Forumi Evolucion

Mero Baze-libri "1997"

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Mero Baze-libri "1997"

Mesazh nga Vizioner prej Thu Nov 11, 2010 2:45 pm

Mero Baze, një rrëfim për marrëdhëniet mes Azem Hajdarit dhe Sali Berishës

Rreshtat e meposhtem, jane nje deshmi e rendesishme per të rikonfirmuar çfare ka nen lekuren e personazhit qe sot eshte Kryeminister dhe qe ka dominuar skenen politike te ketyre viteve; kete skene oklokratesh te mbushur me burra te vegjel e te ndotur, qe hyjne e dalin, me damken e hajdutit te pandeshkuar ne shpine.



Nga Mero Baze
-pjese nga libri "1997"-

Prill 1996 - PD-ja jopolitike e 26 majit

...Nëse ka pasur ndonjëherë në historinë politike të një partie më shumë intelektualë dhe më pak politikanë, ky ka qenë Kuvendi dhe garnitura politike e dalë nga zgjedhjet e 26 majit. Pas kokëçarjesh të gjata me fraksione brenda PD-së dhe figura politike që e kontestonin vazhdimisht, Sali Berisha u mbyll i vetëm në vilën nr. 4 në Pallatin e Brigadave, për t'i dhënë PD-së një ekip të ri, që thuajse nuk kishte lidhje me politikën.
Prej ikjes së Neritan Cekës në vitin 1991 e më pas Pashkos, Zogajt, Imamit, Kalakulës, Baletës dhe kulmimit të rrjedhjeve me kryetarin karizmatik të partisë, Eduard Selamin, Sali Berisha dukej se po mendonte për një parti pa politikanë. Lista e gjatë që shkruante dhe rishkruante vetë, nxirrej nga lista pedagogësh, artistësh dhe intelektualësh të njohur të vendit, shumica e të cilëve as që kishin ndonjë ide se po hynin në politikë. Me siguri që ka qenë afër fundit kur, një mbrëmje, më thirri për kafe në vilën nr. 4. Ndihej qartë që ishte i kënaqur me vizat e panumërta që kishte hequr mbi dengun e listave që kishte përpara.
-Do t'i lexoj një herë emrat, - tha. - Kam gjetur ekipin më të shkëlqyer që kemi pasur ndonjëherë për zgjedhjet!
Po i dëgjoja. Gjysmën i kisha dëgjuar jo si politikanë, gjysmën tjetër as si politikanë dhe as si intelektualë.
- Si të duken? - më tha.
Ishte një pyetje që donte përgjigjen që duhej ta dëgjonte ai. Qoftë dhe për rutinë.
- Janë shumë, - i thashë, - s'di të them për të gjithë. Disa emra janë shumë të njohur dhe ndoshta bëjnë punë. A ke folur me ta?
- Me cilët? - tha.
- Për shembull, me Ndriçim Xhepën, Xhevdet Ferrin apo këta pedagogët.
- S'ka problem për ata, flasim. Po si të duket lista?
Donte doemos një përgjigje entuziaste.
- E mirë më duket, - i thashë. - Do të kesh pak problem me këta të partisë.
- Partisë... hë, ç'probleme do të kem? Ua kam thanë: "Më të shquarit, te zonat më të vështira." Ja, për shembull: Agron Musarajn e kam çue në Berat, Sadik Bejkon dhe Blerim Çelën në Tepelenë, Fatos Bejën në Gjirokastër, Leonard Demin në Sarandë, Genc Pollon në Përmet, Dashamir Shehin në Vlorë, Ridvan Boden në Korçë... se këta të Jugut ke merak ti...
Nuk i bëra asnjë koment. Po përpiqesha t'i mbaja mend, se ndoshta më duheshin për raportin e mëngjesit te "Zëri i Amerikës".
- Mirë e paske Jugun, - i thashë instinktivisht. - Këtë Boden nuk e njoh, por këtë Shehin pse në Vlorë?
- Nuk e njeh Boden... i shkëlqyem! Ka mbarue në Francë, e kemi pas drejtor Dogane, superkorrekt, financier i zoti. Ndërsa Vlora ka shumë rëndësi, - tha. - Do një figurë të fortë, s'bëhet pa një figurë të fortë.
Në të vërtetë, krisja mes Dashamir Shehit dhe Berishës kishte nisur. Aleksandër Meksi, që historikisht nuk duronte dot asnjë zëvendëskryeministër, për shkak se i dukeshin të gjithë të Berishës, po ashtu kishte probleme me të, por nuk kuptohej kurrë nëse i kishte me të apo me Berishën.
- E ke mbyllur, me një fjalë? A mund ta citoj unë ndonjërin nesër në radio?
- Jooo! - tha. - Se nuk e di njeri. Nuk duhet të dalë asgjë. Kam edhe ca probleme në Shkodër. Duhet me e mbyllë dhe atë. Më ka mbet ky Koleci, s'di ku ta çoj...
- Në Shkodër, ku tjetër? - i thashë.
- S'e di. Fola me Aliun... ai thotë se kemi një kandidaturë tjetër atje, një grua shumë e zonja thotë, po burri i saj qenka fis me Kolecin.
- Kush është kjo?
- Është një pedagoge... për matematikë më duket, nuk e di... ose për juridik, juridik më duket. Ja, të pyes Aliun.
Foli me Ali Spahinë. Toni i shtruar i Ali Spahisë dhe serioziteti që u kushtonte raporteve njerëzore e bënin atë figurën më të palëkundur të PD-së dhe njeriun më të qëndrueshëm nga pikëpamja politike për Berishën, edhe pse shpesh e xhindoste me kufijtë që u vendoste përpjekjeve të tij të përhershme për ta përdorur për çdo gjë.
- Është e shkëlqyer, thotë Aliu. Jozefina Topalli quhet. Qenka kancelare në fakultet. Nuk e di, po ky thotë se është më mirë ajo se Koleci në Shkodër, pasi ajo paska familje shumë të njohur nga baba i vet... Ku ta çoj këtë Kolecin, ku ta çoj.... - Filloi të hidhte sytë sërish mbi hartën elektorale. - Ah, po, e gjeta, - tha. - Në Mirditë e kam një vend. Të pyes një herë Aliun.
Foli sërish me Ali Spahinë: "Paska qenë mësues atje, në Mirditë? E po, shumë mirë atëherë... aty po e çoj. Shumë mirë, u mbyll kjo punë. E shkëlqyer! Mos fol me njeri."
- U mbyll, - m'u kthye mua. - Në Mirditë. Aliu thotë se paska qenë dikur mësues aty... ose i internuar, ose mësues, nuk e dinte mirë, por më tha që ka lidhje atje.
Përfytyrova Kolecin, një burrë i matur, i urtë dhe flegmatik, që kishte drejtuar me durim dhe përkushtim administratën e Presidencës për katër vjet. Nuk e njihja nga afër, por me siguri që ishte i çliruar nga ideja se po ikte nga ajo ndërtesë.
I vetmi kuriozitet që kisha për kandidaturat e Shkodrës ishte Azem Hajdari. Berisha nuk po ma përmendte emrin e tij, ndërsa Azemi kishte dy ditë që më kërkonte ta zhbiroja se ku kishte ndërmend ta çonte. "Më duhet një fije informacion, shqipe, - tha Azemi, - pastaj di vetë unë se ç'bëj."
- Po Azemin? - i thashë papritur.
- Azemin? Hëm, atij ia kam gjet vendin. Ai, kudo që ta çosh, fiton. Kemi një zonë shumë të vështirë, që bashkon Çermenikën e Librazhdit, Martaneshin dhe Tërnovën e Dibrës. Aty e kam çue. Vetëm ai mund ta fitojë këtë.
- Mos nuk e pranon, - i thashë me gjysmë zëri.
- Jo, mo, e pranon, - tha, - mos ki merak. Shiko, kam ndjekur një parim: figurat politike në zonat më të vështira, intelektualët në qytete të sigurta, se ata më duhen në Kuvend mue, s'mund t'i hedh në mes të detit menjëherë.
Pas disa ditësh, lista iu lexua Këshillit Kombëtar.
Përpara mbledhjes, në mëngjes, piva kafe me Azem Hajdarin në Rogner. Ia thashë pak a shumë se ku mund të ishte.
- Po në Shkodër, - tha, - kush është?
- Ka futur një grua, - i thashë. - Jozefina Topalli quhej, më duket se ishte kunata e Kolecit.
- Të ka mashtruar, - tha. - Koleci s'ka kunatë pedagoge.
- Nuk më tha "kunatë", por e mora me mend nga mbiemri... diçka e kishte burrin e saj.
- E di unë kush është, - tha Azemi. - Lene se e rregulloj vetë tani. Po e ftoj për një drekë në Vahinë, ta shikoj njëherë se ç'është. Nejse, shqipe, ti mos thuaj gjë për këtë muhabet, se di unë si e zgjidh.
Në mbledhje, Berisha foli gjatë për qeverisjen katërvjeçare dhe për parimet mbi të cilat kishte ndërtuar listën. Përsëriti pak a shumë faktin që politikanët do të shkonin në zona të vështira dhe intelektualët në zona të sigurta. Shtoi se, si risi, Kuvendi do të kishte një "boom" për gratë. Lexoi edhe emrin e Azemit në zonën përkatëse. Pati reaksion. Azemi u ngrit nga vendi dhe kërkoi të sqarohej më qartë: për se ishte sajuar një zonë për të?

28 maj 1996

Arrita dhe u futa te hotel "Tirana". Azem Hajdari ishte ulur në një tryezë në cep të kafenesë, në katin e parë dhe, i nxirë në fytyrë, shihte nga sheshi. Njësoj si në pjesën tjetër të bulevardit, ku kryeministri dhe ish-ministri i Brendshëm sodisnin masakrën, me shpresë se do të rrëzohej rivali i tyre, ashtu dhe njeriu që ishte përballur me diktaturën, shpresonte që përplasja e opozitës me policinë do ta rrëzonte atë që ia kishte zënë "hisen e diellit" në njëfarë mënyre. Por Sali Berisha nuk ishte as në hotel "Tirana", as te hotel "Dajtit", por në Pallatin e Brigadave. Nuk komunikonte me askënd. Në kohë të ndryshme, e kam pyetur disa herë për ato çaste dhe më ka dhënë të njëjtën përgjigje: "S'kam pasur komunikim. Dija vetëm se do të silleshin si me një miting të paligjshëm të partive të vogla".
Në këtë përgjigje shfajësuese kishte plot nuanca të dijes dhe mosdijes së tij për atë që do të ndodhte. Por Azem Hajdari mendonte ndryshe. Ai kishte frikë se dëmi që po bëhej do ta tejkalonte dëmtimin e Berishës dhe, si zakonisht në raste të tilla, ai i shtonte sulmet mbi njerëzit që i urrente vërtet dhe ata ishin Agim Shehu dhe Bashkim Gazidedja. Ma stërholloi skenarin e tij plot paranoja, se si ata të dy donin që të nxirrnin nga loja të gjitha palët dhe ta merrnin vetë komandën.
- Ky është skenar, - tha. - Duan të na nxjerrin jashtë loje.
Zemërimi i tij me njerëzit e ShIK-ut dhe të Policisë kishte kohë që i kishte kaluar kufijtë.
Dola me vrap jashtë dhe u futa mes turmës. Ndeza mikrofonin.
Ndërkohë që flisja me Azemin, një ofshamë e madhe erdhi nga sheshi. S'e dalloja dot mirë se kush kishte rrëmbyer një megafon, por më ngjasonte me zërin e Neritan Cekës, që këlthiste: "Kjo është diktaturë!". Më tej, Servet Pëllumbi ngjante si një statujë e ngrirë nga pamja që kishte para syve. Një fotoreporter spanjoll, i gjakosur në përpjekje për të mbrojtur aparatin e tij fotografik dhe një truprojë e tij i gjakosur me lopatë xheniere, ishin mbështjellë rreth tij, sikur të gjenin mbrojtje te profesori i vjetër i marksizmit. Ishte një skenë që turpëron çdo shoqëri që e prodhon. Muskujt e palëvizur të Servet Pëllumbit dhe njerëzit e ngjeshur përreth tij, ishin imazhi më i dhimbshëm njerëzor që prodhoi dhuna e 28 majit. Dhëmbët e thyer të Arben Imamit, tërheqja zvarrë e tij, dhunimi i Gramoz Pashkos dhe Blendi Gonxhes, përplasja me Pandeli Majkon, ishin brutale dhe të egra, kurse ballafaqimi i dhunës me një njeri paqësor dhe me një portret të heshtur e qortues si Servet Pëllumbi, ishte i dhimbshëm. Turma e policisë e humbi kontrollin dhe filloi të godiste kë të mundte. U afrova sa munda të merrja disa zëra për në radio. Për fat, mikrofoni më kishte regjistruar zërin e Neritan Cekës dhe Kastriot Islamit. Mblodha të gjithë zërat dhe u ula të shkruaja raportin.
Në orën 15.00 ishte emisioni te "Zëri i Amerikës". Montova fillimisht atmosferën e protestës, ku dëgjohej në sfond kënga "Eja mblidhuni këtu, këtu!", pastaj Neritan Cekën, Kastriot Islamin dhe në fund Azem Hajdarin. Pjesa e Azemit ishte më shumë si balancë ndaj tre opozitarëve. "Policia po bën detyrën, - tha ai. - Ky është një miting i paligjshëm. Asgjë më shumë". Ishin krejt e kundërta e asaj që bluante me vete në hollin e hotelit.
Zëri i tij ishte i pasigurt dhe sapo e mbaroi fjalinë, uli kokën dhe filloi të shante përsëri "ata që kishin futur në skemë PD-në". Brenda çdo minute ai jetonte dramën e të qenit themelues i Partisë Demokratike, të cilën duhej ta mbaronte, si dhe adhurues i betejës që bëhej para syve të tij dhe kundër partisë që ai kishte themeluar gjashtë vjet më parë për lirinë e fjalës dhe votës, që bëhej tashmë nga ajo parti që kishte trashëguar historinë e Partisë së Punës. Azem Hajdari e vuante këtë dilemë të madhe si një fat që nuk e meritonte. i luftuar me egërsi brenda partisë së tij nga grupi i Berishës dhe i mbetur më këmbë falë aftësive të tij populiste dhe makinacioneve shpeshherë banale, në mesditën e 28 majit ai ishte njeriu më i rrahur i politikës shqiptare, edhe pse mbi kurrizin e tij nuk u vërtit asnjë shkop. Ai ndiente lakmi për ata njerëz që kishin lirinë të bënin një betejë të re kundër atij që po e izolonte dhe po e zvogëlonte pak e nga pak brenda partisë që themeloi vetë. Ai ndiente makth, mes të tjerash, për mungesën e lirisë së tij për të thënë atë që mendonte, si gjashtë vjet më parë. Atë ditë ai mendonte se partia e tij po tradhtohej nga disa fanatikë që po e çonin në greminë dhe detyrohej të fliste publikisht në favor të një gjëje që nuk e besonte. E bënte këtë me shpresën që të mbetej ende brenda asaj partie, me shpresën se mund t'i vinte sërish dita për një betejë që mund ta fitonte brenda saj.

Qeveria e re, një ndjellëse fatkeqësish

Ndërsa vera e vitit 1996 po tërhiqej zvarrë mes sherreve të socialistëve dhe nxjerrjes jashtë loje të shumicës së emrave politikë të PD-së, në horizont po shfaqeshin probleme të reja, që buronin nga politika personale që kishte diktuar elitën e re politike në pushtet, nga larja e hesapeve mes palëve dhe pamundësia e pushtetit për t'i dhënë një përgjigje krizës së fajdeve, që pas zgjedhjeve shpërtheu edhe te fondacionet e quajtura bamirëse, si "Populli" dhe "Xhaferri".
Në planin politik, Azem Hajdari, themeluesi i Partisë Demokratike dhe i përjashtuari i madh i saj, po përgatitej për kundërsulm. Shoqëria e tij me krerët e sindikatave po rritej dhe ai po kërkonte një mandat për t'iu kundërvënë qeverisë së re Meksi.
Vetë Meksi, në të vërtetë, ishte i çudituri i madh që i kishte mbijetuar postit të tij. Komunikimi i tij me Berishën ishte vështirësuar dhe deri në minutën e fundit ai nuk kishte asnjë sinjal rikonfirmimi. Madje, një natë para se të shpallej qeveria, Berisha e çoi deri në fund humorin e zi, kur na thirri mua dhe Ylli Rakipin në zyrë dhe na la të kuptohej se kandidat mund të ishte edhe Genc Polloja. Ne e çuam deri në fund humorin e tij të zi duke e futur këtë në faqen e parë të gazetës. Por në orën dhjetë, gjithçka ishte qetësuar dhe Aleksandër Meksi ishte rikonfirmuar. Dy të zemëruar të mëdhenj kishte me këtë vendim: Bashkim Gazidedja dhe Azem Hajdari, të dy po ashtu armiq me njëri-tjetrin. Gazidedja u trondit aq shumë nga rikonfirmimi, sa nuk dinte kujt t'i hapej. Mori Ylli Rakipin në telefon dhe e ka mbajtur gati një orë duke zbrazur gjithçka kundër tij. Fliste për abuzime financiare, për lidhje të dyshimta antikombëtare, për gjithçka. Por dëshpërimi nuk i vinte nga kjo gjë, por nga fakti se, sipas tij, i kishte çuar një dosje të tërë Berishës me këto gjëra dhe se ai nuk e kishte përfillur. Këtë gjë nuk e shpjegonte dot. i vetmi që kishte një shpjegim për këtë ishte avokat Ngjela.
- Ky Gaziu s'e njohka doktorin fare, - tha. - i paska bërë dosjen sa një mal Leka Meksit dhe kërkon që ta heqë doktori. Po doktori atë do, dosjen. Ai e paska bërë me duart e tij kryeministër. i paska thënë: "Ja ku e ke dosjen e tij, tani bëje!". Se ai nuk e di që është ndryshe ekuacioni.
Por humori i Ngjelës nuk mbërrinte dhe as nuk kuptohej nga mendja e Gazidedes. Dhe ishte tejet i brengosur. Me Azem Hajdarin, po ashtu. Ky nuk e kishte me Aleksandër Meksin, por nuk guxonte ta bënte betejën direkt me Sali Berishën. Donte doemos t'i tërhiqte vëmendjen atij dhe ta thërriste për një pakt. Avokat Ngjela, që ia kishte njohur prej vitesh këtë stil, ia ngrinte nervat kur ia ilustronte gjithçka me pasqyrat që dogjën anijet e Kartagjenës.
- Kot e ke, Azem, sa bën gati anijen ti, ai të drejton pasqyrën dhe ta djeg. Mos u lodh kot! - i thoshte.
Po Azemi nuk u tërhoq kurrë. Për t'ia arritur asaj dite, që nuk ia arriti dot derisa e vranë, ai bëri gjithçka: u bë mik me armiqtë e Berishës në PD, armik me miqtë e tij, bëhej tolerant dhe radikal, antikomunist i tërbuar dhe njeriu më i moderuar. Bënte gjithçka që, një ditë, ai t'i thoshte:"Azem, çfarë do, fol..." Ai nuk ia tha kurrë dhe tashmë themeluesi i asaj partie po tretet nën dhè pa ia arritur të bëhej qoftë edhe një ditë ministër, ndërsa dhjetëra e qindra të tjerë, miq dhe armiq të tij, pa asnjë kontribut në atë parti, janë bërë gjithçka, mjaftonte që të mos kishin pretendime politike...

_________________

Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1304
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Mero Baze-libri "1997"

Mesazh nga Vizioner prej Thu Nov 11, 2010 2:59 pm

...vazhdim, pjesa e dyte

Mero Baze, një rrëfim për marrëdhëniet mes Azem Hajdarit dhe Sali Berishës

Rreshtat e meposhtem, jane nje deshmi e rendesishme per të rikonfirmuar çfare ka nen lekuren e personazhit qe sot eshte Kryeminister dhe qe ka dominuar skenen politike te ketyre viteve; kete skene oklokratesh te mbushur me burra te vegjel e te ndotur, qe hyjne e dalin, me damken e hajdutit te pandeshkuar ne shpine.



Nga Mero Baze
-pjese nga libri "1997"-



..... Dukej se ndaj Azemit kishte një armiqësi që e kapërcente Berishën. Shpeshherë, për ta kuptuar se kush ishte njeri i parehabilitueshëm nga Berisha, duhej të shikoje reagimet e gruas së tij, Lirisë.
Një të diel vere, një javë pasi familja Berisha kishte martuar vajzën, Argitën, na kishin ftuar në vilën në Dajt, së bashku me Lazër Stanin dhe Ylli Rakipin. Ishte një lloj pritjeje më konfidenciale për ta uruar për dasmën e vajzës dhe kishim edhe gratë me vete. Ndërsa po hanim drekë dhe Lazri po bënte humor me makinën time të prishur, si krejt i pavëmendshëm që ishte ndaj detajeve, përmendi Azemin, i cili kishte bërë disa herë aksidente në fillim të viteve '90-të. Liria rrudhi vetullat dhe ndërroi bisedë, edhe pse Berisha kishte qejf të vazhdonte gallata dhe tallja për makinën time Golf 2, që e mbaja shumë keq. Dukej që Azemi nuk ishte i mirëpritur në familje. Kishte fituar armiqësinë e saj. Distanca me të ishte bërë e plotë dhe aq mjaftonte që të mos e provonte kurrë shijen e pushtetit.
Mbaj mend formimin e qeverisë. Azemi kishte mbështetur gjithë fushatën e tij elektorale duke i premtuar stafit të vet se në qeverinë e ardhshme do të ishte ministër i Brendshëm.
Qeveria e re, njësoj si grupi parlamentar, ishte një përpjekje për të larguar figurat politike dhe për të promovuar emra të rinj, që kurrë nuk u kishte shkuar mendja të hynin në qeveri. Më kujtohet rasti i Halit Shamatës. Sali Berisha ishte duke hedhur emrat e parë të qeverisë në letër, kur, ndërsa më kish thirrur për një kafe në zyrë, filloi të më tregonte listën e gjatë të grave që kishte futur në qeveri si sekretare shteti, një post që po e shpikte për të fryrë qeverinë. Ishin 3 ose 4 gra të tilla në kabinet. Pastaj shkoi te ministri i Drejtësisë.

- Kam zgjedhur Halit Shamatën, - tha. - Nuk ka jurist më të mirë...
- Nuk është jurist, - i thashë, - është mësues letërsie.
- E ke gabim, - tha. - Ka drejtue për katër vjet Komisionin e Ligjeve, është nga më të shkëlqyerit.
- Dakord, por nuk është jurist, - i thashë. - Mund të jetë pak delikate kjo, pasi do të kesh të bësh me sistemin e drejtësisë.
- Si, nuk është jurist? - tha. - Prit... kë të pyes...
- E kam mik Halitin, - i thashë. - E njoh mirë. Nuk është jurist.
- Kjo ma komplikon punën, - tha. - E di mirë ti këtë punë? - më pyeti sërish.
- Shumë mirë, - thashë. - Haliti ka botuar libra. Di dhe kur dhe me kë ka mbaruar shkollën.
- Mirë, domethënë qenka njeri i letrave. Dakord, e çojmë ministër të Brendshëm. Më duhet një imazh i ri në atë ministri, pas këtyre që ndodhën...
Nuk e përmendte, por disa ditë më parë kishte shkarkuar disa oficerë policie për dhunën e 28 majit. Donte doemos ta hiqte imazhin e një policie të egër me një poet mesatar, që do të shkonte si kryepolic.
- S'di a pranon, - i thashë. - Është tip i tërhequr. Kushedi sa frikë e ka policinë.
- Ke të drejtë, - tha. - Nejse, fol një herë me të, meqë e paske mik, por mos ia thuaj që të kam çue unë. Testoje nji herë.
Ishte drekë kur dola jashtë dhe në fakt nuk dija si ta gjeja Halit Shamatën. Astrit Patozi kishte një lidhje familjare me të, pasi kishte dhëndër në shtëpi vëllain e Halitit. E pritëm Halitin te një klub i vëllait të vet dhe u nisëm drejt Golemit. Ndenjëm gjatë, deri afër mesnate, por nuk morëm asnjë premtim serioz nga Haliti.
Të nesërmen, siç na e shpjegoi vetë, Berisha e kishte thirrur në orën dhjetë në zyrë dhe, sapo kishte hyrë brenda, e kishte uruar për detyrën duke shprehur besimin se ai "ishte një kandidaturë e shkëlqyer".
Azemi priste gjithë makth pikërisht emrin e ministrit të Brendshëm dhe për rrethanat që shpjegova më lart, unë isha nga të parët që e dija. Ishte një situatë që e përjetoja dhe unë shumë keq. E dija që s'do të bëhej kurrë ministër i Brendshëm dhe më duhej t'i tregoja. Në fillim u trondit, pastaj u çudit dhe në fund shfryu kundër Berishës. Pasi e mblodhi veten, përsëriti të njëjtën gjë:
-Shqipe, mos ia thuaj kujt derisa të bëhet.
Më vonë më tregoi se si e kishte takuar që atë ditë Shamatën dhe i kishte thënë se ishte takuar me Berishën dhe i kishte mbushur mendjen që të bënte Shamatën ministër të Brendshëm. "Madje, kur ti hyre në Presidencë, unë po dilja", i kishte thënë.
Nuk di nëse Shamata kishte besuar diçka. Ishte i paepur në vendosmërinë e tij që askush të mos ia hetonte çarjen e madhe gati-gati armiqësore që kishte me Sali Berishën. Ishte mënyra se si mbijetonte.

Ky njeri, Azem Hajdari, që e donte me çdo kusht atë post, nuk e mori kurrë vetëm për shkakun se, po ta merrte do të ishte ai ministër i Brendshëm. Ndërsa Halit Shamata, që nuk e donte, e mori që të mos ishte kurrë ministër, por një njeri luajal me kryetarin e vet. Ky ishte në të vërtetë stili me të cilin Berisha po e ndërtonte qeverinë e re. Askush në vendin e vet. Gjithkush atje ku nuk duhej, atje ku nuk ndihej ministër. Gra të shpallura si të zonjat mbushën qeverinë, ndërsa prerjet më jopolitike u bën ministra. Me këtë qeveri dhe grup parlamentar tërësisht jopolitik, Sali Berisha do të ndeshej muaj më vonë me krizën më të thellë të pushtetit të tij dhe gjithçka do të shkrihej si kripa në ujë. Askush prej tyre nuk do t'i dilte zot, pasi askush nuk mendonte politikisht.

Beteja e Azem Hajdarit kunder qeverise Meksi 2
Beteja e tretë ishte ajo kundër Azem Hajdarit. i vendosur në krye të Sindikatave të Pavarura, ashtu siç dinte të vendosej ai, Azemi nisi një betejë të egër kundër qeverisë "Meksi". Ky i fundit u tërbua. Nuk ishte i qartë se deri në çfarë mase prapa Azemit qëndronte Sali Berisha, siç përhapte fjalë gjithandej jo pa djallëzi vetë Azemi. Edhe vetë Sali Berisha kënaqej nga kjo pandehmë e Meksit dhe nuk ia përgënjeshtronte kurrë atij. Nga ana tjetër, Bashkim Gazidedja e kishte tashmë Azemin objekt kryesor mbikëqyrjeje dhe sulmi. Vetë Partia Demokratike ndërmori disa masa të ashpra ndaj tij, deri në "ngrirjen" si anëtar i Këshillit Kombëtar. Por Azemi nuk u tërhoq. Aftësia e tij për t'i mbajtur mbështetësit e vet të motivuar ishte e lindur. Edhe pse të gjithë kishin në kurriz SHIK-un dhe Policinë, Azemi u krijonte ndjesinë se policia, SHIK-u, Berisha dhe gjithkush tjetër, përveç Meksit, ishin me të, ndaj të mos trembeshin. Anekdotike ishte vizita e tij në Fier. Gazidedja kishte urdhëruar SHIK-un që t'ia ndalonte takimin. Policia kishte marrë urdhër të mos e shoqëronte. Dhe pikërisht kur Shamata mendonte se e kishte bërë detyrën duke i dhënë porosi shefit të Policisë, Azemi shoqërohej nga tri makina policie, me eskortë, që të shkonte në stadiumin e Fierit, ku do të shihte një ndeshje para takimit me sindikatën. Po kështu ndodhte në Shkodër, Kavajë, Durrës dhe kudo. Një pjesë e madhe e policisë më shumë besonin shkeljen e syrit të Azemit se telefonat e ministrave dhe shefave të tyre.

Nën këtë pamundësi për ta ndalur, u duk se pushteti do të jepte mesazhe publike. Në orën e zakonshme të "postës" që vinte nga SHIK-u në gazetën Albania, një ditë zarfi i verdhë kishte 25 pyetje për Azem Hajdarin. Berti, inspektori që i kishte sjellë, bëri kujdes që të na tregonte se ishte diçka me rëndësi. Ishte diçka e rëndë. 25 pyetje për Azem Hajdarin ishin në fakt 25 denoncime, ndër të cilat mund të kishte fakte të vërteta, por më shumë kishte një kontekst spekulativ. Thirrëm në telefon Azemin dhe avokat Ngjelën. Azemi mbërriti më parë. I treguam për pyetjet. Nuk donte t'i lexonte. U pre në fytyrë. Nuk e duronte dot që të jepej mesazh publik kundër tij. Nuk ia kërkoi në asnjë çast Yllit që të mos i botonte, pasi e njihte këtë pafuqi të gazetës, por kërkoi të shkonim për kafe. Shkuam në Rogner. Pak më tutje nesh ishte Tritan Shehu, që diç kuturiste me një italian. Azemi piu gjatë. Nuk e duronte dot atë që do të dilte të nesërmen në gazetë. Dhe pyeste vazhdimisht: "Pse nuk e lëshon këtë Meksin?!" Përgjigjja në fakt ishte e thjeshtë: mjafton të shikoje shkollën politike të Berishës. Nëse ai do të lëshonte Meksin për shkak të sulmeve të Azemit, atëherë Azemi bëhej diktuesi i ndryshimeve në qeveri, lakmuesi i së mirës dhe së keqes, një status ky shumë i lartë për një njeri që presidenti e konsideronte thuajse armik. Ndaj s'mund t'ia bënte kurrë atë nder Azem Hajdarit. Ky i fundit u rropat qytet më qytet e sallë më sallë, por asgjë s'po lëvizte. Mbështetësit e tij zunë të ndaloheshin e të arrestoheshin, por vetë Azemi nuk e la betejën, edhe pse i dëshpëruar në maksimum. Media zyrtare filloi ta akuzonte se po mblidhte rreth vetes enveristë dhe njerëz të ish-Sigurimit të Shtetit. Në mes të nëntorit, Azemi bëri një padi zyrtare ndaj gazetës Albania, për të ndarë në opinion faktin se pyetjet i vinin prej Berishës. Por gazeta nuk shkoi fare në gjyq dhe Azemi e harroi procesin. Qëllimi i tij konstant ishte që në opinion të mos vihej re ndarja me Berishën. Ndaj tij filluan diversione të përditshme. Lajmi se do të krijonte sindikatë të re, u soll në gazetë ditën e dytë të fushatës së tij nga Arben Bllaci, ish-drejtues i gazetës Sindikalisti të Valer Xhekës. Pastaj filluan sulme mbi karrierën e tij në PD. Në mes të muajit nëntor, Këshilli Kombëtar ngriu anëtarësinë e tij në këtë këshill. Në fillim u tha se u përjashtua, pastaj u tha u "ngri", një term ky i padëgjuar më parë në statutin e asaj partie. Dhe e gjithë kjo bëhej ndërsa kompania e parë rentiere, ajo e Sudes, po futej në ngërç dhe tensioni po rritej me orë nga paniku i humbje së pareve. Ishte e pabesueshme se si pushteti kishte energji për t'u marrë me Azem Hajdarin, i cili ishte problem i pushtetit, në vend të problemeve që po shkatërronin shtetin , siç ishin fajdetë. Aty nga fillimi i dhjetorit, një detaj tjetër i sulmeve ndaj tij e kishte dëshpëruar shumë.

Dikush ishte kujtuar t'i hiqte një radio dore policie me shumë frekuenca, që ai e mbante duke qenë se ishte kryetar i Komisionit të Rendit dhe Mbrojtjes. Komisioni qenkësh ndarë në dy pjesë dhe ishte gjetur mundësia t'ia hiqnin. Kjo e kishte mërzitur shumë. Në fillim Yllit ia bëri shumë tragjike dhe të rrezikshme për shtetin, por kur e pa që ky i fundit nuk e mori seriozisht, u zbraz prapë kundër Agim Shehut dhe Bashkim Gazidedes. Na premtoi disa herë se do të na jepte disa materiale ku provohej se Agim Shehu ka vrarë njerëz në kufi, ngaqë ata donin të arratiseshin.
Në fund të vitit 1996, Azemi ndërmori një tjetër akt kundër qeverisë. Për të frikësuar Berishën se kishte edhe mbështetje publike, stimuloi te gazeta Koha Jonë anketën Njeriu i Vitit dhe gazeta më e egër kundër Berishës e shpalli Azem Hajdarin Njeriun e Vitit 1996, për shkak të kontributit të tij për demokratizimin e PD-së. As kjo nuk funksionoi. Vetëm sa e thelloi distancën mes tij dhe Berishës.

Azemi u rezistoi presioneve dhe bëri ç'mundi që t'i fshihte ato nga opinioni publik. Kjo e detyroi Berishën të ndërmerrte masa ekstreme ndaj tij. Në fillim të janarit 1997, kryesia e Partisë Demokratike kishte marrë një vendim që e "ngrinte" atë si anëtar të Këshillit Kombëtar dhe e përjashtonte nga grupi parlamentar. Në seancën e parë plenare, në javën e tretë të janarit, Azem Hajdari i kërkoi Arbnorit të shprehej për statusin e tij brenda grupit parlamentar, por nuk e mori dot kurrë përgjigjen. Sipas rregullores së Kuvendit, përjashtimin nga grupi duhej ta bënte grupi dhe jo kryesia e partisë, por mënyra se si Berisha i bënte përjashtimet ishte që ato edhe të bëheshin, edhe të mos ishin të pakthyeshme, nëse i duhej. Dhe kështu, pa u përjashtuar kurrë legalisht, Azem Hajdari u përjashtua realisht nga grupi parlamentar i PD-së pikërisht në janar të vitit 1997, në startin e krizës më të madhe që kjo parti po hynte që nga themelimi. Dhe mallkimi i përjashtimit të themeluesit të saj e zuri disa javë më vonë, kur ajo dhe pushteti i saj u rrokullisën në një rrugë të gjatë dhe, mbi të gjitha, në një rrugë pa kthim për themeluesin e saj, Azem Hajdarin, i cili u luftua si armiku më i madh i asaj partie. Mitingjet e tij kundër qeverisë pengoheshin nga Garda dhe rrethi i ngushtë i oficerëve të Berishës, edhe pse një oponencë brenda PD-së në atë kohë do ta zbuste disi zemërimin dhe frikën që ngjallte në opinion një pushtet aq i pakundërshtueshëm.

Në javën e parë të shkurtit, Azemi u detyrua t'i ndërpriste protestat, pasi Forumi për Demokraci, i sapoformuar në Tiranë, nisi protestat e veta kundër qeverisë. I vënë në pozicion të vështirë nga rezonanca me të majtën, Azemi u tërhoq dhe filloi të mbante qëndrime kritike ndaj Forumit dhe përfshirjes së opozitës në betejën për fajdetë. Këtu ishte i dënuar të mbetej i vetëm.

Shkurt 1997
Ndërkohë, në Tiranë kishte mbërritur Eduard Selami. i ikur një vit më parë nga Shqipëria, pas përjashtimit brutal nga kreu i Partisë Demokratike, shfaqja e tij në hotel Rogner ato ditë të fundit të shkurtit ishte një rifreskim i kujtesës së hidhur. Më kërkoi të flisnim më vete dhe paksa gjatë. Kërkesa e tij ishte e thjeshtë. Donte të takonte Sali Berishën, me çdo kusht. Kishte një mesazh për të. Ia premtova se do t'ia kërkoja me ngulm kërkesën e tij, por kisha pak shpresa se do ta priste. Kishte shumë ngjyra rikthimi i tij në ato çaste në Tiranë. Kishte ikur prej Berishës në ditët e plotpushtetshme të tij dhe po kthehej në ditët më të zeza të tij. Dukej si një mallkim për çfarë kishte ndodhur, kur mendoje se gjithë e gjithë ishte pak më shumë se një vit.
- A mund të më thuash diçka më konkrete apo diçka më të koduar për Berishën, që ta bind? - i thashë.
- E di ai kush më ka nisur. Një mik i tij i vjetër në Uashington, që edhe unë e kam shumë mik. Mos ia thuaj këtë të fundit, por ai më ka thënë se Berishës i ka ngelur ose të mbushë helikopterin plot me karburant për rrugë të gjatë, ose t'i bjerë shkurt e të më presë mua.
U përpoqa të përfytyroja Berishën sikur t'ia thosha këtë. Me siguri që biseda do të mbaronte për dy sekonda. Por nuk ishte vetëm Berisha që e keqkuptonte dhe e shikonte me konspiracion vizitën e Selamit. Edhe të sapolarguarit prej tij, po ashtu ishin dyshues. Në praninë time atij i dha dorën Dashamir Shehi dhe më pas Neritan Ceka, duke bërë kujdes që të shprehin një farë dyshimi për praninë e tij. Por i shqetësuari më i madh ishte Azem Hajdari. Për shkak të afërsisë me mua, nuk bëri fare kujdes ta fshihte zemërimin.
-Po ke ardhë me e ngjallë atë kufomën, e ke gabim, - i tha. - Ai do të të marrë me vete.
I qetë dhe shumë i shqetësuar nga keqkuptimet që po shkaktonte vizita e tij, Eduardi i siguroi se as kishte ndërmend që ta shpëtonte Berishën.
- Ka mbushur Aleksandër Meksi gjithë Tiranën që ke ardhur t'i zësh vendin, - tha Azemi. - Unë s'e dua fare atë, por ky kufoma nuk duhet ndihmuar, se ti i shton jetën.
Selami buzëqeshi gjithë mirëkuptim për mllefin e Azemit. Ishte i vetmi që kishte guxuar ta përcillte ditën që e zbuan nga partia. Ishte, si gjithmonë, mik i çdo kundërshtari të Berishës në PD dhe aleati i gjithkujt që ai e shpallte armik.

Korrik 1997
Sali Berisha po sodiste humbjen më të madhe që kishte njohur në historinë e tij politike dhe nuk kishte asnjë fuqi ta ndalte thellimin e saj në balotazh. Njerëzit e tij, që ishin shfaqur si më radikalët, po ia mbathnin një e nga një. Agim Shehu nuk ishte parë të nesërmen e mitingut të fundit. Ia kishte mbathur. Komandanti i Gardës, Xhahid Xhaferri, po ashtu ia kishte mbathur. Në mesditën e 1 korrikut, ministri i Brendshëm, Belul Çelo, ishte shoqëruar deri në Rinas nga truprojat e tij dhe ia kishte mbathur... Zëdhënësi i tij u përpoq ta minimizonte situatën më 2 korrik, kur tha se ministri kishte telefonuar dhe kishte thënë se ka marrë dy ditë leje. Kishte premtuar, sipas tij, se do të kthehej më 3 korrik, në mbrëmje. Nuk u kthye kurrë!
Azem Hajdari më thirri me urgjencë në Rogner. Ishte i vetmi që nuk ishte dorëzuar.

- E marr unë balotazhin, - tha. - Thuaji "Marshallit" të më dekretojë ministër të Brendshëm, në vend të këtij plehrës që iku.
-Nuk e bën, - i thashë. - Për më tepër që kam frikë se as nuk ia pranojnë.
- Ai ta bëjë një herë, mo burrë, se e di unë ç'bëj pastaj, - këmbënguli Azemi.
I dhashë fjalën se do t'ia përcillja dhe e bëra në njëfarë mënyre.
Ndryshe nga ç'e mendova, Berisha e priti me të qeshur.
- Mos ki merak, se do t'ua nxij jetën, - shpërtheu pastaj. - Se po bëjnë shumë karshillëk... po mirë që ma kujtove. Do t'u them: a do të rrini mirë, apo ta dekretoj Azem Hajdarin ministër?

Në fakt, deri këtu shkoi pranimi i kandidaturës së Azem Hajdarit. Ishte shansi i tij i fundit që të provonte qoftë edhe 15 ditë një portofol ministri. Ishte njeriu që kishte udhëhequr rrëzimin e komunizmit dhe kishte themeluar një parti që, për 8 vjet, e kishte persekutuar dhe përndjekur politikisht. Në ditët e fundit të saj formalisht në pushtet, sërish nuk ia rezervuan. U dëshpërua shumë. U ul në lulishte dhe porositi disa birra me radhë. Filloi të përdorë radiot që i mbante me shumicë me vete. U mor vesh që u dekretua formalisht ministër Ali Kazazi. U ngjall menjëherë. Mori Aliun në radio dhe i tha që në orën 23.00 të natës do të takoheshin në zyrën e ministrit të Brendshëm, se do ta prezantonte me strukturat. Nuk di çfarë i tha tamam Ali Kazazi, por pas bisedës, Azemi u ngjall disi.
- T'ua nxjerr frikën, - tha, - të shkoj aty t'ua tund njëherë dhëmbët atyre pisave që u dorëzuan kështu.
Dhe iku vërtet në orën 23.00 në atë godinë ku ëndërroi aq shumë që të hynte një herë si ministër, por që hynte gjithmonë brenda dyerve të saj me ndjesinë që ishte shumë herë më shumë se aq.

_________________

Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1304
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Mero Baze-libri "1997"

Mesazh nga Vizioner prej Thu Nov 11, 2010 3:05 pm

Baze: Në zyrën e Berishës në 26 maj 1996

Tatëpjeta e demokracisë shqiptare do të niste pas zgjedhjeve të 26 majit 1996, ditë që është skeduar si simboli i revanshit antidemokratik ndaj zgjedhjeve të lira në një vend pluralist. Partia Demokratike e presidentit të atëhershëm dhe kryeministrit të sotëm, do të bënte gjithçka antiligjore dhe antidemokratike për të fituar një mandat të dytë qeverisës, paçka se do të binte pas revoltave të dhunshme dhe anarkisë që pllakosi vendin, pas rënies së shtetit në mars 1997.

Dëshmia e gazetarit Mero Baze, vjen nga brenda. Ai është atë ditë aty, në strofkullën politike të presidentit Berisha, i cili komandon fijet e pushtetit për të rrëmbyer fitoren në zgjedhjet parlamentare.

Është njëra prej dëshmive të shumta që bëjnë autopsinë e rënies të pushtetit të presidentit autoritar, pjesë e librit të sapodalë në treg me titull "Viti 1997, prapaskenat e krizës që rrënuan shtetin".

Berisha është drejtuesi i maskaradës elektorale, e cila i del nga kontrolli, pas largimit të komisionerëve të opozitës së majtë nga zgjedhjet. Dhe pasi gjithçka rrëshqet në totalitarizëm, është vetë Berisha që sajon komplotin e madh të armiqve të brendshëm (socialistëve) dhe atyre të jashtëm amerikanë, grekë, vëzhguesit e ODIHR-it për t'ua faturuar, "fitoren" e shëmtuar prej nga nisi degradimi i shtetit.


Mero Baze

Duhej të intervistonim Sali Berishën direkt për emisionin e lajmeve të orës 20.30 te "Zëri i Amerikës". Redaksia nga Uashingtoni ishte në ankth, pasi deri në orën 20.10, linjat ndërkombëtare me Shqipërinë ishin të bllokuara. Një vend që thuajse kishte qenë jashtë vëmendjes së botës, atë pasdite, befas, tërhoqi gjithë vëmendjen me krisjen e fortë që po merrte një proces i shkatërruar zgjedhjesh. Për 10 minuta të ankthshme para emisionit, na u desh që nga dy telefona të transmetonim njëkohësisht të gjitha raportet për zhvillimet e pasdites. Elez Biberaj u lidh direkt me Berishën. Biseda i ngjante një dueli mes dy miqsh të zemëruar me njëri¬tjetrin, por që ende s'kishin shkëmbyer asnjë fjalë për shkakun e vërtetë të zemërimit.

Biberaj ishte një gazetar legjendë në Shqipëri, për shkak të rolit të tij kyç në përmbysjen e komunizmit dhe shpeshherë, pa ndonjë sforcim, ai ia lejonte vetes luksin që ta quanin edhe përkrahës të Sali Berishës. Por kjo tashmë nuk ishte më luks, por taksë. Në duart e pushtetit të dalë nga rrënojat e komunizmit po plagoseshin rëndë zgjedhjet dhe ky ishte atentati më i madh që mund t'i bëhej një shoqërie që përpiqej të mbijetonte në demokraci, por me kulturën e komunizmit në kokë.
Biberaj përpiqej të ishte i ashpër në pyetje dhe i qetë, ndërsa Berisha protokollar dhe nervoz. Herë-herë ngjante i egërsuar dhe kishte një vendosmëri të dyshimtë në fjalët e tij. Disa herë iu drejtua me "zoti Biberaj", çka do të thoshte se po bëhej nervoz nga pyetjet. Sidoqoftë, deklarata e tij ishte parimore. Dënonte bojkotin dhe u bënte thirrje komisionerëve socialistë të rrinin aty për të numëruar votat. Ishte një thirrje që, në ato çaste, nuk kishte më se kush ta dëgjonte. Shumica e komisionerëve kishin braktisur komisionet dhe në qendrat e votimit kishte filluar anarkia.


Pasi përfundoi biseda e Biberajt me Berishën, pasuan tri raporte të tjera dhe në fund m'u desh të lidhesha përsëri direkt për të plotësuar një dyminutësh. Ishte një lidhje nervoze. Ndihesha i rraskapitur dhe plot pikëpyetje për atë që po ndodhte. Nuk është se nuk e besoja faktin që socialistët ikën për t'ia lënë zgjedhjet si kopilin në derë Berishës. Besoja, po ashtu, se PD-ja mund t'i fitonte ngushtë këto zgjedhje. Skenat e ditës së votimit dhe mënyra se si kishte nisur të degradonte situata, ishin vrastare. Makthi disamujor, që kish nisur të shfaqej para fushatës dhe gjatë saj e që çoi në pastrimin e fushës nga kundërshtarët realë dhe në bllokimin edhe fizik të fushatës, tashmë po prodhonte frytet e veta. Shihej qartë se rrënojat e asaj që po ndodhte para .syve tanë do të mbeteshin shumë kohë pa u pastruar në politikën shqiptare.

Zgjedhjet po prisheshin si një ndërtesë pa leje, ku askush nuk merr përsipër ta pastrojë territorin, por vetëm të shembë ndërtesën. Berisha kishte muaj që e kishte vizatuar armikun te njerëzit rrotull tij. Në atë vizatim kishte përdorur detaje realiste dhe fakte të pamohueshme, kombinuar me artifica dhe paranoja që ngjiznin idenë e një komploti thuajse ndërkombëtar. Ai fliste për një komplot që e drejtonte Fatos Nanoja që nga burgu dhe që ishte rekomanduar nga Nikolas Gejxhi, një shkrimtar tejet i njohur në SHBA dhe veprimtar i qarqeve nacionaliste greke, që çmohej sidomos për luftën e tij kundër Berishës. Vetë Gejxhi bënte kujdes që anti-Berishë të shfaqej vetëm kur ishte mes grekëve, ndërsa në publik bënte kujdes të ishte një shkrimtar i talentuar dhe plot fantazi për Epirin dhe Greqinë, një vend që vazhdon t'i çudisë amerikanët me aftësinë për të prodhuar më shumë "histori për frymë" se të ardhura për frymë.

Pasi mbaroi emisioni, u lidha në telefon me Berishën, që ta pyesja për gjendjen.
- Eja lart, - më tha. - Jam me Gencin. Eja njëherë ta diskutojmë.
Në atë kohë ai rrinte në vilën nr. 4, që ishte në krah të Pallatit të Brigadave, një vilë modeste, që kishte një dhomë dite të bollshme e që ishte gjithmonë e mbushur me gazeta, libra dhe shkresa sipër njëra-tjetrës,
që mund t'i identifikonte vetëm Sali Berisha me sistemin e tij të kontrollit mbi rrëmujën. Ishte një nga aftësitë e tij të veçanta të orientohej mes kaosit që prodhonte vetë, i cili i shërbente njëkohësisht si një pengesë, si një mur ndarës, që askush të mos përfshihej në kaosin e tij.
E gjeta teksa rrinte thuajse pa folur me Genc Pollon. Ky i fundit po rrinte në lidhje të vazhdueshme me Përmetin, në fund të dhomës së ditës, ku ishte telefoni. Fliste vazhdimisht dhe kërkonte gjithmonë një njeri me emrin Dashi.
Fliste dhe herë pas here qeshte me vete. Interesohej për detaje dhe kuti të ardhura nga fshatrat. Ishte ora rreth 21.30, kur ai uli telefonin, buzëqeshi me ndrojtje dhe shqiptoi se kishte fituar në Përmet.

Berisha, që ndërkaq po fliste me mua për gjëra krejt pa rëndësi, rrudhi vetullat.
Ashtu? - ia ktheu sakaq. - Ëhë..! - shtoi pastaj, sikur deshi t'i thoshte "futja kot".
Ishte një nga ato shprehjet e. pavullnetshme, kur ai ngelet bosh dhe nuk e gjen fjalën e duhur për të shprehur mosmiratimin për diçka.
- Në fakt, u thashë të mos e japin në televizion, se në orën 22.00 mbyllen votimet, - tha Polloja, në përpjekje për t'iu përshtatur mosmiratimit të dukshëm të shefit të tij.
E ku i numëruan ata? - e pyeti Berisha.
Po në Përmet janë mbyllur shpejt, se njerëzit atje votojnë herët dhe ata i kanë hapur kutitë. Ka pasur edhe socialistë. Pastaj, pak vetë e kanë marrë vesh nga socialistët në bazë që janë bojkotuar zgjedhjet. Në shumë fshatra s'e kanë marrë vesh fare.
- Me kë fole ti? - e pyeti sërish Berisha.
- Me atë që është te komisioni...
Berisha mblodhi buzët sërish, tundi kokën në shenjë mosmiratimi dhe u përpoq të vazhdonte bisedën me mua. Ishte aq instinktive kjo, sa harroi ku e lamë bisedën dhe mua m'u desh t'i kujtoja se po flisnim për vëzhguesit ndërkombëtarë.
- Ah, po... mirë, shiko, unë fola me këta të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe ata janë të kënaqur. "Ka pasur zgjedhje korrekte", më thanë dhe e kanë dënuar bojkotin. Shiko, kanë shumë rëndësi ata... ë? Se ata të ODIHR-it janë ca marksistë të fëlliqur, që i kanë sjellë këtu për me i prishë zgjedhjet.

Polloja, që me sa dukej kishte qenë furnizuesi kryesor me materiale të tilla, vazhdonte të rrinte në fund të dhomës dhe po i ndiqte me indiferentizëm ato që ne po bisedonim, por edhe i gatshëm të merrte pjesë në bisedë.
U vendos një heshtje e sikletshme.
- Nuk e di... ai thotë se mund të shkojë edhe në balotazh... - e theu heshtjen Polloja.
Tonet fillestare, gjysmë entuziaste dhe gjysmë cinike, ndërkaq kishin rënë, por sidoqoftë ndihej i gëzuar.
- Urdhëro? - ia ktheu Berisha, që u duk se u shkund papritur nga pauza që u vendos pas ngecjes së bisedës për vëzhguesit e huaj.
- Me kë fole? - e pyeta unë me zë më të ulët Pollon, për ta lehtësuar me këtë rast edhe kuptimin e fjalës "urdhëro", që Berisha e kishte instinktive, kur nuk donte të dëgjonte atë që dëgjonte.
Ndonëse Polloja ia dinte mirë këtë zakon, u kap në befasi.
- Me sekretarin e Bertit fola, me Dashin, - u përgjigj. - Vetëm ai ka telefon direkt te Turizmi.
Ndërkaq, në zyrën e Sali Berishës, ditën që zgjedhjet po kurorëzoheshin, Genci po ma kujtonte se kush ishte Dashi. Dhe mua m'u kujtua "pashallëku" i vogël që ata kishin krijuar në Përmet. M'u kujtua flokëgjati, sherret, dhuna. M'u kujtua Berti, që komandonte gjithçka, si dhe kryetari i PD-së, por edhe një shef komisariati nga Kuçova, që mbante flamurin e PD në makinë... Për një çast mendova se vërtet ata mund të kishin ndihmuar për një fitore thuajse të dhunshme.

Në heshtjen që pasoi mes fjalive të shkëputura të Pollos për fitoren e pritshme në Përmet dhe hezitimeve të Berishës për ta vazhduar atë bisedë që nuk donte ta dëgjonte, pulti i televizorit të tij rikthehej gjithmonë te TVSh-ja. Dy "yjet" e emisionit të lajmeve, Reiz Çiçoja dhe Vjollca Vokshi, ishin si në ekstazë. Vjollca shpalli fitoren në Skrapar. Ajo tha se sapo kishte pasur një telefonatë nga deputeti i PD-së në Skrapar dhe se ai konfirmonte fitoren e PD-së në bastionin "e kuq".

Berisha u përmend.
- Në Skrapar? - Mori në dorë telefonin. - Ore zotëri, ç'është ky Skrapar që jepni në televizion? S'kanë mbaruar zgjedhjet akoma. Ç'i keni këto? Nuk fiton PD-ja në Skrapar... Urdhëro? Jo, jo, nuk fiton... jo, shikojeni mirë, mos bëni marrëzi këtu.
E mbylli celularin me nervozizëm.
Duhej të ishte dikush nga TVSH-ja. Ai institucion ishte kthyer papritur në supershtet. Caktonte mandate, hiqte mandate, shpallte rezultate dhe të gjitha pastaj certifikoheshin ashtu siç shqiptoheshin aty.

Biseda ngeci përsëri. Berisha lëvizi me pult disa stacione dhe dëgjonte me nervozizëm. Ilir Meta, i alarmuar ndërkohë, kishte filluar të çonte mesazhe që të mos i prekej mandati. Më ra disa herë telefoni dhe më duhej të dilja jashtë për t'u përgjigjur. Artur Kopani, një reporter i gazetës Albania, që mbante lidhjet me Ilir Metën, ma konfirmoi i shqetësuar këtë gjë. Thashë të mos bëhej merak se gjithçka ishte në rregull.

Kur u futa sërish në dhomë, heshtja vazhdonte. Berisha ngriti kokën se mos kisha ndonjë lajm, por unë e mbylla me një "asgjë".
Ilir Meta është shqetësuar, - i thashë pastaj.
Ashtu? Normale që do të shqetësohet. Këta janë të papërmbajtur... domethënë... hëm! - Shfryu dhe nëpër dhëmbë përmendi emrin e Kudret Çelës, kandidat i PD-së në Skrapar. Pastaj, për inerci, u kthye nga Polloja: - Genc, ti nuk ke fituar në Përmet! Nuk besoj... pyet edhe një herë!
Ishte një fjali krejt e papritur dhe e ftohtë.
Ja, të pyes, - tha Genci dhe u ngrit e shkoi përsëri tek telefoni. Përsëri ai Dashi dhe pas pak, Genci erdhi më i skuqur.
Në balotazh, më duket, - tha. - Akoma nuk kanë ardhur disa zona. - U bënë shumë fitore, - i thashë Gencit.
Nuk ka ndonjë gjë. Kur je mbi 50 për qind, ç'bëri 51 për qind, ç'bëri 90 për qind, shumicë je. Nuk prish ndonjë punë.

Ishte një fjali që e bënte të panevojshme zgjatjen e bisedës. E tha me qetësi dhe ishte një përpjekje për të më treguar se ai nuk mund të hynte te pjesa që duhej të sakrifikohej. Për të, mbetja jashtë Kuvendit nënkuptonte fundin e karrierës. Ai vuante nga një paranojë se Berisha e kishte çuar në Përmet për ta hequr qafe. Në fakt, nga kjo paranojë vuante thuajse gjithë pjesa e PD-së që konsiderohej e "largët" me Berishën. Duke qenë shumica jugorë, ata ishin kandiduar në zonat e Jugut, ku PD-ja ishte pakicë. Ata e kishin konsideruar këtë si një përpjekje të Berishës për t'i nxjerrë jashtë loje. Megjithëse Berisha, për t'i përkëdhelur në sedër, kishte deklaruar se "në zonat më të vështira do të çoj më të mirët", sërish ata ishin xhindosur më shumë. Agron Musaraj, ministri i Brendshëm, që dukej se kishte distancë nga Berisha, e shprehte hapur këtë në Berat dhe pikërisht në emër të kësaj mërie të heshtur, bëri sa më pak kujdes që ta fshihte manipulimin.

Më vonë, ky ishte një arsyetim i Berishës në rrethe të ngushta, që e fajësonte këtë grup për prishjen e zgjedhjeve në shenjë hakmarrjeje. Por ky argument ishte i dobët, sepse ky grup e drejtonte gishtin mbi dyshen Shehu-Gazidede, që komandonin struktura të paidentifikuara civile ditën e zgjedhjeve, sidomos paradite, që kanosnin dhe bënin presion.

Ra telefoni dhe Berisha përshëndeti në anglisht. Ishte një bisedë miqësore dhe njëkohësisht shumë shpjeguese për situatën. Po fliste me Qemal Dervishin, nëndrejtorin e Bankës Botërore, një mikun e tij të vjetër me origjinë të largët nga oxhaku i Konicës dhe Ali Pashë Tepelenës. Përpiqej të ishte entuziast, por ndihej një tronditje që i përshkonte tejpërtej emocionet e bisedës. Puna sillej përsëri te bojkoti i opozitës. Këtu Berisha ishte pak skematik në shpjegim. Ishte i detyruar të kishte si argument kryesor mospajtimin e tyre me humbjen dhe braktisjen e fushës së betejës.

Më pas, një telefonatë tjetër. Dhe kjo në anglisht fillimisht, pastaj në shqip. Dukej se ishte një shqiptaro-amerikan. Por nuk e pyeta se kush. Dy telefonatat e kishin sjellë pak në humor. Biseda u hap përsëri dhe ai e pyeti Pollon:
- Hë, ç'ka ndonjë lajm?
- Asgjë, - tha Genci, i cili mendoi se e pyeti për Përmetin. - Ata thonë balotazh.
Kush thotë balotazh?
Ata në Përmet.
Ëhë... jo, unë pyeta për ndonjë gjë tjetër.
- Jo, asgjë.
Ra sërish zilja e telefonit.

- Ashtu? E po, mirë atëherë. Po, po, do të vij. Menjëherë. Ja, u nisa. -- Ndërkaq, u kthye nga ne të dy: - Është Tritan Shehu... Janë mbledhur njerëzit te partia dhe duhet të shkoj. Atje po festohet. Ne më duket se kemi humbur lidhjet me njerëzit. Ata e projektojnë këtë si një fitore të madhe, kurse ne rrimë e nxijmë këtu...
U ngritëm. Genci u përpoq sërish të pyeste, këtë herë me celular, nëse kishte dalë rezultati, por Berisha, që ndërkaq kishte ardhur paksa në formë, ia preu:
- Lëre, Genc, se ai rezultat nuk del sot... nesër del.

-vijon-

_________________

Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1304
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Mero Baze-libri "1997"

Mesazh nga Vizioner prej Thu Nov 11, 2010 3:13 pm

Rreshtat e meposhtem, jane nje deshmi e rendesishme per të rikonfirmuar çfare ka nen lekuren e personazhit qe sot eshte Kryeminister dhe qe ka dominuar skenen politike te ketyre viteve; kete skene oklokratesh te mbushur me burra te vegjel e te ndotur, qe hyjne e dalin, me damken e hajdutit te pandeshkuar ne shpine.

Mëdyshjet e Berishës mes Greqisë e Serbisë


-Nga Mero Baze-

Ndërsa po udhëtoja nga Vlora për në Tiranë, pas intervistës me ish-Presidentin Xhorxh Bush, në Fier takova dy drejtuesit e gazetës RD, që po ktheheshin nga Greqia. Lazër Stani më tregoi se kishte qenë në një hotel me tre liderët e opozitës në Athinë. Ishte takuar me Janis Repasin, zëdhënësin e qeverisë greke. Më bëri përshtypje fakti që Repasi kishte theksuar se "Greqia dëshiron që kjo gjendje stabiliteti dhe qetësie të vazhdojë, pasi është në dobi të rajonit të Ballkanit". Argument kryesor në favor të qeverisjes së administratës së Partisë Demokratike ishin, në të vërtetë, rendi dhe qetësia. Vlora ishte në atë kohë qyteti ku mund të pushonte një president amerikan. Disa muaj më vonë, u pa se zëdhënësi i qeverisë greke kishte goditur në shenjë, kur kishte "uruar" me cinizëm që kjo qetësi dhe ky stabilitet të vazhdonte në Shqipëri. Në Vlorë, një vit më pas, nuk jetonin dot më as banorët e saj.
Por përshtypja që kishte lënë zëdhënësi grek te njerëzit e shtypit të PD-së ishte e mirë dhe ata mendonin se, me pak punë, Berisha mund t'i përmirësonte raportet me Greqinë. Gjatë fushatës elektorale të 26 majit, ai bëri kujdes që këto marrëdhënie t'i vlerësonte si pozitive. Alfred Serreqi, si ministër i Jashtëm, kishte vizituar Greqinë në mes të fushatës dhe kishte marë premtime për legalizimin e emigrantëve shqiptarë. Në prill ishte nënshkruar Traktati i Miqësisë mes dy vendeve dhe qenia e Teodor Pangallosit si ministër i Jashtëm e kishte zbutur ndjeshëm situatën. Berisha përpiqej të bënte ndarje të fortë mes lobit grek në SHBA dhe qeverisë greke, që sipas tij ishte aleatë me Berishën. Askush nuk e kuptonte dot sa ujë kishte rrjedhur poshtë karriges së pushtetit të Berishës, derisa turbullira u shfaq hapur. Një natë më pas, kur Berishës po i komentoja përshtypjet e drejtuesve të RD-se nga takimi me Repasin, ai u bë i heshtur.


- Nuk e di, s'i kuptoj këta greket, - tha. - Këta duhet të jenë idiotë. Këta nuk e kuptojnë që është hera e parë që ky vend u ofron miqësi atyre. Unë u kam ofruar miqësi. Ndryshe, ky vend e ka pasur gjithmonë hapur derën në Beograd. Nuk e kuptojnë këta që ne, po të duam, një telefonatë larg e kemi Beogradin....
Ishte një shfrim i rrjedhshëm, pa asnjë pengesë logjike në tentativën për të përzier analizën historike me nevojën për të ruajtur pushtetin. Mua më ra si bombë ideja qe ne e paskëshim shumë të lehtë miqësinë me Serbinë. I lindur dhe rritur në Jug, me një distancë edhe kulturore për ish-Jugosllavinë, por shumë i lidhur emocionalisht me Kosovën, papritur, m'u duk vetja i pagdhendur për këto punë. Berisha ndoshta e kapi hutimin tim dhe vazhdoi:
- Po, kështu është, domethënë, s'e kuptoj këtë injorancën e tyre. Po këmbëngulin pafund për luftë mes nesh. Mos shiko ti se kush është tani në Beograd, por i sigurt të jesh ti që ata e dinë që ne atje e kemi pas gjithmonë një ofertë gati. Ne... domethënë Shqipëria... nuk e kam fjalën konkretisht ne si qeveri...
Ishte një përpjekje e shpejtë, por e qetë, për të ma larguar idenë se edhe ai vetë e kishte një ofertë gati në Beograd. Një shpjegim i rrëmujshëm, mes shfajësimit për keqkuptimin e mundshëm dhe një të vërtetë historike që në Veri të Shqiperise nuk ishte aq e panjohur dhe e largët sa në Jug. Aleancat e Zogut dhe qeveritë provizore rebele të mirditorëve që nuk pajtoheshin me krerët e shtetit të ri shqiptar, e kishin zbuar këtë paragjykim që, per mua, ishte një tabu. Berisha ndërroi bisedë, por hutimi im, i ngecur me sa dukej në shpërqëndrimin e mëtejshëm të bisedës, na riktheu sërish tek ish-Jugosllavia dhe Greqia, si dy fqinje me shanse të ndryshme për miqësi me Shqipërinë. Shihej qartë që, nëse në Beograd nuk do të kishte qenë Milosheviçi dhe nuk do të ndodhte ajo që kishte ndodhur, pra nëse ne do t'i fillonim proceset demokratike kur në Beograd të kishte pasur një qeveri më liberale, orientimi ynë do to kishte qenë Beogradi. Kur e mendoja ftohtë herë pas here këtë, s'më dukej dhe aq shokuese sa ç'mu duk në atë cast që e dëgjova nga Sali Berisha. I pamësuar të jetoja me idenë se kemi fqinjë Serbinë apo Malin e Zi, madje i ndodhur dhe shumë larg kulturës së tyre politike, më dukej si sforcim. Por sërish, kur e ripërtypja, kur mendoja për raportet e politikanëve kosovarë me Beogradin, raportet e politikës shqiptarë deri në vitin 1948 dhe kur, një çast, mendoja se Sali Berisha ishte ndoshta politikani që e njihte më mirë Serbinë dhe Kosovën, e justifikoja për atë që tha. Pastaj turbullohesha sërish kur më shfaqej fantazma e martesës së tij me një grua me origjinë serbe, si dhe disa shkrime te egra, botuar në shtypin e Kosovës për lidhje të familjes së saj serbe me krerë të UDB-së. Dilemat për këtë lidhje gjenealogjike, që zgjonte ndjesi të panjohura tek unë, me shtynë një dite që të pyesja vetë Liri Berishën për origjinën e nënës së saj serbe, një grua që ka jetuar me dinjitet, për aq sa të lejonte diktatura, si "grua jugosllave" në Tiranë. Ishte e pabesueshme, por në fund të shpjegimit të saj, unë isha më i paqartë se në fillim. Nuk më tha asnjë fjali të qartë, përveç faktit që nëna e saj ishte një jetime nga Vojvodina, që nuk kishte fis dhe që u martua me babanë e saj, Rexhepin, i cili ishte me origjinë nga Vuthaj, një fshat shqiptar, tashmë nën territorin e Malit të Zi. Martesa ishte bërë në vitet kur Shqipëria me JugosIlavine ishin në "muajin e mjaltit". Akuzat që i bëheshin Liri Berishës lidheshin me faktin se motra e nënës së saj (d.m.th. tezja e saj) në Beograd kishte qenë pjesë e OZNA-s, ndërsa djali i tezes së saj u bë më pas një njeri i afërt i Milosheviçit. Gjithçka ishte mes spekulimit dhe së vërtetës. Përkundër kësaj, nëna e Liri Berishës, si shumë gra të huaja të martuara me burra shqiptarë gjatë komunizmit, ishte një grua që vuajti pasojat e kësaj martese. Asaj iu desh të dëshmonte në gjyqet e organizuara ndaj shoqeve të saj, duke bërë ç'të mundte që të mos e lëndonte të ardhmen e tyre.

Lidhja e tij e fortë me gruan e vet ishte dimensioni më i padukshëm në publik. Hija e fortë e pushtetit të saj mbi të nuk hetohej, po të mos e njihje nga afër. Për shumë shqiptarë, edhe në ditët më të zeza të Berishes, ajo ishte një ëngjëll. Vetëm në ditët e para të trazirave në Vlorë u hodhën parulla kundër saj. Ishte ndoshta një instinkt i njerëzve të revoltuar ndaj dy grave që dukej se përfaqësonin pushtetin e tij: Vjollca Vokshit dhe Lirisë. Askush tjetër në Shqiperi nuk i ka hetuar dot shenjat e pafuqisë së tij të madhe para një gruaje. Vetëm një shoqëri mashkullore, siç besohet që është Vlora, e ka gjithmonë të ngritur çarkun e dyshimit në këtë pikë. Në të vërtetë, ajo ka pasur dhe ka pushtetin real mbi njeriun që nxiton të gllabërojë çdo pushtet. Dhe nuk di ta shpjegoj nëse mania e tij për superpushtet është një lloj kompensimi nga oksigjeni i rralluar i pushtetit prej pranisë së saj. Është një raport që meriton një vështrim të thellë, që të depërtojë përtej çasteve personale, komplekseve të tij ndaj jetës së qytetit, kuriozitetit për origjinën e saj dhe, mbi të gjitha, sigurinë që i ka dhënë ajo si një grua që e mbronte nga çdo ekspozim i pafuqisë së tij para syve të të tjerëve.
Vonë, shumë vite më vonë, kur raportet e Berishës me Greqinë filluan të shkëlqenin dhe ai bëri lëshime për fqinjin tonë jugor më shumë se ç'do të kishte bërë Nikolas Gejxhi, po ta bënim kryeministër të vendit, e kuptova qartë se mëdyshjet e mia për raportet e tij me serbët ishin një flluskë sapuni. Nuk kishte në to asgjë nostalgjike apo historike. Ato ishin thjesht një mundësi pushteti. I lodhur nga lufta me Greqinë dhe shkuarja drejt greminës prej kësaj lufte, ai sillte në mendje aleanca të tilla dhe atë shprehjen që më tronditi gjatë: "Këta grekët qenkan idiotë, nuk e dinë këta që ne Beogradin e kemi gati...". Ishte një shfrim në çastet e tij të vështira, kur ai nxitonte të sillte në mendje gjithçka që ne të tjerëve na dukej e pamundur: serbët, islamikët dhe, pse jo, uniformat ushtarake.
Dhe në këtë përpëlitjeje për aleanca, duket se lufta e Bosnjes dhe angazhimi i tij krah Izetbegoviçit, të cilit i dhuroi avionë pa fund me armë që niseshin nga aeroporti i Gjadrit në Lezhë, luajtën një rol të rëndësishëm. Njerëzit kyç me të cilët ai i ndërtoi këto raporte janë ende sot protagonistë të mafies ballkanike të armëve dhe krahut financiar të Al Qaeda-s në Ballkan, një përzierje nga më të rrezikshmet, që përfshin në mënyrë të çuditshme brenda saj boshnjakë myslimane, serbo-boshnjakë, sudanezë, libanezë, zviceranë. Dhe e vetmja lidhje në pushtet e tyre është ende kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili nuk ka neglizhuar askënd prej tyre. Historitë e vrullshme të tregtive të armëve pas vitit 2005 ringjallën pikërisht këto lidhje dhe këta emra, e lulëzuan industrinë e trafikut të armëve, fishekëve dhe raketave nga Shqiperia me Serbinë, Bosnjën dhe Malin e Zi, drejt botës arabe, kryesisht drejt hezbollahëve dhe Iranit. Në qarkullim janë të njëjtit njerëz nga mafia ish-jugosllave, të njëjtat lidhje, që zënë fill nga krahu islamik i kabinetit të presidentit të ndjerë boshnjak Izetbegoviç, si dhe të njëjtit njerëz që u angazhuan nga kjo botë në procesin e rikthimit të tij në pushtet.

Ishin ky treg që i nxiti familjaret e Berishës të përfshiheshin në projektin ogurzi të demontimit të armëve në Gërdec, që nuk do të kishte dalë kurrë në dritë si një histori e pistë biznesi, sikur "aksidenti teknologjik" të mos na verbonte sytë të gjithëve me trupat e pajetë të 26 vetëve, mes të cilëve gra, fëmijë dhe qindra shtëpi të shkatërruara.

Të gjitha hamendjet se Berisha ishte një nacionalist që e çoi vendin drejt shkatërrimit në vitin 1997, rezultuan false. Rikthimi i tij në pushtet provoi se ai është politikani që ka vendosur raporte tërësisht vëllazërore me qarqet më nacionaliste greke dhe që ka instaluar në Shqipëri bizneset më të fuqishme të ish-mafies jugosllave, që kanë qenë pararojat e nacionalizmave sllave në Ballkan. Në këtë pikë Berishën mund ta quajmë më shumë një aleat të madh të nacionalistëve fqinjë, se sa një nacionalist shqiptar. Interesi i tij i vetëm është pushteti në Tiranë dhe për këtë ai është i gatshëm të tërheqë në vallen e interesave të veta gjithkënd që i rrezikon qoftë edhe pak fare pushtetin e vet.

-vijon-

p.s. A nuk mjaftojne keto FAKTE, te cilat une i kam theksuar me ngjyre te zeze, per ta cuar kete njeri perpara Drejtesise????!!!!!


_________________

Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1304
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Mero Baze-libri "1997"

Mesazh nga Sponsored content Today at 2:51 am


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi