Forumi Evolucion

Intervista te Kengetarve

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Intervista te Kengetarve

Mesazh nga Vizioner prej Tue Dec 15, 2009 5:39 pm

Mariza Ikonomi



Mariza Ikonomi: Njerëzit kanë harruar të ëndërrojnë

Rrëfimi i Marizës për këngën e Festivalit të Dhjetorit: Mos i vrisni ëndrrat, edhe nëse Si fillon një ditë e Marizës?


Më pëlqen mëngjesi, por asnjëherë nuk mundem të çohem në orën 7.00 sepse edhe puna që bëjmë zgjat deri vonë. Mëngjesi im fillon nga ora 11.00.
Pastaj, një kafe me miket e mia dhe fillojnë impenjimet në studio, ose punoj indvidualisht. Në shtëpinë time kam një piano, një kitarë.


Mundohem të dëgjoj sa më shumë muzikë dhe të krijoj sa më tepër. Kjo nuk më ndodh ditë për ditë. Ka raste që nuk kam dëshirë për të bërë asgjë. Në shumicën e herëve e stimuloj veten. Kur kam kohë, dhe jam e përqendruar, më pëlqen të lexoj.


Tani po punoj për festivalin dhe kam një angazhim më tepër. E mira e kësaj pune është që nuk ka limite tetëorarëshe, oraret i caktoj unë.


Për një artist është e rëndësishme liria me kohën?


Po. Ka raste që mund të punoj vetëm 2 orë, ose të tjera që rri zgjuar tërë natën, varet nga përkushtimi i momentit.


Njeriu nuk mund të jetë çdo ditë njëlloj. Puna jonë nuk është matematikë, nuk ka rregulla ekzakte.


Duke punuar ditë për ditë dalin ide të reja. Duhet t'i grumbullosh të gjitha, të nxjerrësh më të mirën. Kjo është puna ime.


Kur vjen muza e krijimit?


Më pëlqejnë ditët me shi, më frymëzojnë më shumë. Ditët e vrenjtura më stimulojnë akoma më tepër, por varet edhe nga gjendja shpirtërore.
Janë momentet kur jam vetëm, izolohem dhe vendos për të krijuar. Nuk dal shumë dhe përqendrohem tek ajo që dua unë të bëj.


Në ç'gjendje është krijuar kënga e festivalit?


"Vazhdoj këndoj" është një nga titujt, por mund të jetë edhe thjesht "La La La". Titulli i dytë tingëllon paksa fëminor, por mendoj se edhe të rriturit e kanë "fëmijën" brenda tyre. E kam krijuar në dhomën time, në shumë pak kohë. Janë ato momente kur njeriu i bën shumë "pse" vetes.


I kushtohet më tepër aspekteve që njerëzit i kanë harruar, mirësisë, dashurisë, përkushtimit. Njeriu e ka një qëllim përse bëhet i tillë. Mesazhi i këngës sime është që edhe pse njerëzit mund të kenë ndryshuar, ose jetët e tyre nuk janë ashtu si ata i kanë dëshiruar, të vazhdojnë të ëndërrojnë.


Të gjithë njerëzit kanë ëndrra, por duke u rritur i vrasin ato. Mua nuk më pëlqen kjo. Mundohem që ëndrrat t'i mbaj sërish gjallë. Edhe pse jeta ime nuk është një ëndërr, unë vazhdoj ëndërroj. Në këtë këngë gjejnë veten shumë njerëz, jo vetëm unë si krijuese.


Çfarë janë realizuar nga ato që ke ëndërruar?


Kam një familje të mrekullueshme që tani gjej më tepër kohë për t'iu përkushtuar.
Ëndrrat e tjera i takojnë karrierës që deri-diku është e realizuar, por unë jam tip që kërkoj shumë nga vetja dhe asnjëherë nuk jam e kënaqur. Dua akoma më tepër.


Si mbrohesh ti vetë nga shqetësimet e një jete të vrullshme?


Kam një forcë shumë të madhe që më mbron. Unë besoj shumë tek Zoti. Është forca e vetme që më jep shpresën, dashurinë, qoftë edhe për të dashur më tepër, apo për të përballuar problemet.


Vetëm diku kaq larg nesh mund të gjendet shpresa?


Sigurisht që është edhe familja, motra ime, që më qëndrojnë shumë afër. Ka momente kritike edhe në karrierë sepse nuk mund të jesh gjatë gjithë kohës në majë, ose kënga nuk del ashtu siç do.


Janë momente që vërtet mund t'i përjetosh keq dhe këto i përballoj vetëm duke besuar. Atë falënderoj për dhuntinë që më ka dhënë, për jetën që më ka dhënë dhe për gjërat që janë rreth meje.

Të kthehemi sërish tek kënga. Ke përgjegjësinë e krijimit të muzikës, të tekstit, por edhe të interpretimit. Ishte i vështirë realizimi?


Deri sa të vijë festivali jam lëmsh në kokën time. Nuk është e thjeshtë, por kur njeriu e do diçka me zemër, e realizon.


Për mua nuk është e rëndësishme nëse fitoj apo jo, por është një këngë që e kam ndjerë për momentin, e kam realizuar dhe dua t'ia përcjell publikut mesazhin e saj. Nuk është nga ato këngët që pihet kollaj, nuk është limonatë, dhe shpresoj të dali mirë.


Do të ishte shumë e thjeshtë për mua të isha vetëm në rolin e këngëtares. Përderisa krijoj, pse mos t'i jap publikut një copëz të zemrës sime, të ndjesive të mia.


Vitin e kaluar i ke munguar Festivalit të Dhjetorit...
Vitin e kaluar zgjodha Këngën Magjike. Kisha kohë që nuk merrja pjesë, që nga viti 2000. Kur merr pjesë në këtë konkurs, ndihesh mirë, e ndjen veten artiste të vërtetë, rrethohesh nga profesionistët. Arditi është një nga artistët që vërtet e vlerësoj shumë për këngët, por edhe në fushën e prezantimit.


Para dy vitesh, kam marrë pjesë në Festivalin e Dhjetorit me një kompozim të Genti Lakos, me titull "Malli i tretur". Kemi bërë disa bashkëpunime që kanë rezultuar shumë të suksesshme. Është një këngë që e dëgjoj shpesh, më pëlqen, është ndryshe nga të tjerat, kam dalë ndryshe edhe si imazh.


Përse është e rëndësishme pjesëmarrja në të?


Jam rritur me skenën e festivalit. Edhe nëse merrem me videoklipe, apo aktivitete të tjera, më mungon ajo. Kam nevojë të përjetoj ato emocione që nganjëherë të bëjnë të biesh përtokë (qesh). Që në moshën 11-vjeçare kam kënduar në festival me Françesk Radin.


Gjithmonë do t'i jep mirënjohëse profesorit që më zgjodhi për këngën e tij. Tani kam filluar të mos ta shoh këngën sepse nuk i mbaj dot lotët. Është një emocion që do më përshkojë gjithë jetën. Nuk e di kur do më ikë nga mendja imazhi i Marizës së vogël, me syze.


Çfarë planesh ka Mariza këtë fundvit?


Sapo të mbaroj festivalin, menjëherë do të nisem për në Nju Jork. Më pret një koncert bashkë me tre kolegët e mi Zef Dedën, Bashkim Alibalin dhe Alfred Trebickën. Do këndoj repertorin tim, pak këngë anglisht, pak këngë popullore qytetare. Aty do të kaloj edhe Vitin e Ri.

Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1304
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Rovena Dilo

Mesazh nga Vizioner prej Sat Dec 26, 2009 3:24 pm

Dashuria do na shpëtojë



Këngëtarja konkurron me "Përtej kohës", në Festivalin e 48-të të Këngës. Ajo tregon për poezinë që shkroi, për muzikën e Endri Sinës, si dhe për kohën që po jeton tani.


Dashuri pa ndarje, shpirtra që nuk zhgënjehen, ndjesi që jetojnë një jetë brenda njeriut, tej kufijve të kohës dhe hapësirës. Kjo është fryma e tekstit që Rovena Dilo ka shkruar për këngën "Përtej kohës" me muzikë të Endri Sinës, me të cilën u prezantua natën e parë të Festivalit të Këngës në Radio Televizion.


"Përtej kohës" ishte filli i një bisede të gjatë, në strehën e saj të paradites, kafeneja që mban emrin e saj, vendtakimi i përhershëm me miqtë, të afërmit, kolegët. Aty ku mund ta gjesh çdo ditë Rovenën.


Një strehëz e ngrohtë për të folur për kohën që ikën dhe ato që merr me vete në rrjedhën e saj, kohën që po jeton tani, si mund të mësohet njeriu të harrojë ato që i kanë vjedhur dhe në ç'motive kapet për të vazhduar.


Në tekstin e saj Rovena jep këtë përgjigje: "Ajo që ju bën mirë për të kaluar të gjitha pengesat, mërzitë, sëmundjet, vështirësitë, nuk është urrejtja, inati, xhelozia, është vetëm dashuria. Gjendjet e tjera janë dëmtuese. Njeriu i ka ato brenda vetes dhe i nxjerr herë pas here, po sa më pak t'i shfaqë, aq më mirë është, aq më pak helmuese është jeta edhe e përditshmja e tij".


Rovena, ky bar është streha e kafes së paradites?


Paraditeve të vona. Nuk vij asnjëherë herët. Të gjitha punët e mia unë këtu do t'i kryej. E para është detyrim. Është ambienti me emrin tim, është i imi, dhe e dyta, më pëlqen që t'i pres njërëzit këtu dhe atyre besoj u pëlqen. Në përgjithësi gazetarët, miqtë, bashkëpunëtorët, njerëzit e afërt.


Përse është e rëndësishme pjesëmarrja në Festivalin e Dhjetorit?


Është festivali më "plak", ai që ka eksperiencën më të madhe, që ka rritur me dhjetëra artistë të skenës shqiptare. Nuk po them këngëtarë, ata mund të kenë qenë me mijëra. Artistë kanë qenë me dhjetëra dhe mund të kenë arritur tek qindëshja. Është një festival 48-vjeçar dhe unë e vlerësoj statusin e tij.


Nuk jam "grykëse", nuk dua të dal kudo, por meqë bëj një përzgjedhje, më vjen si më për mbarë që fundi i vitit të jetë Festivali i Dhjetorit.


Sërish një bashkëpunim me Endri Sinën...
Me Endri Sinën kam bashkëpunuar për ripunime këngësh popullore. Gjithashtu, ai ka orkestruar tre nga "Këngët e Shekullit", më të rëndësishmet ndoshta. Ka kompozuar edhe këngën "Dorëzohem". Në 2003 kemi bashkëpunuar për këngën "Një mijë zemra", që e kam prezantuar në festival.


Ky është bashkëpunimi i dytë në Festivalin e Këngës. Është e zakonshme që këngëtarët të kenë bashkëpunime të gjata me kompozitorët. Bashkëpunimet e shkurtra ndodhin rrallë. Kurse, bashkëpunimet që kanë një lloj koherence, gjithmonë janë më produktive.


Kur një këngë është e duhura për ty?


Për këngën "Përtej kohës", mendova që mund të investoja për në Festivalin Kombëtar. Ndonjëherë edhe gaboj. Kemi dalë në festival dhe nuk kemi pasur atë sukses që prisnim.


Këngët e mira nuk krijohen çdo ditë. Kënga e mirë është edhe një fat. Si çdo gjë tjetër, që do edhe atë pak fatin brenda.
Një këngëtar ndihet mirë me këngën, kur e ka për një kohë të gjatë, nuk e refuzon që në momentin e parë.

Ka të bëjë me vokalin kjo gjë?


Jo. Është një lloj kimie. Nuk ka asnjë lloj bashkëveprimi të ndërsjellë midis teje dhe atij materiali që të vjen. Nga përvoja ime, nëse një këngë nuk më pëlqen që në momentin e parë, nuk më pëlqen as më vonë.


Si ishte përballja në rastin e "Përtej kohës"?


Këtë këngë e kam prej 2 vjetësh në folenë e "CD Playerit". E dëgjoj herë pas here. Për një këngë ka kritikë, ka sugjerime, bëhet një rishikim i së tërës, mendimet ballafaqohen. Ka një lloj shkëmbimi eksperience dhe mendimi midis kompozitorit dhe këngëtarit.

Je një këngëtare që të shkojnë romancat, notat e dashurisë, zhgënjimit.
Edhe "Përtej kohës" e tillë është?


Unë nuk kam zhgënjim në tekstet e mia, përkundrazi. Në vargjet e mia nuk ekziston koncepti i zhgënjimit. Flas për tekstet që kam shkruar vetë. Kurse këngët që flasin për zhgënjimin, kanë qenë tekste të autorëve të tjerë. Në tekstet që kam shkruar vetë, nuk i referohem asnjëherë zhgënjimeve në dashuri. E trajtoj më gjerë dashurinë në vargjet e mia, më tepër si një koncept absolut.


Nuk ka dashuri të keqe, ose të mirë, është "dashuri". Nuk ka dy fytyra, ama kur fillon trajtohet si fenomen njerëzor, po i ka të dyja fytyrat. Ka dështimin, ka humbjen, ka zhgënjimin, ka përfundimin.


Ndërsa, si perceptim absolut, ajo është një gjë pa fillim e pa fund, nuk ka kohë, nuk ka hapësirë, nuk ka vend. Edhe sikur të ekzistonte një tjetër planet, në një vend tjetër, ajo do të ekzistonte.


E beson edhe vetë këtë?


Unë këtë besoj. Vargjet i kam ngritur mbi këtë koncept. Diku, në tekstin e këngës thuhet: "Me ty në fund të botës, do të vija, edhe ta dija që nuk ka më kthim, që ti je caku im". Kjo nuk i drejtohet një njeriu, por dashurisë, si koncept. Kur e ndjen brenda vetes, ajo të bën absolutist. Nuk trajtohen vogëlimat njerëzore: "A do të mbarojë dashuria?", "A do të zhgënjehem?".


Kënga "Përtej kohës", është një mesazh që u drejtohet njerëzve, për t'iu thënë: Ajo që ju bën mirë për të kaluar të gjitha pengesat, mërzitë, sëmundjet, vështirësitë, nuk është urrejtja, inati, xhelozia, është vetëm dashuria".


Kjo është kura e vetme që njeriu mund ta mbajë me vete në xhep, në çantë, në mendje, kudo. Gjendjet e tjera janë dëmtuese. Njeriu i ka ato brenda dhe i nxjerr herë pas here, po sa më pak t'i shfaqë, aq më mirë është, aq më pak helmuese është jeta edhe e përditshmja e tij.


Çfarë raportesh ke me kohën?


Unë e di që vjen momenti kur mendon për kohën më thellësisht. Por jeta jonë është kaq e vrullshme, me kaq punë, me kaq probleme, me kaq strese, sa gjatë 24 orëve, muajit, apo edhe vitit, nuk kemi realisht kohë të mendojmë për kohën.


Por në qoftë se e shoh si një koncept filozofik, ajo është hajdute, një hajdute e detyruar të vjedhë. Merr njerëz, merr jetë, merr kohëra, merr epoka, merr koncepte të tëra filozofike, merr me vete gjeni. Nuk e di ku shkon, ku i çon këto thesare që vjedh, por them është e detyruar, pasi duhet të rrjedhë, të vijnë të tjerë pas nesh.


Unë e perceptoj rrjedhjen e kohës, tek humbjet e njerëzve të mi të dashur. Nuk kam keqardhje, sepse e di koha rrjedh për të gjithë dhe në këtë moment, keqardhja është e përbashkët, jemi të gjithë bashkë në të. Është një lloj keqardhje ngushëlluese.


Çfarë kohe je duke jetuar tani?


Jam në momentin më të mirë të jetës sime. Ndihem e mbushur me energji.

Bëhesh ndonjëherë paranojake për lumturinë që të rrethon?


Mendoj se është e kundërta. Sa më shumë të pakënaqur të jemi, sa më shumë ankues të jemi, aq më keq na shkojnë gjërat. Sa më optimist të jesh, sa më i buzëqeshur të jesh, aq më mirë shkojnë gjërat. Jetës duhet t'i buzëqeshësh. Kur ti je i pakënaqur, nuk ka sesi fati të të sjellë gjëra të mira.

Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1304
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Eranda Libohova

Mesazh nga Vizioner prej Sun Feb 07, 2010 11:40 am



Suksesi i fundit i Erandës, 20 vjet karrierë muzikore, defektet, pasionet dhe preferencat
Në një intervistë për Sh2-in ajo rrëfen vetën, momentet e bukura në jetë, muzika, pasioni për gatimin dhe mesazhin që përcjell në këngën e fundit.


Eranda, këtë herë keni ardhur me një klip krejtësisht të veçantë, e kujt ishte ideja për një ekranizim të tillë të këngës suaj?
Klipi është realizuar nga Aleksandri në bashkëpunim me "Supersonik TV", jemi munduar të gjejmë diçka të veçantë.

Është hera e dytë që ju bashkëpunoni me Big Bastën ose Geri me emrin e tij real, pse e keni bërë këtë zgjedhje?
Sepse është një i ri që i pëlqen të mësojë, ka talent dhe një zë të veçantë e për më shumë është dhe një komshi i mirë.
Titulli i këngës është: "Modeli më i mirë", kujt i referoheni më këtë?
I referohem të gjithë atyre këngëtarëve të huaj dhe shqiptarë po kryesisht shqiptarë, sepse këtu kemi nevojë të përcaktojmë modele, të cilët vazhdojnë të mbeten më të mirët paçka se përmenden apo nuk përmenden shpesh. Dhe sado koha kalon e sjell lloj-lloj formash dhe modelesh, ata vazhdojnë të mbeten modelet më të mira.

I keni marrë reagimit e para për klipin, si kanë qenë ato?
Po, patjetër. Kanë qenë pozitive, dhe skenat e xhiruara në qytet duket se janë pëlqyer më shumë se ato brenda një studioje.

Keni ju vetë një model kujt do të donit t'i ngjanit?
Për çdo personalitet muzikor që formohet, ekzistojnë dhjetëra modele artistesh, të cilëve mund t'u referohesh, por, kur ky personalitet ka një talent dhe një origjinalitet, ai thjesht i referohet dhe nuk ka nevojë ta kopjojë atë, dhe kështu ai krijon modelin e tij.

U bënë dy vite që keni nxjerr albumin. Është në planet tuaja të afërta një album tjetër, apo ...?
Jo, ky është një vend ku albumet janë pa interes. Do përqendrohem të punoj me këngë dhe me vidieoklipe, por jo me albume.

Sa kohë të ditës suaj ia kushtoni muzikës?
Varet nga ditët.

Sipas jush, për të qenë një këngëtare e mirë, cilat janë tre cilësitë kryesore që duhet të ketë personi që ka marrë përsipër të bëjë këtë punë?
Shije të mirë, vokal të mirë dhe një paraqitje interesante.

Është muzika një mjet fitimi?
Ndonjëherë po, por jemi shumë larg nga ajo çka fitojnë kolegët tanë në botë.

Ju e kishit kuptuar që fëmijë që e ardhmja juaj do të ishte në muzikë, apo çdo gjë erdhi natyrshëm?
Dikush lind për të shkruar, dikush tjetër për të pikturuar, unë kam lindur për të kënduar. Sot e kësaj dite që kanë kaluar më shumë se 20-vjet karrierë artistike më vjen për të qeshur kur mendoj pse nuk i pëlqeu zëri im komisionit kur isha vetëm 14 vjeç dhe doja të ndiqja studimet në Lice për t'u bërë këngëtare. E them këtë, për të inkurajuar ata të rinj që dhe pse kanë talent dhe nuk fitojnë konkurse, nëse besojnë në të vërtetë nuk duhet të dorëzohen kurrë.

Në qoftë se nuk do të ishit bërë këngëtare, çfarë tjetër keni dashur të bëheshit në jetë, apo ka qenë absolute kjo dëshirë?
Siç e dini, i dua shumë kafshët. Ndoshta do kisha qenë një veterinere shumë e mirë.

Eranda, shumë prej këngëtareve, kanë zgjedhur të këndojnë "live" në lokale të ndryshme nate, ju e bëni një gjë të tillë?
Ndonjëherë, jo shpesh. Jam shumë selektive. Duke qenë se kam një përvojë të gjatë me këngën, tashmë projektet e mia shikojnë me gjerë.

Repertori i këngëve tuaja është një ndër më të kënduarat në konkurset "talent show" që zhvillohen në vendin tonë, ju vjen mirë për këtë?
Sigurisht, ky është një kompliment.

Sipas jush, cili është sekreti i të mbijetuarit dhe të pëlqimit gjatë në publik për një artist?
Të kesh vlera, vetëm ato janë të pamohueshme dhe të dukshme.
Jeni një këngëtare e kuruar mirë në skenë, kush kujdeset për pamjen dhe veshjen tuaj?
Prej vitesh kuron pamjen time me shije dhe pasion mikja ime Rezarta Skifteri, por në mënyrë modeste mund të them që dhe unë nuk jam keq me shijet.

Përveç muzikës së lehtë, këndon shumë mirë dhe atë popullore, keni menduar të realizoni ndonjëherë ndonjë album vetëm me këtë zhanër muzikor?
Album jo, këngë po.

Keni ndonjë preferencë, këngët e cilës treve ju pëlqejnë më shumë?
Folklori shqiptar është kaq i larmishëm dhe i bukur sa nuk do të doja ta ndaja.

Është Eranda një amvisë e mirë, cila është ajo gjë që e gatuani më me shumë dëshirë?
Unë di të gatuaj, por nëse do të më duhet një ditë ta bëj, do të di ta bëj mirë.

Po pjata juaj e preferuar?
Pasta me pesto genovese.

Çfarë është lumturia absolute për ju?
Unë kam pasur fatin të kem shpesh realizime në jetë dhe në karrierë, kjo do të thotë kam qenë shpesh e lumtur, por s'di të ndaj lumturinë absolute nga ajo relative. Për mua mjafton që ka qenë lumturi.

Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?
Tekila, qenushi im.

Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?
Para 2 ditësh kam qeshur me lot, bleva një celular me dy karta. Kujtova që çdo gjë ishte në rregull, por nuk ishte kështu. Për bashkëbiseduesin zëri im ishte kthyer ai i një personazhi qesharak të animuar i hollë dhe elektronik, duhet të kisha shtypur ndonjë opsion gabim, kam qeshur shumë se me kishin regjistruar dhe ma vendosën ta dëgjoja.

Tipari kryesor i karakterit tuaj?
Altruizmi.

Defekti juaj kryesor?
Jam rrëmujaxhie.

Ndaj cilave gabime jeni më tolerante?
Ndaj atyre të vogla, të cilat falen lehtë dhe harrohen lehtë.

Hera e fundit që u përlotët?
Për herë të fundit jam përlotur nga emocionet që më solli zëri i një fëmije që këndonte në spektaklin "IO CANTOl" të "Canale 5".

Me cilat personalitete historike identifikoheni më shumë?
Personazhet me të cilat identifikohem nuk janë bërë akoma historike.

Udhëtimi juaj i preferuar?
Nëse KUBA do të ishte më afër do të doja të vizitoja plantacionet e tabakos më të mirë në botë, Havana.

Shkrimtarët tuaj më të dashur?
Kadare, Agolli

Cilin virtyt vlerësoni më shumë tek një burrë?
Të jetë BURRË

Tek një grua?
Të qenit femër

Kompozitori juaj i preferuar?
Gazmend Mullahi

Kënga që fërshëlleni kur bëni dush?
S'është gjithmonë e njëjtë, ndryshon sipas ditëve.

Libri që ju la mbresë të pashlyeshme?
Tesi i D'Erbervileve i Tomas Hard.

Filmi që ju la mbresë të thellë?
The Bridges of Madison Country.

Piktori juaj i dashur?
Pablo Picasso, Alush Shima.

Ngjyra juaj e preferuar?
E Gjelbra

Kë konsideroni si suksesin tuaj më të madh?
Emrin tim.

Pija juaj e preferuar?
Vera.

Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?
Kur për vogëlsira e mërzis mamin tim.

Çfarë urreni më shumë në këtë botë?
Nuk di të urrej.

Frika juaj më e madhe?
Të fluturoj.

Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?
Kur gënjeshtra të bën mirë.

Keni dhënë ndonjëherë ryshfet?
Pse ka ndonjë shqiptar qe s'ka dhënë ryshfet ose s'ka marrë. Një nga të dyja, mua më ka qëlluar vetëm të jap (qesh).

Cila është motoja juaj?
Carpe diem, kape momentin.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Me pyet pas 100 vjetësh.

Po të ndodhte të takonit Zotin, çfarë do t'i thoshit?
Të më rilindte

Në çfarë gjendje shpirtërore gjendeni kohët e fundit?
Shumë të mirë, falë Zotit.

Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1304
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Intervista te Kengetarve

Mesazh nga Vizioner prej Sat Jul 31, 2010 11:40 am

Elvana Gjata - Ndoshta jo e para... por akoma numër 1!



"Stuhia" Elvana ka filluar javën që shkoi me publikimin e videokëngës "A ke zemër", e cila brenda 7 ditëve arriti një numër rekord vizitash (mbi 100.000) dhe do të vazhdojë në javët pasuese me publikimin e një videokënge tjetër, e cila, siç kemi dëgjuar, është e jashtëzakonshme. E teksa së bashku presim me padurim... lexoni më poshtë intervistën.


- Përshëndetje Elvana! Ku jeni në këto momente dhe me çfarë jeni duke u marrë?

Përshëndetje dhe juve! Unë momentalisht jam duke realizuar turin e tretë të koncerteve në Kosovë, Mal të zi dhe Maqedoni. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur për mua dhe besoj që do vazhdojë të jetë e tillë deri në fund.

- Urime për këngën e re! Brenda një jave ka arritur të ketë mbi 110.000 vizita në YouTube. Përveç kësaj kënge, çfarë të rejash do të presim prej jush deri në fundvit?

Faleminderit shumë dhe unë jam ndjerë shumë mirë që publiku e përvetësoi menjëherë këtë këngë. Faleminderit dhe "Entermedias" për realizimin e videos. U bënë tre vjet që punoj me dashuri për albumin e ri që del shumë shpejt.

Janë realizuar dhe tre video të reja që presin të lançohen bashkë me këngët përkatëse. Për dy javë një tjetër hit i ri do publikohet në video, kënga është prodhim i Florit dhe videoja po nga Entermedia. Një surprizë shumë e bukur!

- E di çfarë do kisha unë shumë dëshirë (besoj dhe publiku) të shikoja nga ti në të ardhmen? Një duet me Florin. Jo këngë të qetë, por ndoshta një këngë pop-dance. Mendon se është diçka që mund të ndodhë?

Në një farë mënyre bashkëpunimi i gjithë këtyre viteve ka qenë një duet shumë i bukur dhe profesional me Florin. Ne jemi pjesë e një suksesi të përbashkët dhe mbase ka ardhur vërtetë momenti... po kush tha që nuk kemi një surprizë të tillë në albumin e ri...

- Në këngën "Turn U On" kënduat dhe në anglisht, më pas u nominuat në Balkan Awards, keni kënduar në shumë vende perëndimore... A ndoshta po përgatiteni për një tentativë muzikore jashtë kufijve? Do ta dëshironit?

Mendoj që është më e rëndësishme të kontribuoj në pasurimin e muzikës moderne në Shqipëri. Oferta për bashkëpunime për jashtë ka pasur dhe do ketë, por kjo është një gjë që do ta vendosim në kohën e duhur bashkë me Florin.

- Ju pyeta, sepse p.sh., Rumania ka shumë këngëtarë dance që janë bërë të suksesshëm në Europë. Inna është një prej tyre... kam parë video të sajat live dhe intervista në anglisht.

Anglishten e flet shumë keq, vokalin e ka ok... por, p.sh., nuk krahasohet me vokalin tuaj dhe në pamje përballë kamerave më shumë se një herë dukej... le të themi, jo mirë. Nëse ajo ka arritur tërë këtë sukses përse jo dhe juve? Tashmë e keni testuar repertorin suksesshëm në 10 milionë shqiptarë... pse jo vitin e ardhshëm me destinacion Europën?

Mendoj që ajo dhe këngëtarë të tjerë jashtë kufijve të Shqipërisë kanë disa avantazhe, pasi atje muzika është industri dhe mundësitë janë më të mëdha për t'u lançuar. Nga ana tjetër muzika jonë ka triumfuar me të tyren siç ndodhi me Florin në BMA dhe kjo më jep forcë të mendoj që edhe unë të tentoj së shpejti.

- Një mikja ime ka qenë prezent në të njëjtën parukeri me ju dhe përveçse më tha që jeni po aq e mirë në person sa dhe në video e fotografi, shtoi se ju dukët një vajzë "me shumë këmbë në tokë" dhe me humor (besomë ajo s'para lavdëron shumë Smile ...

Hahaha! Më vjen mirë. Dhe po ju them se në jetën e përditshme jam shumë e qeshur dhe më pëlqen që dhe njerëzit që rrinë pranë meje të jenë sa më rehat dhe pse jo të qeshin sa më shumë bashkë me mua.

- Ju keni kaq vite që jeni e suksesshme në muzikë, si ndodhi që zgjodhët për të studiuar regjisurë?

Regjia ka qenë një pasion i hershem. Tani që u diplomova kam dëshirën ta shijoj si profesion, duke realizuar shfaqje të bukura pranë Teatrit Kombëtar dhe pse jo jashtë saj. Mund të them që shfaqja e diplomës ka qenë një emocion dhe eksperiencë e mrekullueshme. Një monodrame nga Angelo Longoni me një tematike universale. E luajtur nga aktorja Valbona Imami. publiku e priti shumë mirë shfaqjen dhe Elvanën si regjisore.

- Cili është regjisori dhe filmi (ose pjesa teatrale) juaj i preferuar?

Steven Spielberg është regjisori im i preferuar, ndërsa për sa i përket teatrit, antikitetin grek. Eskili, Euripidi, Aristofani, si dhe kolosin francez Moliere.

- Ju cilësojnë si këngëtaren më të kompletuar të momentit në Shqipe. Kur them këtë, kam parasysh që vlerësoheni maksimalisht për vokalin, interpretimin, repertorin, veshjen etj., gjithçka e përzgjidhni më së miri. Jeni në një pikë ku konkurrencën më të fortë e keni me vetveten... si ia dilni mbanë?

Të them të drejtën, sa vjen dhe bëhet më e vështirë. Sa më shumë vlerësohesh për këto karakteristika aq më shumë përgjegjësi ke. Në momentin që bëhesh një pikë referimi, mban mbi vete një përgjithësi shumë të madhe, sepse përqindja që ti të zhgënjesh publikun në një moment sado të vogël duhet të jetë zero!! Nga ana tjetër ky vlerësim më gëzon pamasë!

- Duke qenë kaq e suksesshme, normalisht kritikat janë pak të vështira për t'u "gëlltitur". Kush është kritiku juaj më i madh?

Elvana! Autokritikën e kam shumë të fortë, por janë dhe të afërmit e mi që nuk mi kursejnë kritikat. Gjithashtu dhe motra ime e Flori.

- Si reagoni ndaj kritikave në përgjithësi?

Sinqerisht jam shumë e hapur. Kur ndodh e kundërta s'më vjen mirë...

- Po sikur unë të ju tregoja se videoja e fundit (videoja jo kënga) në krahasim me videot e mëparshme mu duk jo shumë e arrirë... si do më përgjigjeshit Smile?

Do të thosha që për kohën shumë të shkurtër prej dy orësh (pjesa ime) që u xhirua ajo video, është shumë e arrirë. Hahaha! Misioni i asaj video për të prezantuar këngën është kryer me sukses. Me këtë dua të them që kënga është verore dhe kishte nevojë për një klip të thjeshtë pa komplikime... Kjo ishte antipasta, pjata kryesore është duke ardhur...

- Në foton që kemi vendosur në kopertinë, ju mbani një palë kufje të Dr. Dree, reklamën e të cilave e ka bërë shqiptarja Vicky Zeneli, që ju shoqëronte ju dhe Florin në VideoFestin Muzikor. A janë një dhuratë prej saj?

Po! Janë dhuratë me nënshkrimin e Dr. Dree për Florin dhe unë pata një kënaqësi shumë të madhe t'i vendosja ato.

- E meqë përmendëm foton, më pëlqen stili i ri. Kufje, çantë LV, iPhone... më duket pak një veshje që i përshtatet rrymës Dance. Po më krijohet ideja se në albumin e ardhshëm do kemi më tepër këngë dance prej jush?

Do të ketë dance është e vërtetë pasi për momentin është një rrymë në trend, por do të ketë dhe pop, rrok, balada dhe sigurisht r'n'b.

- Elvana, shumë faleminderit për kohën që na dedikuat, ju uroj suksese dhe vitin e ardhshëm shpresoj t'ju shohim në tregun europian!

Faleminderit shumë dhe juve. Mbase do të jeni një ogur i mbarë! Nuk mund të mos falënderoj dhe publikun për mbështetjen dhe i them që kur të kenë në duar albumin, do të kuptojnë që ia ka vlejtur pritja. Ju dua shumë!


_________________

Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1304
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Intervista te Kengetarve

Mesazh nga Sponsored content Today at 5:06 am


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi