në errësirë a mjegullnajë, për të parë se ç'po bëje këtu, në këtë vend, ç'po gatuaje, ç'po mbillje dhe ku kërkoje thelloma tunelesh, betonim bunkerësh, të llojllojshëm që edhe pse mundoheshe, t'i fshihje, atje sipër ata djajtë lakuriqë të kozmosit, vështronin dhe të ndiqnin pa t'u ndarë.

Sa kujtoje "infra të kuqe" apo "radar" e dije se pas tyre fshiheshin ata sy qiellorë të frikshëm, që nuk të linin të qetë në atë izolim që e kishe projektuar. Kurse këtu masja midis dridhmave atë kufirin me botën tjetër armike, "imperialiste e revizioniste"

Nuk mund t'u vije emër tjetër, atyre satelitëve, veçse "spiunë" të qiellit dhe të detit, të kryemaleve dhe fundluginave, të rezervave të naftës dhe të gazit, të mineraleve dhe shtresave gjeologjike.

Ata: "spiunët" të rrinin përsipër dhe bënin shkencë, me ndjeshmëri të largët, për të okupuar " lirinë e izolimit tënd" gjersa ishin të aftë të shihnin se "ç'po lexoje në gazetë, teksa ishe ulur në një stol..."

Pozicionimi dhe ideja jonë, se ishim në qendër të universit, sfidohej nga imazhi, ku ne i përngjanim një shpelle këtu në perëndim të Adriatikut dhe Jonit. Edhe për qiejt nuk kish VIZË.

4.

...vonë shumë vonë pas viteve nëntëdhjetë, në gjurmë mallkimesh dhe plumbash në vija të përgjakura shkelësish, u ndje shpartallimi i çmendur i mbledhur tek njerëzia, që u sul pa ndalim për të ikur tej VIZAVE të zeza të kufirit.

Mësymja kryhej në dimër, kur malet dhe tufanet me borë i shtoheshin si aleatë çarjes së kufijve. Bashkësia e shqiptarëve, të të gjithë moshave, ngjante shumë më keq, se ai një vargani rraskapitës i eksodit të çamëve, të ndjekur prej trojeve të tyre.

Në cilin vend kishim lindur?

Mendja ideologjike, sakaq, duke kthyer sytë nga vendi yt, krijonte perceptimin iluziv se një "fener gigand" e ndriçonte.

Askujt nuk i shkonte në mend, se do të dilte jashtë Shqipërisë mbasi në ato hapësira kishte një epidemi e ndotësi, dhe ti duhej të mësoje vetëm anatominë e trupit të shpellës tënde. As termi "VIZË" nuk njihej e nuk përfytyrohej dhe shpesh ngatërrohej me simbolet e Vizave ndarëse të kufirit në hartat e ndryshme.

Edhe ata që e merrnin atë, diplomatë, sportistë, studentë ndjeheshin gjithnjë të ndjekur nga pas, të përgjuar, sa shpesh patën thënë " më mirë të mos kishim pasur VIZË !"
Ishte kufizimi i madh dhe i dhimbshëm i Lirisë.

Qeliza ka një jetëgjatësi të caktuar. Por vjen një kohë, që ajo shkatërrohet duke ia lënë vendin qelizave të sapokrijuara. Bëhet shpejt, por dhe ngadalë.

Tek ne dhe vetëm tek ne, ka ndodhur që të kalojmë nga njeri ekstrem tek tjetri. Duhia e parë ish trysnia e mbledhur që shpërtheu. Ish dalja nga errësira në dritë dhe dihet se si ndodh verbëria e përkohshme.



-vijon-




_________________

Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1304
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Dje dhe Sot

Mesazh nga Vizioner prej Mon Oct 25, 2010 7:08 pm

Po vijnë vizat!

Në këtë shfaqje të madhe, nuk ka mjaftuar pritja e lodhshme deri në llahtar, mbetja prapa, këputja e gjunjëve, por si një prodhim i vetvetes së mefshtë, e veç kësaj të mos mjaftonin ato që thamë atypari, kur ja një bubullimë shurdhake, një kallame gushti, një brohoritje, një krrauritje, një varje jargësh e pështymash, sharjesh, mallkimesh për shkaktarët e kësaj shfaqjeje të pafund të izolimit. Kush janë fajtorët? Qeveria e shqiptarëve të sotëm, nuk dihet nëse qesh apo qan.

Ajo hidhet përpjetë dhe bën figura groteske, jo prej gëzimit se " erdhën VIZAT!", por se për të, vjen rasti i dhuratës së madhe, në stinën e prag Krishtlindjeve, e jo më shumë, se për ata që ende nuk i kanë VIZAT.

Kësisoj, pra, të shfrytëzosh këtë tragjikomedi për qëllimet qeverisëse, për ta fyer edhe më shumë këtë popull të rraskapitur, për të shtuar jetën e saj, kur ajo (Qeveria) ka mbetur si bima e së keqes, të cilën s'e mban dot mbi shpinë, herakja e saj.

Nuk do të kish në univers, shfaqje më të shëmtuar se sa kjo, një tallje e madhe, abuzim spekulim i tejskajshëm, kur varfëria dhe polarizimi shoqëror, del në horizontin e përditshëm, ndërkaq Qeveria lot në këtë skenë, ku djalli çlirohet nga litarët e VIZAVE ( që i kish mbajtur për vete) dhe ia lëshon ato engjëllit "popull" gjasme për ta çliruar.

Kryeministri i Shqipërisë nga gëzimi dhe paranoja e tij, a e shihni, vallë, se si flet me vete? Si në një ekstazë është edhe Kryeparlamentarja...

Qoftëlarg! Hapësira Shengen deri tash e izoluar për ne, por ajo më parë hapi gjirin për Serbinë e Gjenocidit modern ndaj shqiptarëve.

Po vijnë vizat! Po i afrohemi kufijve! Ne të fundit por ama, më të lumturit.
Absurdi në pikën e fundit të VIZËS së ardhshme (që ende s'mund ta dimë nëse mund të vijë apo jo) Pse u dashka, që të mburremi kaq shumë dhe të lëndojmë kaq plagë që ia kemi bërë vetvetes?

Ata të ikurit që janë më shumë se një e treta e popullsisë së sotme, që çakërdinë pa asnjë ndihmë të shtetit dhe të politikanëve të tyre, habiten me këtë mburrje të madhe, por ata nuk kanë kohë të komentojnë, të vërtetën e dhimbshme të qeverisjes së shqiptarëve.

5.

Po vijnë VIZAT! Por na duhet që të bëjmë një Requiem për të humburit të ikurit të kallkanosurit e kufijve me borë, të fundosurit poshtë Otrantos, të zhdukurit deri gjer në Antarktidë, apo në strofullat e arinjve polarë, requiem për ata që të parët këputën telat, thyen muret e rëndë, u kacavirën në anije të mbytura, mbi barka shkretane e gomone të çara, trape dhe fuçi, requiem për ata që për të ikur tek Bota dhe Drita e saj, u shndërruan si primatë të vetvetes, sepse kishin dalë nga izolimi dhe nuk kishin pasur asnjë ndihmë asnjë lehtësim, nga politikanët e tyre...

Kurse, prapë sot, janë këta politikanë, pothuajse të njëjtat fytyra që shkrumbojnë: " Po vijnë VIZAT! " " Ua sollëm! Merrini!"

Është kaq e turpshme, kur nuk kemi asgjë të besueshme t'u themi shqiptarëve dhe kthejmë sytë nga europarlamentarja Tanja Fajon, kësaj gruaje të mirë sllovene, duke ia dhënë lavdinë asaj, po më mirë ta marrë ajo...

Po dhe asaj, si një befasi, nuk i besohet që të kthehej në personazh kaq shpëtimtar, për shqiptarët e mbetur pa VIZA, kur ata janë të fundit, sepse pjesa më e madhe e tyre, s'kanë pyetur për to.
Po vijnë VIZAT! Po ikin VIZAT!

-Ende-



_________________

Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1304
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Dje dhe Sot

Mesazh nga Sponsored content Today at 2:50 am


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi