Forumi Evolucion

Korrik 1990: Ambasadat

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Korrik 1990: Ambasadat

Mesazh nga Vizioner prej Thu Jul 01, 2010 12:46 pm

Më 2 korrik 1990 u hapën një sërë ambasadash të huaja në Tiranë e mijëra qytetarë vërshuan në to. Kjo ngjarje historike dha edhe sinjalin e rënies së regjimit komunist dhe të ndryshimeve demokratike në këtë vend.



-Ambasada gjermane, korrik 1990-

_________________

Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1304
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Korrik 1990: Ambasadat

Mesazh nga Vizioner prej Thu Jul 01, 2010 12:58 pm

Ramiz Alia: Si u hapën ambasadat

Si e përjetoi ish-Presidenti i fundit komunist i Shqipërisë, Ramiz Alia këtë ngjarje dhe si e vlerëson ai tani rrugën që ndoqi kjo udhëheqje për gati 50 vjet?


Zoti Alia, 20 vjet më parë, në Tiranë, mijëra qytetarë vërshuan në ambasada në shenjë të kundërshtimit të hapur ndaj diktatures komuniste. Si e përjetuat ju atë ngjarje historike?
2 korriku, futja e 5 mijë vetëve në ambasadat e huaja është një ngjarje që padyshim ka lënë vragë në jetën politike të vendit. Ngjarja e 2 korrikut ishte një paralajmërim, që situata në vendin tonë po acarohej. Natyrisht kjo qe një gjë e papritur për neve, ajo dyndje masive e njerëzve. Edhe shqetësim ngjalli. Problemi ishte që ajo duhej kapërcyer me qetësi. Në mënyrë që të mos ndodhte asnjë konflikt me masën e njerëzve, që të çonte në përdorimin e forcës. Ky ishte dhe shqetësimi kryesor ato ditë. Prandaj ne u morëm vesh në atë kohë me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Peres de Kuilar, i cili dërgoi një person të ngarkuar zyrtar të tij, që u mor vesh me ambasadat e huaja për të hyrë ato në marrëdhënie me qeverinë. Pra me ndërhyrjen e zotit de Kular u bë e mundur që ambasadat e ndryshme të na dorëzonin emrat e të gjithë shqiptarëve, që kishin hyrë nëpër ambasadat e huaja dhe qeveria jonë përgatiti pasaporta për të gjithë, të gjithë u pajisën me pasaporta shqiptare në mënyrë që largimi i tyre, i cili u bë në mënyrë të organizuar, të ishte jo më si refugjatë ilegalë, por si njerëz me pasaporta dhe ata shkuan në vendet ku ata dëshironin. Në këtë mënyrë mori fund si të thuash ajo etapë. Por kjo nuk do të thotë që situata në Shqipëri nga ky moment ndryshoi në kuptimin as pozitiv, as negativ.


Zoti Alia, ndërkohë rënia e Murit të Berlinit, vetëm një vit para ngjarjes së ambasadave ne Tirane, kishte ngjallur shpresa të mëdha edhe në Shqipëri. A e kuptuat ju se rënia e atij Muri ishte një sinjal i qartë që edhe socializmit shqiptar po i vinte fundi?
Këtë ide që të hiqnim dorë nga socializmi, nuk e kishim. Rënia e Murit të Berlinit, ose më mirë përmbysja e sistemit komunist në të gjitha vendet e Europës Lindore dhe në Bashkimin Sovjetik krijoi edhe tek ne një shqetësim, flas për udhëheqjen tonë. Unë në atë kohë padyshim mendova që duheshin bërë ndryshime në vend. Dhe ne filluam të marrim disa masa për një demokratizim të mëtejshëm të jetës së vendit tonë. Pra duke hequr dorë nga disa dogma edhe nga fusha e ekonomike dhe nga ajo politike si dhe nga disa vendime, që ishin marrë më përpara. Por e theksoj që të gjitha ato masa, që po mernim për demokratizimin e vendit nuk çonin në likuidimin e shtetit, në likuidimin e sistemit socialist. Midis masave të ndryshme vendosëm që në shtyp të linim mendimet e lira që të publikoheshin, te shfaqeshin mendime te ndryshme, ku pati në atë kohë artikuj të ndryshëm që dolën dhe nuk u morëm masa kundër këtyre njerëzve, përkundrazi pati diskutime mbi to. Natyrisht ishte një rrugë që ne kërkonim të kapërcehej kjo fazë, jo duke forcuar sistemin e diktaturës së proletariatit, por përkundrazi duke e dobësuar atë, duke hequr dorë nga ajo, por pa rrezikuar, pa hequr dorë nga socializmi.


Zoti Alia, komunizmi provoi të ishte një ideologji dhe sistem që dështoi. A mendoni se i hytë një rruge të gabuar?
Unë mendoj që nuk mund të konsiderohet e gabuar; sepse ne i hymë një rruge: ndërtimit të socializmit në vendin tonë.


Ajo që ju e quani ndërtimi i socializmit rezultoi në një politikë ekstreme e izolimit të Shqipërisë nga gjithë bota. Pse ju trembnin kontaktet me botën?
Pro izolimit ishte një zgjedhje e jona. Qysh në 48 jugosllavët kërkuan të vënë shtypjen mbi ne. Kërkuan që Shqipërinë ta shndërronin në republikë të shtatë të Jugosllavisë. Pra nuk iu mjaftonte Kosova, po donin edhe Shqipërinë ta fusnin në suazën e shtetit të tyre, të federatës së tyre jugosllave. Në vitet '60 filloi kontradita tjetër me rusët, e cila nuk ishte vetëm në plan ideologjik, por ishte në plan kombëtar. Ne mbronim lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, sepse Hrushovi u lidh me Titon dhe bashkëpunoi me Titon dhe i dha të drejtë Titos në synimet e tij ndaj Shqipërisë. Pra ne pamë një rrezik, që po i kërcënohej vendit tonë. Tashmë jo vetëm nga Tito, por edhe nga rusët. Dhe ky ishte edhe shkaku që u prishëm me të. Më vonë ndodhi që u prishëm edhe me Kinën, e cila kjo prishje erdhi sipas mendimit tim për fajin tonë. Nga Kina nuk patëm asnjë kërcënim, siç kishim nga jugosllavët apo rusët. Përkundrazi ne u treguam brutalë, sepse ne u zemëruam pse Kina po realizonte marrëdhëniet e saj me SHBA-në.


Por ju nuk e kishit kuptuar që nga izolimi me botën po mjerohej populli, vendi?
Këtë pyetje ma kanë bërë edhe të tjerët lidhur me izolimin. E vërtetë është që ne u izoluam, por edhe italianët, fqinjët tanë, çfarë bënë për ne shqiptarët, iu drejtova disa politkanëve italianë gjatë një takimi. Ne nuk e ndihmonim dot Shqipërinë, sepse e konsideronim Shqipërinë zonë të influencës sovjetike. Dhe nuk na e mbante. Izolimi nuk ishte faktor vetëm i joni. Ne kemi faj, por edhe të tjerët nuk bënë asgjë për të na dhënë dorën.


As Gjermania? Si është parë Gjermania federale gjatë kohës së diktaturës? Ju jeni dëshmitar i përpjekjeve tu saj për t'u afruar me Shqipërinë, kam parasysh këtu ardhjen e Shtrausit dhe të Gensherit?
Ardhja e Shtrausit në vitin 1984 sigurisht që ishte një eviniment me rëndësi për ne. Me rëndësi në dy aspekte, edhe në aspektin politik, sepse të vijë nga Gjermania një delegacion i atij niveli ishte një sinjal pozitiv për politikën shqiptare, por ishte me rëndësi edhe nga pikëpamja ekonomike. Sepse edhe në atë kohë mendonim që me Gjermaninë mund të kishin marrëdhënie të mira ekonomike. Gjë që do ta lehtësonte zhvillimin e vendit tonë në atë periudhë, që ishte shumë e vështirë për ne. Vitet '80 kanë qene më të vështirat në ekonominë shqiptare. Në vitin '84 ishte dhe më e keq. E pritëm mirë ardhjen e Shtrausit. Këtu duhet të sqaroj një gjë. Shtrausi nga ana e tij mbajti qëndrim shumë korrekt, si nga ana politike ashtu edhe ekonomike me Shqipërinë. Ne, natyrisht nisur edhe nga interesi jonë, i ngritëm Shtrausit çështjen e reparacioneve të luftës, të dëmshpërblimeve. Ju e dini që Shqipëria ka qenë totalisht e angazhuar në luftën kundër fashizmit. Edhe unë që po ju flas, që 15-16 vjeç kam qenë në LANÇ, dhe në atë kohë janë vrarë njerëz dhe janë shkatërruar rrugë, ura fshatra dhe nuk kemi pasur asnjë reparacion nga ana e Gjermanisë. Lufta ka qenë kundër fashizmit dhe ne kërkuam dëmshpërblime që është legjitime, por Gjermania edhe Shtrausi e kundërshtoi, jo pse kundërshtoi luftën tonë, përkundrazi ai ishte shumë dakord me luftën, por ai nisesh me faktin se me mbarimin e luftës, zonat sovjetike duhet t'i plotësonte Bashkimi Sovjetik. Ka qenë një marrëveshje mes tyre. Kjo bëri që të zgjasnin bisedimet me Shtrausin, sepse ne këmbëngulnim me arsyetimet tona. Më në fund Shtrausi i dha me duket 20 milionë marka falas qeverisë shqiptare dhe 20 milionë të tjera si kredi në fushën e industrisë, mjekësisë.


Zoti Alia, nga biseda me Shtrausin, a u fol edhe për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve? Cila palë ishte iniciatore, Shqipëria apo Gjermania?
Në atë kohë kur diskutuam ne e shtruam problemin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, dhe ai ishte dakord me këtë. Bisedimet me Shtrausin ndodhën në vitin 1984 dhe pasojat e saj kanë vazhduar më tej. Ka pasur një grup përfaqësuesish shqiptarë që kanë shkuar në Bon, në Vjenë deri në vitin 1987 kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike. Në këtë vit erdhi në vendin tonë Hans Ditrih Gensher, ish-ministri i jashtëm i Gjermanisë.
Unë e takova vetë personalisht. Çështja kryesore e bisedimeve me të ishte që Shqipëria duhet të futet në organizmat ndërkombëtare. Ai këshilloi që ne të futeshim ne KSBE, dhe unë menjeherë i thashë dakord. Fakt është që vitin tjetër, kur u mblodh KSBE -ja, ne dërguam ministrin e jashtëm Reis Malile dhe ne u pranuam si kandidat, sipas rregullit që ishte, dhe pastaj jemi futur përfundimisht. Pra me Gensherin kemi bërë hapin e parë për të dalë nga izolimi. Ky është një eveniment për ne, por edhe për mua personalisht në takimin me Gensherin.


Zoti Alia, pse e shndërruat socializmin, që u përpoqët të ndërtoni në Shqipëri, në një përndjekje të egër me ekzekutime dhe me krijim të armiqve imagjinarë, që rezultoi deri në vrasjen e shokëve tuaj të luftës?
Ka shumë faktorë të ndryshëm. Unë mendoj se edhe faktori i jashtëm luan rol. Pasi në fund të fundit, në vendin tonë hidheshin edhe diversantë. Ne jemi vend i vogël, një bandë diversantësh që vinte turbullonte fshatra të tërë. Por në radhë të parë, kjo e gjitha ka të bëjë me ideologjinë, me konceptin tonë ideologjik. Luftën e klasave ne e kishim, sepse derisa ne thonim që jemi për rrugën socialiste të zhvillimit, përjashtonim borgjezinë, përjashtonim të pasurit, agallarët, pronarët e mëdhenj, ndaj tyre bëhej luftë klase. Unë megjithatë nuk e justifikoj edhe pse bëhej nga rrethanat e vendit. Çfarë nuk justifikoj tjetër? Veçanërisht teprimet që kemi bërë me këtë luftë klasash, zgjatjen e saj. Sepse kjo mund të ishte e tillë në fillimet tona, por më pas mund të mos ishte kështu, mund të ishte ndryshe. Une nuk justifikoj luftën e brendshme, që kemi patur brënda gjirit tonë. Mos harro disa grupe që janë dënuar, pushkatuar apo internuar, për këto mendoj se ishte e tepërt. Nuk është në të mirë edhe të zhvillimit shoqëror. Këto kanë qenë dobësi, gabime tona. Mohimi i institucioneve fetare, ishte e tepruar. Janë bërë gabime. Një nga masat pas '90 ishte rivendosja e institucioneve fetare. Kjo nuk ishte bërë mirë dhe ne menjëherë i rikthyem hoxhallarët, priftërinjtë.


A duhen hapur dosjet e komunizmit? A duhet zbardhur e kaluara komuniste dhe të mësohet e vërteta?
Unë për dosjet nuk mendoj kurrë se duhen mbajtur mbyllur. Dosjet duhen mbajtur hapur dhe që e vërteta të dalë në shesh, por jam i rezervuar në qoftë se njerëzit nisen nga koncepti që të marrin hak. Kjo është e gabuar, nuk na duhet gjë të ringjallim hakmarrjen, grindjet, të cilat nuk kanë më vlerë. Megjithatë unë jam plotësisht dakord që ato dosje të hapen, të njihet kush kanë qenë njerëzit që kanë bashkëpunuar me organet e sigurimit.


Ju zoti Alia, e keni nisur procesin e demokratizimit të vendit me Sali Berishën; atëherë një mjek, intelektual, sot Kryeministër, me Fatos Nanon, edhe ai ish-kryeministër, dikur një intelektual, kur ju ishit President. Në këto 20 vite sa ka ndryshuar Shqipëria, kam parasysh këtu kontributin e këtyre dy liderëve, por edhe të të tjerëve si të Ilir Metës, Edi Ramës, Pandeli Majkos etj.?
Për sa i përket këtyre 20 vjetëve nuk ka dyshim që situata ka ndryshuar. Ajo ka ndryshuar në të tëra aspektet, si politike, kulturore, ekonomike. Por unë mendoj se Shqipëria akoma vuan, vuan pikërisht nga njollat e këtyre 20 vjetëve, të këqiat e këtyre 20 vjetëve. Lufta e klasave ekziston edhe sot. Grevë urie 200 vetë, mijëra të tjerë nëpër rrugë. Pra s'ka paqe, s'ka dialog. Këtë nuk e quaj normale në një shoqëri demokratike 20 vjeçare. Në këto 20 vjet populli ynë ka pasur protesta, pakënaqësi dhe kjo sjellje, ky qëndrim, më duket mjaft negativ për zhvillimin e vendit, imazhin dhe realitetin e Shqipërisë. Nga ana ekonomike Shqipëria ka rënë shumë. Tek ne kriza do të jetë më keq. Një situatë tepër e rëndë, nuk e uroj një situatë të tillë.


Edituar për herë të fundit nga Vizioner në Fri Jul 02, 2010 12:12 pm, edituar 1 herë gjithsej

_________________

Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1304
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Korrik 1990: Ambasadat

Mesazh nga Vizioner prej Fri Jul 02, 2010 11:56 am



Ish-ambasadori Gjerman: Shqipëria e vitit 1990

Werner Daum, ish-ambasadori "ad interim" i RFGJ-së (1987-1990) në Shqipëri rrëfen takimin e parë me komunizmin dhe diktaturën shqiptare:
Enver Hoxha ishte një nacionalist dhe sipas tij Shqipëria duhet të jetë Shqipëri dhe jo pjesë e ndonjë traktati si ai i Varshavës apo i Jugosllavisë.
Kështu nëse kthehemi më tej në kohë në vitet 1945-1946 Jugosllavia donte që Shqipëria të ishte shtet brenda Federatës Jugosllave. Këtu luante nacionalizmi një rol të rëndësishëm
Si u hap ambasada e RFGJ-së në Shqipëri dhe ngjarjet e korrikut 1990. Rënia e sistemit komunist, diktatura më e egër e Europës, përgjimet e Sigurimit të Shtetit, frika e njerëzve nga të huajt etj... Werner Daum, ish-ambasadori "ad interim" i RFGJ-së (1987-1990) në Shqipëri shpjegon gjithçka në një intervistë për Deutsche Welle-n.



Zoti Daum, Ju keni qenë i ngarkuari i parë ad interim i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipërinë komuniste. Cilat kanë qenë sfidat profesionale të një diplomati në një vend komunist?

Unë do të doja të filloja me kushtet jo politike, unë atëherë u njoftova brenda një afati shumë të shkurtër, mësova nga Zoti Gensher (ish-Ministër i Jashtëm) se ai kishte vendosur të më dërgonte mua si përfaqësuesin e parë të Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë. Në sfond dua të them se ne kishim marrëdhënie diplomatike me të gjitha vendet e Evropës.


Evropa sot ashtu si edhe atëherë është fusha kryesore diplomatike e politikës së fqinjësisë dhe vendi i vetëm, ku ne nuk ishim të përfaqësuar ishte Shqipëria. Kjo ishte arsyeja.


Ne donim ta tërhiqnim Shqipërinë në rrjetin e marrëdhënieve politike të ndërsjella, të përgjegjësive të ndërsjella dhe unë dua ta theksoj hapur të varësive të ndërsjella, duke e nxjerrë kështu Shqipërinë nga një izolim të zgjedhur pjesërisht vetë apo edhe të imponuar.


Genscher-i kishte të drejtë kur mendonte se zyrtarizimi i marrëdhënieve nxit informacionet dhe se njerëzve u krijohet kështu mundësia të afrohen me njëri- tjetrin dhe së fundmi kjo do të duhet të çojë në ndryshime politike edhe pse ne këtë të fundit nuk e thamë kaq shkoqur.


Dhe këtë ai ma tha mua. Kjo kishte të bënte me faktin se unë isha një diplomat jo tipik, i cili nuk kishte menduar për një karrierë ministeriale, por që kishte eksperiencë në detyra të vështira, në vende të vështira dhe që ishte përpjekur me forcat e veta të arrinte rezultate në terren pa pasur një ndihmë direkt nga qendra, për të ndërtuar një koncept politik apo financiar dhe së dyti unë kisha një bagazh intensiv kulturor, unë kisha shkruar disa libra dhe Genscher-i mendonte se ai që shkruan libra ka interes të angazhohet në një veprimtari të re.


Ishin këto dy argumentet e tij: aftësia ime praktike të shkoja diku dhe që isha në gjendje të ndërtoja diçka të re si dhe aftësia e prezantimit intelektual.


Si nisi puna Juaj në Shqipëri? A e njihnit Ju Shqipërinë, çfarë dinit Ju për Shqipërinë kur filluat detyrën Tuaj në Tiranë?

Unë pata më pak se një muaj kohë përpara se të filloja punën në Tiranë. Ditën e nesërme (pasi ministri i jashtëm më ngarkoi me këtë detyrë) unë fluturova për në Paris, ku bëra një kurs intensiv të gjuhës shqipe me një mësuese private dhe përpara se të nisesha për një udhëtim aventuresk për në Tiranë isha në gjendje të kuptoja shqip.


Në atë kohë nuk kishte fluturime direkt, madje dëshira ime ishte të qëndroja edhe një muaj në Gjermani përpara se të filloja detyrën e re, por më duhej të nisesha menjëherë pasi "konkurrenti politik", kryeministri i Landit të Bavarisë, Franz Josef Strauss kishte planifikuar një fluturim me avionin e tij për në Tiranë.


Qeveria federale sigurisht që donte që përfaqësuesi i saj të ishte në Tiranë dhe kjo së fundmi funksionoi. Për udhëtimin nga Boni në Tiranë m'u deshën tri ditë, pjesërisht me tren, pjesërisht me avion dhe një pjesë të mirë duke pritur në aeroportin e Beogradit.


Unë nuk dija asgjë për Shqipërinë, kisha dëgjuar për Enver Hoxhën, unë sigurisht e dija se ku ndodhej Shqipëria gjeografikisht, vetëkuptohet që unë kisha dëgjuar në shkollë për Skënderbeun, dhe kjo ishte e gjitha sa dija.


Në kursin 14 ditor të gjuhës që zhvillohej nga ora 9 e mëngjesit deri në 8 të darkës në Paris kam dëgjuar shumë mbi Shqipërinë, por është një gjë krejt tjetër nëse një vend dhe njerëzit i përjeton drejtpërdrejt, nëse e shikon horizontin me sytë e tu, krahasuar me atë që dëgjon nga larg apo lexon nëpër libra.


Kanë kaluar 20 vjet që kur Shqipëria është hapur dhe në këto 20 vite diskutohet dhe polemizohet vazhdimisht mbi atë se çfarë është biseduar dhe cilat tema janë prekur në negociatat mes diplomatëve gjermanë dhe përfaqësuesve të qeverisë e të partisë komuniste shqiptare përpara vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Gjermaninë?


A dini Ju më shumë rreth këtyre bisedimeve dhe temave të prekura në to?

Po, sigurisht që unë di disa gjëra, natyrisht që nuk ishin vetëm përfaqësues të partisë komuniste, por edhe përfaqësues të shtetit shqiptar, të qeverisë.


Nga përfaqësuesit e partisë komuniste ishte Sofokli Lazri, me të cilin mund të diskutohej, pasi pavarësisht bindjeve dhe qëndrimeve të tij politike, ai ishte një njeri inteligjent. Por nuk kam dijeni se cila është konkretisht polemika në Shqipëri, që unë mund të përgjigjem drejtpërdrejt.


A pati bisedime paraprake dhe u vendosën në vazhdim marrëdhëniet diplomatike gjë që ndodhi në vitin 1987?

Po marrëdhëniet u vendosën në vitin 1987 dhe u zyrtarizuan me nënshkrimin zyrtar dypalësh dhe pas kësaj unë u dërgova në Tiranë për të hapur ambasadën gjermane. Unë arrita në Tiranë vetëm pak orë përpara se të mbërrinte Franz-Josef Strauss-i nga Bavaria.


Unë shkova menjëherë në hotel Dajti dhe nga zyra e recepsionit atje nisa një faks, përmes të cilit e deklarova të hapur ambasadën gjermane në Tiranë, përgatita një etiketë kartoni, ku shënova tek dera e dhomës së hotelit "Ambasada e Republikës Federale Gjermane" dhe pastaj u dërgova nga pala shqiptare me makinë zyrtare të prisja Franz-Joseph-Strauss-in, kjo ishte dita ime e parë e punës në Tiranë.


Enver Hoxha është akuzuar si diktator i pamëshirshëm, por edhe si një udhëheqës i rrugëve të veçanta, kështu ai e ka drejtuar Shqipërinë në aleancat nga më të ndryshmet duke filluar me Jugosllavinë, pastaj me Bashkimin Sovjetik, më tej me Kinën, por ndonëse Shqipëria ishte vendi i parë që u shkëput nga Traktati i Varshavës ajo mbeti bastioni i fundit komunisto-stalinist në Evropë.Cilat mendoni se janë arsyet për këtë?


Unë mendoj se në këtë drejtim kanë ndikuar shumë faktorë: Enver Hoxha ishte një nacionalist dhe sipas tij Shqipëria duhet të jetë Shqipëri dhe jo pjesë e ndonjë traktati si ai i Varshavës apo i Jugosllavisë.


Kështu nëse kthehemi më tej në kohë në vitet 1945-1946 Jugosllavia donte që Shqipëria të ishte shtet brenda Federatës Jugosllave. Këtu luante nacionalizmi një rol të rëndësishëm. Ju e thatë me të drejtë se Enver Hoxha ishte diktator dhe sistemi i ngritur prej tij ishte një diktaturë e tmerrshme.


Duke filluar në vitet 50-të e kryesisht në vazhdim në vitet 60-të dhe 70-të të shekullit të kaluar kemi të bëjmë me një periudhë të rëndë, me diktaturën më të ashpër në Evropë, sidomos sa i përket shtypjes që iu bë fesë si asaj katolike, ortodokse greke dhe myslimane, kjo është një plagë e rëndë përjetshme në historinë e Shqipërisë, çka përgjegjësit e kanë arritur në mënyrë brutale.


Pra janë të gjithë këto faktorë të ndryshëm, që kanë si qëllim mbajtjen e pushtetit në duart e diktaturës dhe kjo ka luajtur një rol të rëndësishëm në zgjatjen e saj.


Zoti Daum si e keni përjetuar Shqipërinë në periudhën përpara korrikut 1990?

Do të doja të kthehesha prapa në kohë. Unë kisha tri vjet që isha në Shqipëri. Siç e thashë edhe më parë Genscher-i ma ofroi mua postin e ambasadorit në Tiranë, pasi unë në të kaluarën nuk isha një burokrat tipik, që preferon të udhëtojë me Mercedes dhe me shofer, por një njeri që lëviz më këmbë, që takon njerëzit dhe flet me ta për të mësuar se si mendojnë këta njerëz, që mëson gjuhën e vendit ku ndodhet.


Gjatë qëndrimit në Shqipëri unë më shumë e kam parë veten si ambasador i shqiptarëve tek qeveria ime, sesa anasjelltas. Unë gjatë qëndrimit tim në Shqipëri mundohesha të kuptoja se pse shqiptarët kanë një mentalitet tjetër nga i yni, çfarë shpresash dhe çfarë dëshirash kanë ata.


Për t'i mësuar këto njeriut i duhet një periudhë kohe, kjo nuk mund të bëhet me sot e me nesër, aq më tepër në një vend diktatorial, pasi edhe në periudhën e Ramiz Alisë Shqipëria ishte nën një diktaturë shumë të keqe, dhe mua më duhet ta pranoj se këtë unë nuk e kam kuptuar që në fillim. Më është dashur të paktën një vit për të kuptuar se Shqipëria ishte një diktaturë e vërtetë.


Pse nuk e konstatova unë këtë? Të gjithë personat zyrtarë dhe jo zyrtarë që unë takoja ishin të përzemërt, të hapur, simpatikë, miqësorë, që ndaj ironisë politike nuk reagonin me inat, siç ishte rasti në vende të tjera si Rusia, Çekosllovaki apo edhe në Rumani e Serbi. Përkundrazi ata reagonin me një buzëqeshje në fytyrë ndaj shakave politike madje përgjigjeshin me shaka politike.


Pra mentaliteti shqiptar bënte që një diplomat i huaj që fliste gjuhën e vendit të ngatërrohej në mendimet e tij. Së dyti aparati shtetëror ishte ekstrem eficient, policia e fshehtë ose sigurimi dinte çdo gjë, kontrollonte çdo gjë, nëse unë flisja me njerëz në rrugë ata thirreshin dhe merreshin në pyetje.


Unë nuk lejohesha t'i ftoja ata njerëz me të cilën do të dëshiroja të flisja, sepse çdo i ftuar duhet të merrte leje. Unë kam dhënë shumë pritje, dreka apo darka, një ose dy herë në javë në hotel Dajti dhe aty pihej shumë raki Përmeti.


Më vonë kam mësuar se për secilën nga këto pritje 6-7 vetë punësoheshin, që nëpërmjet aparateve përgjuese të instaluara në shtyllat e hotelit, që të çonin në bodrumet e hotelit, përgjonin çdo bisedë, e shkruanin dhe të nesërmen njoftonin ministrin e Brendshëm.


Pra nuk ishte e lehtë të kuptoje se çfarë ndodhte në vend. Unë e kam dashur Shqipërinë që në fillim, i kam dashur shumë shqiptarët, atë natyrë të mrekullueshme me male dhe det, pyjet.


Jam ndierë shumë mirë atje. Unë lejohesha të udhëtoja, unë isha përfaqësuesi i vetëm diplomatik i huaj, që lejohesha të udhëtoja gjithandej, pasi sillja me vete ato 40 milionë Marka në vit, dhe duhet të njihja vendin.


Unë mund të thoja se sot ose në një javë dua të shkoj në Alpe, pasi ndoshta bëjmë atje një projekt për pyjet, unë mund të thoja se unë dua të shkoj në Liqenin e Prespës, pasi mund të restaurojmë afresket e kishës, ose dua të shkoj këtu apo aty pasi mund të bëjmë një projekt për ndërtim rrugësh.


Mua nuk mund të ma ndalonin këtë. Kështu më krijohej mundësia të takohesha me njerëz dhe unë kam takuar personalitete të mrekullueshme, shumë më tepër se në Tiranë, njerëz me karakteristikat tipike të zemërgjerësisë dhe me njerëzillëkut të Mesdheut të Vjetër. Këto janë kujtime që i kam të ruajtura akoma.


Por pas një viti arrita të kuptoj se çfarë regjimi i tmerrshëm ishte ai, se si sillej ai me mendimin ndryshe, si i degdiste në miniera njerëzit, që shprehnin mendime që nuk i pëlqenin regjimit, se si i fuste ata në vrima 3-4 metra nën tokë dhe nuk i lejonte të dilnin prej andej, se si i ka persekutuar përfaqësuesit e kishës katolike, apo ka varur e torturuar ata të myslimanëve, bektashinjve apo ortodoksëve.


Një përjetim të tmerrshëm kam pasur në një fshat afër Sarandës. Ishte periudha e Pashkëve dhe më treguan se nxënësit në shkollë nuk pyeteshin direkt nëse kishin festuar Pashkët, por nëse kishin pasur dje në shtëpitë e tyre vezë të ngjyrosura.


Nëse ata përgjigjeshin pozitivisht atëherë prindërit e tyre thirreshin në polici dhe ndaloheshin për një kohë të gjatë. Mendo që kjo ka ndodhur në fund të viteve 80-të. Dhe pikërisht kjo mënyrë sjelljeje brutale ndaj njerëzve me mendim ndryshe, apo ndaj fesë më bëri mua një kundërshtar të regjimit.


Edhe pse i kam vlerësuar përpjekjet e regjimit për të ndërtuar vepra në vend, lufta ndaj mendimit ndryshe, nisur edhe nga eksperienca e keqe që ne kemi pasur në historinë gjermane më ka irrituar shumë dhe më vonë kam bërë çdo përpjekje për rrëzimin e këtij pushteti.






Edituar për herë të fundit nga Vizioner në Fri Jul 02, 2010 12:08 pm, edituar 1 herë gjithsej

_________________

Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1304
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Korrik 1990: Ambasadat

Mesazh nga Vizioner prej Fri Jul 02, 2010 12:04 pm

...Unë e lashë hapur derën e ambasadës gjermane



Në vijim të rrëfimit të ish-ambasadorit të RFGJ-së, Werner Daum për ngjarjet e 2 korrikut 1990, kur mijëra shqiptarë hynë nëpër ambasadat perëndimore në Tiranë, mes tyre edhe ambasadës gjermane, vijnë momentet kritike pas hapjes me dashje nga ana e ambasadorit të selisë diplomatike për të lejuar popullimin e saj. Ambasadori nuk është penduar për këtë veprim unikal dhe shton se ishte një gjest më shumë në hapjen e vendit.

Ju thatë se Ju u jeni afruar njerëzve dhe keni folur me ta. Por njerëzit kishin frikë të flisnin në atë kohë me diplomatë të huaj. A e ndienit Ju këtë frikë dhe a u afroheshin njerëzit Juve?

Njerëzit nuk mund të më afroheshin mua. Në Tiranë ishte thuajse e pamundur. Megjithëse unë në Tiranë, nisur edhe nga predispozita ime kam qenë shpesh në rrethe artistësh, shkrimtarësh, në radhë të parë mes shkencëtarësh, pasi kjo lidhej edhe me formimin tim, dhe në këto rrethe dëgjoja shprehje nëpër dhëmbë.

Ndryshe ishte jashtë kryeqytetit, unë sapo thashë, që isha diplomati i vetëm që mund të udhëtoja kudo në vend. Natyrisht që unë isha i survejuar paçka se isha vetëm, por nëpër fshatra ishte e mundur të flisje me njerëzit.


Kam dëgjuar se kur Ju keni qenë një herë në Shkodër, dikush Ju ka folur në rrugë dhe ju ka thënë: Ju lutemi të bëni diçka për ne, kurse Ju i jeni përgjigjur: Ju duhet të bëni diçka vetë për veten tuaj në mënyrë që ne t' ju ndihmojmë. A është e vërtetë kjo?

Mund të jetë me siguri e vërtetë, megjithëse ky rast konkret mua tani nuk më kujtohet, por kjo është një fjali që unë e kam thënë shumë herë. Situata ndryshoi në vitin 1990 në mënyrë radikale.

Nga fillimi i vitit 1990 shqiptarët fituan guxim, ata dëgjuan në televizion se në vendet e tjera komunistët u përzunë nga pushteti, ata kishin parë fotografitë e rrëzimit të murit të Berlinit, ata fituan guximin të flasin më shumë me njëri-tjetrin, ata dëgjonin nga radiot italiane apo greke, ndoshta edhe nga Deutsche Ëelle, këtë unë nuk e di, se çfarë po ndodhte në botë, dhe papritur ata nuk kishin më frikë.

Dhe nëse një popull nuk ka më frikë, atëherë qeveria nuk është në gjendje ta ketë kontrollin. Nga fillimi i vitit 1990 njerëzit filluan të më flisnin si në Tiranë edhe në Shkodër, por veçanërisht në Shkodër.

Unë në atë kohë lëvizja në shumë qytete si në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Sarandë dhe shpesh zbrisja nga makina dhe lëvizja më këmbë. Kështu unë kam shkuar në këmbë në kështjellën e Rozafës, dhe më kujtohet që kam takuar një grup vajzash simpatike, me të cilat kam biseduar jo vetëm rreth politikës.

Unë kam lëvizur me qëllim nëpër rrugë, kam shkuar nëpër kafene dhe njerëzit më flisnin. Çfarë ndryshimi krahasuar me vitin 1987! Javët e para pasi kisha arritur në Shqipëri shkova në një kafene në Tiranë, një kafene e madhe, emri i së cilës nuk më kujtohet, por ku kishte vetëm burra, unë zura një vend që ishte i lirë.

Menjeherë tre burra që ishin ulur në atë tavolinë u ngritën dhe u larguan. Ata ma lanë tavolinën mua dhe unë u thashë "Mirëdita!". Pashë ndërkaq 50-të apo 60-të burra përreth meje që ishin kthyer nga unë dhe më vështronin të heshtur. Kamerieri më solli një kafe dhe një pjatë me mjaltë, këto ishin ato që ai mund të më ofronte, por gjithkush përreth heshtte.

Tre vjet më vonë kur unë shkoja në një kafene të gjithë më flisnin, dhe unë e kuptova dhe njoftoja në shtëpi në Bonn se regjimit po i vjen fundi, njerëzit nuk kanë më frikë. Por asnjë nuk donte të më besonte, madje as qeveria shqiptare nuk e besonte. Ata mendonin se kishin kontrollin mbi vendin.

A do ta besonit Ju qershorin e vitit 1990 se shqiptarët një muaj më vonë do të kërkonin strehim në ambasadat perëndimore në Shqipëri?

Jo, kjo për mua ishte një surprizë e plotë dhe unë mendoj se kjo ishte një surprizë edhe për vetë shqiptarët. Që një gjë e tillë do të ndodhte ishte për mua e qartë. Disa vjet më vonë unë kam lexuar disa raporte që kisha shkruar.

Kështu në Mars unë i shkruaja Bonit se Shqipëria po shkon në drejtim të duhur, se regjimi nuk mund të ekzistojë më për një kohë të gjatë. Kisha dëgjuar se në Laç, 15 mijë katolikë ishin mbledhur në ditën e Antoniusit të Shenjtë, por qeveria nuk i ka vrarë ata.
20 vite më parë ata do të ishin pushkatuar të gjithë. Për mua ishte e qartë se kur ndodh diçka e tillë kjo është pika e kthesës. Unë do të thosha se mbledhja e 15 mijë njerëzve në Laç ishte një pikë kthese. Për mua situata ishte e qartë dhe unë këtë ia kam komunikuar Bonit me shkrim, por edhe në përputhje me këtë ka qenë sjellja ime në rrugë.

Erdhi fillimi i korrikut dhe papritur ambasada gjermane u mbush me 3200 shqiptarë që kërkonin të largoheshin nga Shqipëria. Si arritët Ju ta mbani situatën nën kontroll?

Unë dua të them se nuk ishin 3200 por 3199, por nuk ishte se shqiptarët erdhën në ambasadën gjermane. Shqiptarët e parë shkuan në ambasadën greke, unë kisha shumë miqësi me ambasadorin grek, ai quhej Kakabasis, fliste perfekt gjermanisht, kishte ndjekur një shkollë gjermane, ai ishte miku im më i mirë ndër diplomatët. Ai nuk ishte vetëm një mik, që fliste gjermanisht si unë, por ne ishim edhe komshinj, pasi ambasada greke ndodhej direkt pranë ambasadës gjermane.

Natyrisht që shqiptarët erdhën fillimisht në ambasadën greke, sepse ata ishin shqiptarë që vinin nga Jugu i Shqipërisë dhe që flisnin greqisht, dhe mendonin se ndoshta ambasada greke mund t´i ndihmonte ata.

Të parët ishin rreth 15 deri 25 veta, të tjerë shkuan tek ambasada egjiptiane, italiane, disa shkuan tek ambasada franceze. Dhe unë u dëshpërova që deri në ato momente asnjë nuk kishte ardhur në ambasadën gjermane. Mua më vinte turp dhe mendova se nuk është e mundur që njerëzit të kërkojnë strehim tek egjiptianët, grekët apo italianët, por jo tek ne.

Dhe me ndërgjegje të plotë i thashë punonjësit të sigurimit të kufirit federal se që sot e tutje ambasada do të jetë e ndriçuar në mbrëmje, që të gjitha dritat do të ndizen, dhe se porta e madhe që sheh nga rruga do të lihet e hapur që të bjerë në sy, kanati i derës nuk do të jetë i hapur fare, por i pakyçur dhe kjo duhej të ishte e dukshme. Unë nuk mund ta duroja që njerëzit nuk të mos kërkonin strehim në ambasadën gjermane.

Kjo mori dhenë dhe njerëzit e parë erdhën, pastaj erdhën të tjerë, pastaj një kamion që prishi murin rrethues të godinës. Unë këto veprime i përshëndeta, por tani dua të them që kjo nuk u përshëndet nga qeveria ime dhe kjo m'u tha në telefon. Unë komunikoja me qeverinë në Bon vetëm nëpërmjet linjës telefonike satelitore, pasi nuk mund të dërgonim fakse apo të shkruanim letra.

Duhet thënë se qeveritë flasin për demokraci ditëve të diela, por në aktivitetin e tyre ato e kanë për detyrë të ruajnë stabilitetin dhe jo të bëjnë një ndërhyrje aktive. Asnjë qeveri nuk do që ambasada e vendit të saj të mbushet me azilkërkues. Dhe kështu vazhdoi dhe unë sot jam shumë e kënaqur që e kam bërë këtë, madje edhe pse në kundërshtim me porositë e qeverisë sime.


Zoti Daum, si ishte kontakti me qeverinë shqiptare në ato ditë të nxehta korriku 1990?
Ne kishim kontakt të vazhdueshëm, unë shkoja të paktën një herë në ditë në Ministrinë e Jashtme, dhe aty takoja ata zotërinj, që ishin deri atëherë të përzemërt dhe miqësorë (emrat nuk dua t´i përmend) por ata kishin papritur fytyra krejt të tjera. Nga pozicioni i tyre: ata kërkonin të më bënin të qartë se bëhej fjalë për ekzistencën e qeverisë së tyre, dhe se qeveria shqiptare nuk ishte e gatshme të tërhiqej.

Veprimet e mia si p.sh. ndezja e dritave të godinës së ambasadës apo lënia hapur e portës së ambasadës: pra sinjali "Hajdeni të gjithë, ju lutem!" ishin veprime që vetëm në plan të dytë kishin karakter humanitar. Pikësëpari për mua ishte e qartë se një gjendje e tillë katastrofike në qendër të kryeqytetit do të ngjallte patjetër rrëzimin e qeverisë. Për mua ishte qartë se qeveria shqiptare do të përpiqej ta evitonte këtë.


Në ato ditë Ju ishit diplomat dhe unë një shqiptare që kërkonte të shkonte drejt Perëndimit. Të dy kishim ndërmarrë një hap të rrezikshëm, për të cilin unë personalisht nuk jam penduar. Por desha të di prej Jush, se si i keni përjetuar Ju njerëzit në territorin e ambasadës ato ditë?

Unë nuk kam folur me 3199 njerëzit, që ishin në ambasadë ato ditë dhe sot jam shumë i dëshpëruar që nuk kam folur me Ju. Kishte intelektualë, që ndodheshin në ambasadë, kam folur me disa prej tyre, por shumë pak.

Njerëzit tanë të sigurimit kanë bërë një punë të pabesueshme për të mbajtur rregullin dhe ne thuajse nuk kemi fjetur tërë ato ditë. Ne na duhej të kujdeseshim p.sh. për higjienën.

Pas disa ditësh na u ndërpre uji. Uji duhet jo vetëm për t´u larë, por në radhë të parë për të pirë. Punonjës të ambasadës shkonin me bidonë në ndërtesat karshi për të na furnizuar me ujë. Unë nuk dua të hyj në detaje, por ishte një situatë tepër e vështirë dhe kanë ndodhur gjëra të tmerrshme. Ishte një situatë revolucionare nëpër rrugë dhe pjesë të popullatës kontribuuan me mjete revolucionare që arritëm të siguronim bukë për mbijetesë.

Siguria më në fund kishte dalë jashtë kontrollit dhe me siguri që ne nuk do të mund të rezistonim edhe një javë më gjatë, ishte e paimagjinueshme. 1200 shqiptarë të tjerë ishin në ambasadën italiane, disa qindra në atë greke, nuk e di tamam se sa, por tri ambasadat kryesore perëndimore ishin të prekura dhe kjo u bë tema kryesore në Evropë dhe në Kombet e Bashkuara, duhej gjetur një zgjidhje dhe u gjet një zgjidhje.


Si e shikoni Ju këtë ngjarje në procesin e hapjes së Shqipërisë? A ishte kjo vallë si një klithmë që shqiptarët i drejtuan Perëndimit për t' i treguar, se duhej rrëzuar bastioni i fundit stalinist i Evropës dhe se Shqipëria duhej hapur drejt Perëndimit?

Absolutisht po, e shikoj tamam kështu siç e përshkruat Ju. Por kjo nuk mund të arrihej nëse në ambasadën time do të kishte vetëm 12 azilkërkues, madje as 24, por vetëm me këtë katastrofë dhe me rrezikun real të një konfrontimi real të përgjakshëm, si rrjedhojë e një ndërhyrjeje eventuale ushtarake të qeverisë shqiptare. 3200 vetë në ambasadën tonë dhe mbi 1200 në atë italiane ishin numra që do të nxisnin një ndryshim të shpejtë politik.

Dhe ky ishte qëllimi im. Unë doja ashtu siç edhe e thashë më parë vetëm në plan të dytë një ndihmë humanitare. Në rradhë të parë unë doja të jepja një sinjal politik. Sigurisht, që siç a thatë edhe Ju, kjo ishte një lojë e rrezikshme, por unë isha i sigurtë që do të kishim sukses.


Edituar për herë të fundit nga Vizioner në Sun Jul 04, 2010 2:10 pm, edituar 1 herë gjithsej

_________________

Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1304
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Korrik 1990: Ambasadat

Mesazh nga Vizioner prej Sun Jul 04, 2010 1:20 pm

Eksodi, si erdhën 3200 shqiptarët në Gjermani

Plot 3200 shqiptarë u gjendën në korrik të vitit 1990 në Ambasadën gjermane në Tiranë. Tërheqja e tyre nga Brindizi dhe prurja në Gjermani u bë nga Kryqi i Kuq Gjerman. Disa protagonstë të kësaj ngjarjeje kujtojnë per radion gjermane Deutche Welle


E mërkurë 11.07.1990, ora 07:00 e mëngjesit. Telefoni i familjes Schröder tingëllon, një telefonatë nga kryeqyteti, nga Boni.

Në të njëjtën kohë në ambasadën e RFGJ-së në Tiranë përkeqësohej dita-ditës gjendja e higjenës, sepse sikurse kujton, Werner Daum, asokohe i ngarkuar me punë ad interim, ambasadës i kishin prerë ujin dhe "Punonjës të ambasadës shkonin me bidonë në ndërtesat karshi për të na furnizuar me ujë. Pa dashur të hyj në detaje, ishte një situatë tepër e vështirë dhe kanë ndodhur gjëra të tmerrshme."

Në Shvarcenbek pranë Hamburgut vazhdon telefonata. Zonja Waltraud Schröder, asokohe 54-vjeç, drejtuese e ekipit të gatishmërisë së Kryqit të Kuq për landin e Shlesvig-Holshtajn, ngarkohet të drejtojë misionin për transportimin e refugjatëve shqiptarë që kishin hyrë në ambasadën gjermane. Ajo tashmë kishte përvojë me një mision të ngjashëm. Para nëntë muajsh znj. Schröder kishte manaxhuar me sukses transportimin e 17.000 refugjatëve nga ish-RDGJ-së që kishin kërkuar strehim në ambasadën gjermano-perëndimore në Pragë.

Dy orë më vonë Waltraud Schröder arrin nga Hamburgu në Bonn prej nga niset për në Brindizi një tren i posaçëm. "U nisëm nga Gjermania me një tren të pajisur me kompartamente të posaçme për nëna me fëmijë, për të sëmurë si dhe me të tjera pajisje të nevojshme. Në Bon, ku ishte qendra e Kryqit të Kuq Gjerman, kishim marrë të gjithë informacionin e duhur për realizimin e këtij aksioni, aty blemë edhe ushqime, ujë dhe lëngje, sepse ishin ditë shumë të nxehta."

"Treni ishte shumë i gjatë, rreth 536 metra, më i gjatë se çdo stacion treni. Treni nuk ndalonte dot i tëri në stacionin e Brindizit, sepse nuk mjaftonte gjatësia e peronëve. Këtë e dinim që në fillim dhe për këtë kishim parashikuar që treni do të ndahej në disa pjesë e trenit. Për çdo vagon kishim në dispozicion të paktën nga një vullnetar të Kryqit të Kuq. Po ashtu kishim me vete edhe një ekip sanitarësh, mjekësh dhe mamish. Të them të drejtën sot nuk më kujtohet numri i saktë, por kishim personel të mjaftueshëm për të përballuar dhe për t'u kujdesur për 3200 refugjatët, madje kishim personel të mjaftueshëm edhe sa i përket ndihmës së kualifikuar.

Edhe pse ky ishte mandati i dytë pas angazhimit të mëparshëm në Pragë, zonja Schröder i ka ende të gjalla kujtimet e 13 korrikut 1990: "Nuk e harroj momentin kur pashë, se si kaq shumë shumë njerëz vërshuan nga barku i tragetit, e theksoj vërshuan! Tek ata njerëz më ra në sy nga njëra anë rraskaptija, por nga ana tjetër edhe gëzimi, ndenja e çlirimit që ata ndodheshin në një tokë, ku ekzistonte liria, ajo që u kishte munguar në vendin e tyre, dhe për të cilën ishin larguar."

Kurse Hilmar Mahronit, gjithashtu punonjës i Kryqit të Kuq, i ka mbetur në kujtesë diçka tjetër: "Më bëri përshtypje, se pasi refugjatët hipën nëpër vagona pala italiane i mbylli dyert e trenit dhe i mbajti të bllokuara që gjatë udhëtimit askush nga refugjatët të mos zbriste në Itali. Në Zvicër ishte e njëjta gjë dhe disa nga shqiptarët që donin të zbrisnin patjetër në Zvicër kërcyen si përfundim nga dritaret dhe u larguan duket kaluar shinat nga njëri person tek tjetri."

Habi në radhët Kryqit të Kuq: Shumica e refugjatëve shqiptarë thoshin se ishin me profesion inxhinierë

"Kur vinte policia për të kontrolluar pasaportat, ose për të regjistruar të sapoardhurit, vija re që kjo u ngjallte frikë të madhe shqiptarëve. Kjo frikë kishte arësye nga më të ndryshmet, ndoshta se një pjesë e tyre nuk kishin as pasaporta me vete. Disa prej tyre nuk tregonin as emrin dhe policia ndonjëherë nervozohej prej kësaj situate, kurse mua më duhej t'i qetësoja shqiptarët duke u thënë që të mos kishin frikë, se atyre nuk do t'u ndodhte asgjë. Regjistrimi i të dhënave personale ishte i domosdoshëm edhe sepse gjatë udhëtimit kishte raste që pjesëtarët e familjeve ishin shkëputur nga njëri-tjeri dhe ne duhej të kujdeseshim që ata të strehoheshin në të njëjtin vend." - kujton Waltraud Schröder

"Kur erdhën punonjësit gjermanë të kufirit për të regjistruar të dhënat personale si dhe profesionin e refugjatëve, ne u habitëm shumë, se shumë shqiptarë jepnin si profesion inxhinierinë. Besoj se shumica thonin se ishin me profesion inxhinierë, sepse besonin se kështu do të kishin shanse më të mira për të fituar azilin, ose për të gjetur punë, nuk e di saktë përse." - tregon Hilmar Mahron


Refugjatët shqiptarë do të shpërndaheshin në bazë një numri të caktuar kontigjentesh në lande të ndryshme të Gjermanisë dhe njoftimet vinin nga Boni dhe i transmetoheshin ekipit të Kryqit të Kuq me radiomarrëse. Për shkak të gjatësisë së trenit dhe koordinimit të tij udhëtimit të tij me oraret e qarkullimit të trenave të tjerë, qëllonte që treni të ndalonte nëpër stacionet përkatëse, ku do të zbrisnin refugjatët, natën. Por megjithë përgatitjet të gjithë dëshmitarëve të asaj kohe duket se u ka mbetur e pashlyeshme në kokë një skenë natën e 14 korrikut 1990. Rreth orës 22:00 treni kishte lënë pas kufirin e Zvicrës dhe kishte filluar udhëtimin nëpër Gjermani.

"Papritur treni ndaloi diku në terr dhe refugjatëve të dy-tre vagonave të fundit iu tha se duhet të zbrisnin. Në atë moment filloi një pështjellim se disa prej atyre që kishin ardhur me familjet filluan të kërkonin të afërmit. Shumë familje ishin shpërndarë, gjë që filloi që pas zbritjes nga trageti dhe hipjes në tren. Edhe pse ne u thonim njerëzve që të hipin nëpër vagona me grupe dhe familjet të qëndronin bashkë, kishte lindur një problem, sepse burrat rrinin me burrat apo djemtë e shokët e tyre, ndërsa gratë me gratë dhe fëmijët. Kësisoj familjet u shkëputën dhe kishin hipur nëpër vagonë të ndryshëm." - tregon Adelheid Feilcke, e cila asokohe ishte përkthyese.

"Në këto momente jo vetëm në radhët e vetë refugjatëve shqiptarë, por edhe të personelit të shërbimit të Kryqit të Kuq ndihej një lloj shqetësimi, sepse nuk e dinim me saktësi se ku ndodhemi. Papritur disave u duhej të zbrisnin, duke u ndarë prej të tjerëve dhe ata nuk e kishin të qartë se ku gjendeshin. Sikurse ju tregova treni ishte shumë i gjatë dhe jo të gjithë vagonët ndalonin te zona e peronit. Kështu na u desh që t'i shoqëronim njerëzit nëpër shina me llampa dore apo me mjete të tjera ndriçuese që na u gjendën, deri sa arritën në një vend të sigurtë jashtë zonës së shinave. Megjithë pasigurinë dhe frikën se ç'do të bëhej me ta, apo kur do të bashkoheshin familjet gjatë gjithë udhëtimit refugjatët ishin mjaft të qetë dhe të disiplinuar." - tregon Waltraud Schröder.


"As unë nuk kisha ndonjë informacion, vetëm se na komunikuan, se refugjatët e dy vagonave të fundit duhet të zbresin, sepse po i presin dhe do t'i dërgojnë në vendstrehimet përkatëse," - kujton Hilmar Mahron. Përkthyesja u tha njerëzve që ishin në vagonin e fundit se duhet të zbrisnin. Njerëzit ishin në gjumë dhe na u desh t' i zgjojmë, t'u themi zbrisni shpejt dhe kaloni shpejt shinat se vjen treni tjetër. Megjithatë shqiptarët i kam përjetuar mjaft të qetë. Në asnjë moment nuk shfaqën ndonjë pakënaqësi, agresion apo ndonjë emocion të tepruar. Kam përshtypjen, që së pari ata ishin krejtësisht të raskapitur dhe mjaft të durueshëm, të durueshëm në maksimum, dhe na besonin tërësisht neve. Kisha përshtypjen, se ata ishin të bindur që ishin në duart e Kryqit të Kuq gjerman dhe nuk do t'u ndodhte asgjë."

Pas 36 orësh orësh udhëtimi, pjesërisht në kushte të rënduara për shkak të vagonëve të tejmbushur, lodhjes dhe raskapitjes së njerëzve, plagëve që kishin marrë nëpër këmbë nga një pjesë e refugjatëve nuk kishin këpucë, tualeteve të trenit që brenda një kohe të shkurtër u mbingarkuan dhe u bllokuan duke rënduar edhe më tej kushtet higjenike, vagonët e fundit arritën në destinacionet e fundit në veri të Gjermanisë.

_________________

Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1304
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Korrik 1990: Ambasadat

Mesazh nga Vizioner prej Tue Jul 06, 2010 9:09 pm

'2 korriku', Enveri dhe Saliu, shqiptarët pas 20 vitesh 'tranzicioni'

Nuk ka shumë ditë që policia greke organizoi një operacion të ri për kthimin e
klandestinëve dhe është për tu habitur që në rrethinën e Grevenasë ishin arrestuar
mbi tetëdhjet shqiptarë pa leje qëndrimi. Megjithëse Greqia Veri-Perëndimore njihej,
para zgjerimit të Komunitetit Evropian drejt Lindjes, si zona më pak e zhvilluar në
BE dhe megjithëse shteti fqinj po bën bujë në mediat botërore për shkak të krizës
ekonomike që e ka pllakosur, duket se kjo nuk përbën problem për të uriturit shqiptar.

Ata ende vazhdojnë të sillen rrugëve të emigrimit dhe ndjehen me fat sapo kalojnë
kufirin shqiptar drejt një bote aspak mikpritëse për emigrantët. Se Greqia, si edhe
shtetet e tjera të Evropës, është lodhur nga fluksi i klandestinëve afrikan dhe aziatik
të cilët luftrat, skamja dhe rrënimi i dërgojnë drejt botës perëndimore. Akoma më
habi shkakton fakti i shëmtuar që Shqiptarët pas njëzet vjetësh demokracie ende
duan të largohen nga vendi i tyre duke iu bashkangjitur kështu refugjatëve afrikan
dhe aziatik. Me përjashtim elitën e qendrave urbane, për pjesën tjetër të popullsisë
një martesë jashtë vendit, një bursë studimi në Evropë apo një vizë turistike për në
SHBA shpjegohet si "fat i madh".


Vetëm se 2 Korriku i 2010-ës është shumë herë më i hidhur sesa 2 Korriku i 1990-ës. Refugjatët e 1990-ës u larguan nga shteti më komunist i Evropës. Ata iknin me shpresën se do ktheheshin shumë shpejt, do ktheheshin sapo Shqipëria të bëhej demokratike dhe profetët e PD-ës ta bënin atdheun si gjithë Evropën. Kurse Shqiptarët e 2010-ës po largohen nga Shqipëria demokratike.
Këta të fundit nuk largohen përkohësisht, këta po ikin përgjithmonë. Të privuar nga
një punë stabël, një shtet proteksionist, një treg i mundësive të barabarta dhe një
shtet ligjor, shumë bashkëatdhetarëve nuk i mbetet më gjë për të pritur në këtë vend.
Aq më tepër Shqiptarët janë lodhur me politikën dhe me votimet. Ata kanë njëzet
vjet që dëgjojnë të njëjtat premtime dhe që votojnë pro ose kundër të njëjtit person.


Nëse komunizmi shqiptar kishte Enverin e vet, demokracia shqiptare ka Saliun e vet.
Çdo emër është i ndryshueshëm në politikën shqiptare përveç Sali Berishës.
Rrjedhimisht, nëse të gjithë aktorët politik kanë një përgjegjësi mbi krizën që po kalon
Shqipëria këto njëzet vitet e tranzicionit, Berisha ka përgjegjësinë më të madhe. Ai
është gjithmonë aty, duke vjedhur ose lypur votën e popullit. Emri i tij ka kandiduar
në të gjitha votimet qysh në 1991-shin dhe jam i sigurtë se në asnjë demokraci
normale nuk do hidhte një dështarak si Berisha kandidaturën për të udhëhequr vendin
shtatë herë radhazi. Po, Berisha është një dështarak. Ai është simboli i dështimit të
demokracisë shqiptare. Kur ai dhe farefisi i tij të largohen nga jeta politike jam i
sigurtë se Historia e Shqipërisë do i ruaj Berishës një kënd përkrah Lekë Dukagjinit,
Esat Pashë Toptanit, Qazim Mulletit dhe figurave të tjera tragjiko-komike të atdheut.



-vazhdon-


_________________

Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1304
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Korrik 1990: Ambasadat

Mesazh nga Vizioner prej Tue Jul 06, 2010 9:11 pm

Enveri dhe Saliu...


Megjithëse doktor Berisha do kishtë dëshirë të mbahej mend si një Enver i dytë, të
cilit i shërbeu me vullnet sa ishte në jetë, një paralelizim mbi Enverin dhe Saliun do
të ishte i cekët. E para e punës, Enveri ishte burrë në fjalë dhe në vepra. Pavarsisht
se veprimtaria e tij i shkaktoi shumë dëme Shqipërisë, Enveri zakonisht e mbante
fjalën dhe i shprente mendimet e veta haptazi si në nivel brenda-partiak si në nivel
ndërkombëtar. Akoma edhe kur i eliminonte miqtë e vet, ish-diktatori i akuzonte
vet ata dhe, si ne rastin e Beqir Ballukut, çështja demonstrohej brenda partisë ose në
publikun e gjerë. Në demokracinë e Sali Berishës gazetarët, politikanët dhe qytetarët
sulmohen nga forca të padukshme dhe nga agresorë që nuk arrestohen kurrë. Siç do
raportonte Organizata e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut (HRW, 1996), në periudhën
1993-1994 mbi 30 gazetarë të opozitës do sulmoheshin fizikisht dhe një anëtar partie
do vritej barbarisht nga persona qe nuk u arrestuan kurrë. Megjithëse perjardhja e tij
është nga një zonë ku njerëzit betohen në besë, Sali Berisha nuk duket se e njef këtë
zakon. Berisha, në kundërshtim me Enverin që fliste gjuhën e komunizmit, flet shumë
gjuhë. Ndryshe ia thotë ndërkombëtarëve, ndryshe Shqiptarëve, ndryshe Kosovarëve
dhe Serbëve.

Enveri mbante në krahun e vet bashkëluftëtarët, kurse Saliu jo vetëm që nuk ka
luftuar ndonjëherë për të drejtat shqiptare por menjëherë pas fitores të 1992-shit
largoi nga postet qeveritare ose syrgjinosi jashtë vendit të gjithë ata politikanë të
PD-ës që ishin përpjekur për demokracinë dhe i zëvendësoi ata me njerëz të vetë me
aspak përvojë në politikë. Sigurisht që këtë vendim doktori do e tërhiqte mbrapsht
kur popullariteti i tij do fillonte të ulej, në ndryshim esencial nga Enveri i cili nuk e
kthente më shikimin drejt atyre që kishte shporrur nga partia. Në këtë pikë sigurisht
që ngrihet pyetja, pse disa politikanë dhe gazetarë pranojnë pajtimin me Berishën.
Përgjigja është: se ata ndajnë të njëjtat vlera me të (aspak idealizëm dhe shumë lakmi
për pushtet dhe pasuri).

Një tjetër pikë ku ndryshojnë Saliu dhe Enveri është tek logjika e internimit. Në
komunizëm internimi bëhej brenda shtetit. Njërëz me edukim, kapital, histori dhe
parime të caktuara u shvendosnin për shkaqe politike nga qendrat urbane drejt
periferisë së vendit. Internimi kishte rregull dhe pasojat ishin tragjike vetëm për
personin apo familjen që internohej. Për vendin pasojat nuk ishin negative, sepse në
këtë mënyrë inteligjenca e qendrave urbane transferohej në zonat e largëta rurale ku
popullsia ishte e pashkolluar. Përkundrazi, një ish-kuadër që demokracia shqiptare
e shndërroi në një fshesaxhi të Torontos apo Nju Jorkut përveç dështimit personal
përbën edhe dështim shtetëror. Shteti shqiptar nuk mundi ta mbaj atë në Shqipëri dhe
administrata humbet eksperiencën dhe njohuritë e dobishme të këtij personi.

Në demokracinë ala-berishiane internimi nuk ka dallim dhe kryesisht kthehet ndaj
atyre që nuk kanë asnjëlloj kapitali. Ky internim kryet pa rregull dhe shteti nuk ka
asnjëfarë përgjegjësie mbi fatin e të internuarit refugjat. Refugjati mund të vritet,
mund të burgoset, mund të keqtrajtohet, mund të mbetet i papunë dhe i pastrehë
në një dhe të huaj dhe shteti shqiptar nuk ka asnjëlloj statusi legal dhe asnjëlloj
potenciali tjetër që ti vihet në ndihmë refugjatit. Në kohën e komunizmit ekzistonte
mundësia që një i internuar dikur të kthehej në vendlindjen e tij, pasi Partia e Punës të
vendoste diçka të tillë, kurse në demokracinë shqiptare një gjë e tillë as që diskutohet.
Bile vet Banka e Shqipërisë dhe institucione të tjera kohët e fundit publikojnë
raporte "shqetësuese" mbi kthimin e Shqiptarëve në atdhe. Shteti shqiptar jo vetëm
që nuk ka një politikë riatdhesimi dhe rehabilitimi për emigrantët por e shikon me
mëri kthimin e emigrantëve (rrjedhimisht edhe emigrantët që kthehen në atdhe nuk
qëndrojnë gjatë).

Internimi i Enverit përfshinte një pakicë njerëzish, kurse syrgjinosja e Berishës prek
një në katër Shqiptarë. Niveli i eksodit shqiptar përbën rekord botëror (shiko United
Nations Demographic Yearbook 2006), dhe ky eksod është një nga projektet kryesore
dhe suksesi më i madh i ideatorit Berisha. Në intervistën që Sali Berisha do jepte për
mediat e huaja, gjatë fushatës elektorale me 20 Mars 1992, ai deklaron se "Evropa
duhet të pranoj një numër akoma më të madh emigrantësh" (Vickers and Pettifer,
1997) dhe se ai do bënte çmos që diçka e tillë të realizohej. Treqind mijë Shqiptarët
që ishin larguar jashtë vendit para votimeve të Marsit të 1992-shit nuk dukeshin asgjë
në sytë e Berishës. Si pasojë, vërejme akoma një ndryshim themelor midis shtetit
enverist dhe atij berishian. Byroja komunsite bëri çmos që ta rrisi popullsinë shqiptare
kurse kabineti berishian që ta zvogëloj në minimum. PPSH-ja reklamonte autarkinë
absolute ndërsa PD-ja ekonominë parazite.

Akoma edhe sot, pas njëzet vjetësh, tranzicioni edhe eksodi masiv nuk duket ta
ket ndryshuar linjën e bandës Berisha. Premtimi i radhës është që Shqiptarët të
lëvizin pa viza në Evropë. Shtypi berishian nëse nuk ka më gjë për të thënë mbi
dosjet komuniste, që pak na interesojnë tani pas njëzet vjetësh me Berishën, atëhere
reklamon lëvizjen pa viza të Shqiptarëve. Megjithëse për BE kjo levizje është një
formë turizmi nëntëdhjetë ditësh, për bandën e Berishës është një çlirim politik nga
presioni i të uriturve. Duke u dërguar jashtë këta njerëz të "pafat" ulin opozitën ndaj
grupit që kontrollon vendin dhe, akoma më tepër, kthehen në kontribues të ekonomisë
parazite. Për pasojat afatgjate të një ekonomie parazite Berisha dhe partia e tij nuk
kanë as pyetje dhe as përgjigje.

Për këto dhe shkaqe të tjera z. Berisha do të hidhërohej që në Historinë e Shqipërisë
ai nuk do radhitet përkrah Enver Hoxhës. Është tjetër gjë të jesh tragjik dhe tjetër gjë
të jesh tragiko-komik. Berisha mund të jet po aq despotik dhe sulltanik sa idhulli i tij
Enver, por opozitën dhe ndërkombëtarët nuk ka pasur ndonjëherë guximin ti sfidoj si
profesori i vet. Ai edhe Shqipërinë do ta zvogëloj sa më shumë të jet e mundur, por
edhe PD-ën ka dëshirë ta zvogëloj, se ndryshe nuk e udhëheq dot.



-vazhdon-


_________________

Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1304
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Korrik 1990: Ambasadat

Mesazh nga Vizioner prej Tue Jul 06, 2010 9:13 pm

Berisha në akademitë perëndimore...


Pas këtij krahasimi të shkurtër midis atit të komunizmit shqiptar dhe atit të
tranzicionit të pafund mirë do ishte të kthejmë shikimin drejt mendimit akademik
perëndimor mbi Berishën. Siç të gjithë e mbajmë mend shumë mirë, akoma edhe
ne fëmijët që duartrokisnim kryetarin e PD-ës kur krenosej përbri Xhejms Bejkerit
në sheshin Skënderbej nëntëmbëdhjet vjet në parë, Berisha ishte dikur i dashuri i
perëndimorëve. Aq e madhe ishte dashuria e tij për perëndimorët saqë ai, si Lekë
Dukagjini dikur, është shkaku që akoma sot e kësaj dite Shqipëria sovrane nuk
mer dot një vendim pa pyetur Evropën dhe SHBA-të. Ne Shqiptarët sigurisht që
lutemi që Berisha të mos marri vendime pa pyetur BE-në dhe SHBA-të sepse jemi
bindur plotësisht se këto vende të huaja interesohen më shumë për ne se sa vet
kryeministri. Megjithatë, nëse ky vend një ditë përfundon në formën e një protektorati
të perëndimorëve -siç edhe ndodhi në 1997-tën- krediti historik nuk mund ti jepet
kujt tjetri veçse ideatorit Berisha.

Ai ishte personi i parë që thirri Amerikanët dhe Evropianët të bojkotojnë qeverinë
Alia-Nano që lindi nga votimet a para të lira dhe pluraliste në 1991-shin, duke i hapur
kështu rrugën një shteti hibrid që kurrë nuk do ishte i aftë të zgjidhi problemet e veta
pa ndërhyrjen ndërkombëtare. Bile PD-ja i mbante mëri qeverisë Italiane Kraksi pse
guxoi të organizonte projektin humanitar "Pelikan", sepse në sytë e Berishës më mirë
të vdisnin disa Shqiptarë sesa të ndaheshin ndihma humanitare në një kohë që ai nuk
kishte uzurpuar ende pushtetin. Sot, pas nëntëmbëdhjet vjetësh, historia përsëritet
dhe Berisha me mikun e tij Meta na tregojnë se ndërkombëtarët nuk na hyjnë në
punë. Megjithëse siç e përmenda, Saliu nuk kishte kurrë guximin e Enverit që të
përdori të njëjtën gjuhë si për Shqiptarët ashtu edhe për ndërkombëtarët. Një shtet
hibrid dhe parazit si Shqipëria nuk mundet të mbijetoj pa konsensusin dhe ndihmën e
ndërkombëtarëve, këtë gjë e di mirë edhe Berisha -ngase e provoi vet në 1996-tën kur
i ishte mbushur mendja se ishte sulltan i Shqiptarëve dhe nuk merte parasysh asnjëlloj
paralajmërimi. SHBA-të dhe BE e bënë një herë gabimin duke mbrojtur Berishën,
ngase ky i fundit përdori faktin se PPSH-ja komuniste po qeveriste akoma vendin, por
nuk duket se janë më të gatshme të bëjnë të tilla gabime.

Bota e di shumë mirë se kush është Berisha, dhe farefisi i tij mund të ngjyrosi sa të
dojë shtypin berishian apo librat shkollor me "Veprat e Saliut". Kur Berisha farefisi
apo banda e tij të braktisin politikën, diçka që pritet të ndodhi vetëm pasi Berisha të
lër këtë botë, e vërteta do triumfoj. Profesori i Universitetit të Kalifornisë, Steven
Fish, në një libër të botuar nga Universitetet e Oksfordit dhe Prinsitonit (shiko
Anderson et al. 2001), e radhit Berishën përkrah diktatorëve të republikave të Azisë
Qendrore dhe pohon se Kushtetuta e 1994-ës do e kishte kthyer Shqipërinë në një
diktaturë. Të njëjtin mendim duket se ka edhe Clarissa de Waal (2009), profesore
në Universitetin e Kejmbrixhit. Bile ajo shkon akoma më tutje duke argumentuar se
është turp që shteti demokratik, me në krye president Berishën, në 1996-tën dështoi të
përsërisi votimet e lira që ishin organizuar fillimisht nga qeveria komuniste e Ramiz
Alisë. Kurse Miranda Vickers dhe James Pettifer (1997) në një botim të New York
University, e përshkruajnë Sali Berishën si një udhëheqës të dhunshëm dhe despotik.



-vazhdon-


_________________

Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1304
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Korrik 1990: Ambasadat

Mesazh nga Vizioner prej Tue Jul 06, 2010 9:16 pm

Ne, shqiptarët pas njëzet vitesh 'tranzicioni'...


Duke iu kthyer sërish pikënisjes së këtij shkrimi, do thosha se data 2 Korrik 1990
simbolizon hapjen e Shqipërisë kundrejt Evropës dhe botës perëndimore. Si një
foshnje e pafajshme dhe hutaqe -jetime nga udhëheqja komuniste, pas dyzetepesë
vitesh e izoluar në vetevete -, Shqipëria nis proçesin e njohjes me botën dhe e vet-
identifikimit në arrenën ndërkombëtare. Është fakt tragjik që në këtë përpjekje foshnja
shqiptare u rrëmbye nga një grup pionerësh që aspak eksperiencë nuk kishin nga
politika. As vet kryetari i këtyre çirakëve të politikës, z. Sali Berisha, nuk duket të ket
pasur ndonjë lidhje tjetër me politikën përveçse disa spiunimeve për llogari të PPSH-
ës. Megjithatë kjo nuk e pengoi Berishën që të vendosi veten në krye të shtetit, me
ndihmën perëndimore sigurisht, dhe të zgjedhi për kabinet vetëm njerëz që kishin
më pak eksperiencë se ai në politikë. Kështu nëse Berishës në 1992-shin dikush do
i jepte notën xero në politikë, kabineti i tij vetëm me një numër negativ mund të
vlerësohej. Ky grup çirakësh, që e ndjente veten disi superior nga pjesa dërrmuese
e popullsisë, kishte vetëm dy receta për foshnjen shqiptare. Receta e parë ishte "ta
bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropën" dhe e dyta, që në akademitë perëndimore është
kthyer në sarkazëm, njihet si "Shock Therapy".

Pjesa e parë e Shock Therapy u plotësua me sukses. Pothuajse brenda një viti
qeverisjeje nga PD-ja, çdo industri, fabrikë apo strukturë komuniste ishte rrënuar apo
shfarrosur nga sipërfaqja shqiptare. Ndërsa pjesa e dytë e kësaj terapie, dmth. ardhja
e investimeve të huaja pas shkatërrimit total të ekonomisë komuniste, nuk duket se
është realizuar ende, pavarsisht se z. Berisha na i premtoi para njëzet vjetësh dhe është
i gatshëm të na i premtoj edhe njëzet vite të tjera -duke mbyllur kështu, pa sukses,
ciklin e tij enverian në politikën shqiptare. Përveç disa investimeve në mbeturinat
radioaktive dhe në energjinë bërthamore, të cilat me një gabim teknik mund të
shkaktojnë holokaustin e Shqiptarëve, nuk duket në horizont ndonjë projekt ambicioz
i cili do plotësonte nevojat shqiptare në industri dhe punësim.

Përsa i përket reklamës kryesore me të cilën PD-ja erdhi në pushtet, pasojat janë
shumë herë më të hidhura. Duke i premtuar Shqiptarëve Evropën, Sali Berisha
dhe partia e tij kanë arritur me sukses të monopolizojnë çdo dialog të politikës dhe
mendimit intelektual shqiptar. Evropianizimi është kthyer në psikozën tonë kombëtare
dhe ka kalbur çdo mendim dhe çdo formë frymëzimi. Shqiptarët në mendimin
akademik dhe politik nuk janë më heronjtë e Skënderbeut apo ushtarët e Spartës me
të cilët PPSH-ja krenohej dhe kultivonte në maksimum ideologjinë e autarkisë dhe
vetmbrojtjes. Sa problematik që ishte pozicioni i PPSH-ës mbi historinë dhe rolin
e Shqiptarëve po aq problematik është edhe Evropianizimi i mendimit shqiptar.
Duke përjashtuar çdo lloj tjetër debati, politika dhe inteligjenca shqiptare i dhuron
popullit tonë një rol pasiv dhe e furnizon me një shije dështimi. Shqiptarët nuk janë
më ata që "e nxjerrin vet gomarin nga balta", ne presim që Evropa të zgjidhi hallet
tona dhe politikani më i mirë për ne është ai që na e premton më shumë Evropën.
Çuditërisht ky lloj mentaliteti na ka larguar më shumë nga Evropa dhe na ka bërë pre
të populistëve të stilit Berisha.

BE pret që Shqiptarët të zgjidhin vet telashet e tyre, kurse Shqiptarët presin që
Evropa të bëj diçka për ta. Nëse Berisha është oratori numër një i Evropianizimit,
atëhere kundërshtari i tij duhet të jet poashtu orator i Evropianizimit. Në këtë mënyrë,
fatkeqësisht, Berisha ka mbytur mendimin politik shqiptar të njëzet viteve të fundit
dhe populli shqiptar është lënë krahëprerë duke besuar se nuk është në gjendje të
dali nga kriza në të cilën është mbytur nëse nuk bëhet pjesë e BE-së. Për sa kohë që
Shqipëria nuk është pjesë e BE-së për aq kohë Shqiptarët nuk kanë hyrje në kutinë e
Pandorës dhe gënjehen rëndshëm nga ata që ia premtojnë atë.

Hyrja në BE, serioziteti dhe detyrimet që lidhen me anëtarësimin jam i sigurtë
se do i jepnin fund karrierës politike të z. Berisha dhe të atyre politikanëve që
ndajnë të njëjtat vlera me të. Por siç u përmend më sipër, mentaliteti politik më
shumë po e largon se sa po e afron Shqipërinë me BE-në. Ky është edhe shkaku
pse mbas njëzet vitesh tranzicioni e ardhmja e Shqipërisë është ende e pasigurtë.


Informacion mbi Shqipërinë e Berishës:

Anderson, Richard, et al. Postcommunism and the Theory of Democracy. Princeton &
Oxford: Princeton UP, 2001.
De Waal, Clarissa. Albania Today: a Portrait of Post-Communist Turbulence. London: Tauris,
Vickers, Miranda, and James Pettifer. Albania: From Anarchy to Balkan Identity. New York:
New York UP, 1997.
Human Rights Watch. Human Rights in Post-Communist Albania. USA: Human Rights
Watch, 1996.


"Shekulli": Erjus Mezini


_________________

Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1304
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Korrik 1990: Ambasadat

Mesazh nga Vizioner prej Sat Jul 10, 2010 8:09 pm

Korrik refugjatësh e botërori

Ditar 2-5 korrik 1990 / Reportazh nga një dritare pranë mureve të ambasadave.


Nga 2 korriku - dita dhe nata e represionit të ashpër të makinës së diktaturës mbi ata që guxonin të shprehnin kundërshtim ndaj rrjedhave "socialiste", te 5 korriku kur shteti ynë lejoi kapërcimin e mureve të ambasadave dhe deri te dalja e refugjatëve nga vendi

Tashmë 20 vite kanë shkuar nga hyrja masive e njerëzve në ambasadat e huaja në Tiranë, sidomos në atë gjermane dhe italiane, dhe ngjarjet kanë filluar të mjegullohen.

Ishin ditë kur askush s'mund të merrte me mend se ç'do të sillte e nesërmja dhe vetëm një gjë dihej me siguri: Muri i Berlinit kishte rënë, ishte shembur dhe gjithë perandoria e Lindjes, ndërsa vendet e ish-kampit socialist të Europës kishin kaluar të gjitha nga monopartitizmi, në sistemin politik pluralist.

Kishim mbetur vetëm ne që vazhdonim të përpëliteshim në ngushticën e botës sonë, të izoluar, të mbuluar nga terri i mungesës së informacionit. Media zyrtare bënte sikur asgjë s'po ndodhte në vend dhe mundohej të mbulonte ngjarjet e jashtëzakonshme, me propagandë dhe dezinformim.

Nga 2 korriku - dita dhe nata e represionit të ashpër të makinës së diktaturës mbi ata që guxonin të shprehnin kundërshtim ndaj rrjedhave "socialiste", te 5 korriku kur shteti ynë lejoi kapërcimin e mureve të ambasadave dhe deri te dalja e refugjatëve nga vendi, të mbrojtur nga diplomacia e këtyre shteteve, kaluan dy javë shpresash për ndryshim dhe zhgënjimesh, fjalësh të përhapura gojë më gojë e përgënjeshtrimesh.

Më pas, "e djathta" akuzoi shtetin e Partisë së Punës se me ngjarjet e 2 korrikut kishte dashur të zhvlerësonte ato që ndodhnin ndërkohë në Kosovë dhe pikërisht miratimin e Deklaratës Kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës, që më 2 korrik 1990 e shpalli Kosovën njësi të veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave, hap i domosdoshëm para shpalljes së pavarësisë.

Për të plotësuar njohuritë mbi atmosferën e asaj kohe mbase do shërbenin dhe këto shënime të mbajtura pikërisht në ato ditë të nxehta korriku.

Autorja drejton shtëpinë botuese "Mitrush Kuteli", si një nga trashëgimtarët e veprës së shkrimtarit Dhimitër Pasko. Në kohën kur mbahej ky ditar, ajo punonte regjisore montazhi në Kinostudion "Shqipëria e Re".


E hënë, 2 korrik 1990, ora 23

Me sa duket, korriku i sivjetëm po vjen me ngjarje të mëdha. Dje dhe sot kam parë (nga dritarja) gjëra që do të kisha dëshirë t'i ruaja në kujtesë siç i kam tani. Prandaj po ulem t'i shënoj, në këtë kohë që më mbetet nga punët e nga Botërori i futbollit.

Mbrëmë, në ditën e parë të korrikut, në orën 22:20, në kohën e dytë të ndeshjes Angli-Kamerun, papritur, afër fare dëgjohet një e shtënë revolveri. Pas saj, të shtëna të tjera që vijnë nga muri i prapmë i Ambasadës Gjermane. Ngre perden e dritares së dhomës dhe shikoj nëpër errësirë civilë të alarmuar që vrapojnë në rrugicë në drejtim të "murit gjerman".

Nga dritarja e aneksit, ku im shoq, Gjergji, po pi cigare, shikoj tjetër gjë: brenda oborrit të ambasadës, disa të rinj, mes të cilëve një vajzë me flokë të gjatë e të drejtë, ngjitin me vrap shkallët e verandës së "gjermanëve" dhe zhduken pas një dere. Drita e verandës, që kish qenë e ndezur, u fik.

Pas pak sekondash, ngjitin shkallët edhe dy të tjerë, që mbajnë për krahësh një të tretë. Ky duket si i plagosur. Bashkë me ta u zhdukën pas derës dhe gjermanët, që, siç më tha Gjergji, kishin qenë duke parë ndeshjen në verandë.

Ç'kishte ndodhur?

Një kamion rrangallë kishte ardhur me ngut nga Rruga Gjon Muzaka dhe ishte përplasur me murin gjerman, por s'e kish shembur dot. Nja 10-15 të rinj që u fol se kishin qenë të shtrirë mbi mbulesën e karrocerisë, ishin hedhur brenda murit, bashkë me shoferin të cilin, siç thanë, e kish plagosur polici-roje i murit. Të tjerët s'merret vesh ç'u bënë. Ca thonë i kapën, ca thonë ikën.
Sot në mëngjes, më 2 korrik, në punë (Kinostudio) mësova për një grup njerëzish që kishin hyrë në ambasadën turke me makinën e plehrave. Të tjerë thanë për ca dasmorë, që, si kishin mbaruar dasmën, kishin hyrë po në ambasadën turke. Me sa duket ishte e njëjta ngjarje...
Pasdite, rreth orës 19.10, ndërsa po bëheshim gati për të dalë nga shtëpia, u dëgjua papritur një zhurmë e fortë: diçka u përplas, diçka u shemb, pastaj një frenim makine dhe një heshtje e tmerrshme.
Vetëm pak sekonda heshtje, pastaj një o-o-o e gjatë gëzimi. Disa njerëz ngjitën me vrap shkallët e prapme të Ambasadës Gjermane, pastaj qëndruan te parmakët e verandës të përshëndesnin ata që i shikonin nga dritaret e shtëpive përreth, si dhe turmën që u grumbullua sakaq pranë ndërtesës së lagjes 9. Kjo turmë që mezi e përmbanin policët, duke mos mundur të bëjë gjë tjetër, shpërtheu në duartrokitje për t'iu përgjigjur atyre të verandës.
I shikoja të gjitha këto nga dritarja e aneksit, me Anën pothuaj tre vjeçe në krah, me sy të përlotur e me ngashërime.
Po përse me ngashërime? Mbase nga rreziku i madh që u ishte kanosur njerëzve... Apo nga që dikush kish marrë, më në fund, guximin për të vepruar kundër rregullave të rrepta të shtetit, që ende mundohet të na mbushë mendjen (me zor), se më mirë se sa ne, s'jeton askush në botë.
Pas pak dola dhe pashë nga afër vendin: makina kish hyrë e tëra brenda murit të ambasadës, pasi kish marrë përpara një grumbull hekurishtesh që policia (?) i kish vënë për të bllokuar rrugën.
(Çuditërisht, Rruga Gjon Muzaka nuk kishte qenë e zënë nga ai Zisi i vjetër, që prej disa ditësh ishte vënë tërthor disa metra larg murit të Ambasadës Gjermane, as mbrëmë, as sot!)
Në makinë u tha se kishin qenë mbi 30 vetë, jo vetëm të rinj, po edhe burra e gra me fëmijë.
Thanë edhe se këta kishin qenë të shoqëruar nga një dash, që shpreson të bëhet meze para se të arrijë në Gjermani (flitet se është nata e Kurban Bajramit).
Kur dolëm në rrugën e Kavajës (të tre: Gjergji, Ana dhe unë), për shëtitjen e pasdites, pamë një turmë të madhe kureshtarësh që policët s'i linin të hynin në Rrugën Skënderbej (rruga ku ndodhen ambasadat).
Xhiroja që bëhet zakonisht në Bulevardin e madh, është zhvendosur në Rrugën e Kavajës (e cila zyrtarisht duhet të quhet Konferenca e Pezës). Njerëzit kanë një dritë të veçantë në fytyrë. U xixëllojnë sytë.
Sa shumë ndryshojnë këta sy nga sytë e asaj gruas së moshuar pranë lagjes 9, që akuzonte sot policët se përse ata "lejojnë njerëzit të shikojnë e të gëzohen" për ata të tjerët që çanë murin e ambasadës. Kthehemi në shtëpi shpejt, rreth orës 20:30.
Kemi marrë vesh për një makinë tjetër që ka hyrë sot, nga darka, në Ambasadën Italiane. E para hyri nja dy javë të shkuara, e ngarkuar me 5-6 vetë. E sotmja thanë se kish pasur nja 15 vetë.
Serinë e makinave që sulmojnë muret e ambasadave e hapi një autobus fizarmonikë, nga ata të Shkodrës, që puthi murin e Ambasadës Greke para tri javësh, një mëngjes rreth orës 8:15.
Ky kish brenda vetëm dy vetë (njëri ishte shoferi, që pasi e solli autobusin me shpejtësi deri tek muri grek, duke kaluar nëpër Rrugën Frederik Shiroka ku nuk kalon ndonjë linjë autobusi, ndaloi po me aq vrull, me të prekur murin. Pastaj, bashkë me shokun e tij, kërcyen në pak sekonda murin grek, pasi hipën mbi autobus nga një baxho që hapej pothuaj mbi vendin e shoferit.
Kur ktheheshim në shtëpi, pashë se gazi i policisë që prej disa ditësh bllokon Rrugën Frederik Shiroka, i vendosur për së gjeri në mes të saj, sonte ishte zhvendosur pranë pallatit 4-katësh përballë Ambasadës Greke, duke e lënë rrugën të lirë. Kjo i bëri përshtypje edhe Gjergjit, por s'patëm kohë të komentonim gjatë. Rreth orës 21:30, kur po ushqeja Anën, dëgjojmë një zhurmë e një rrëmujë të madhe.
Hapim perden dhe shikojmë murin e ambasadës greke të prishur nga një Skodë që i ka hyrë tërthor dhe tani rri mes pluhurit duman, e ndarë për së gjati: gjysma e djathtë në Greqi, gjysma e majtë në Shqipëri. Nga karroceria e makinës hidhen 10-15 vetë në Greqi, i sulen ndërtesës më të afërt nga tri vilat e ambasadës, i bien me forcë derës metalike, pak metra larg murit.
S'di se pse njëri, në vend të hidhej në Greqi, ra në Shqipëri (mbase e tërhoqi ndokush nga "rojet e murit"). Ai vrapoi drejt errësirës përmes ca barishteve të larta në një fushë të lënë djerrë, prapa pallatit tonë.
E ndiqte një polic civil, që, duke vrapuar e shante rëndë nga nëna... Mbase po të mos kishte harxhuar energji për të sharë, do ta kish arritur. Për fat të mirë ndodhi kështu e jo ndryshe: polici vrapo e shaj, djaloshi vetëm vrapo (e quaj kështu nga vrapi që bënte, se të gjitha këto ndodhën kaq shpejt, pastaj ka rënë muzgu dhe fytyrat nuk dallohen mirë).
Përballë murit të prishur grumbullohen njerëz që shikojnë të heshtur ç'po ndodh 10 metra më tutje. Shikojnë, siç shikohet një film, me solemnitetin që krijon distanca nga ekrani, ku luajnë aktorët...
Selimeja, me cigare në dorë, kërkon e tmerruar djalin e saj të vetëm, 27-vjeçar, baba i tre fëmijëve. Lëviz mes njerëzve me emrin e të birit në gojë dhe nuk e vë re që ndodhet rreth tre metra më tutje. Ai vetë është kredhur në mendime dhe nuk ka nge t'i përgjigjet...
Papritur, turma gjallërohet: disa çunakë thërrasin, bëhen bashkë o-o-op, kërcejnë papritur përtej murit të rrëzuar dhe policët kapen në befasi dhe s'arrijnë t'i ndalojnë. Atëhere policë e civilë bashkë shtyjnë njerëzit që t'i largojnë nga muri. Këta, të inatosur, prapsen rreth 20-30 metra derisa ndeshin në dy grumbuj me gurë e tulla, ku po ndërtohet një shtëpi buzë rrugës.
Gurët e tullat bëhen armë dhe civilë e policë vrapojnë megjithë shkopinj në duar e mundohen të fshihen të gjithë pas një shtylle betoni. Bashkë me gurët e tullat, fluturojnë nga të dy drejtimet edhe shumë sharje të ndyra.
Sapo qetësohet gjendja (kureshtarët largohen njëri pas tjetrit), vjen një polic me vrap: "Shpejt, nga ana tjetër!"
Nga ana tjetër, do të thotë te Rruga Gjon Muzaka, që mbyllet nga muri i Ambasadës Gjermane, i çarë para dy orësh. Sakaq plasin dhe krismat, një luftë e vërtetë. Grumbulli që policët kishin larguar nga muri grek, i është sulur murit gjerman.
Fqinjët thonë se disa e kaluan, disa u kapën, të tjerët u trembën e ikën. Gjermanët dalin në verandë e thërrasin: "Nicht, nicht", që ne e kuptojmë "mos qëlloni".
Zhurma është shumë e madhe, po kështu edhe frika jonë.
Nga vendi ku zhvillohet kjo ngjarje na ndan kopshti i një shtëpie të vogël. Na vjen sikur do të na hyjë ndonjë plumb nëpër dritare. Një oshëtimë disi e largët, por e frikshme, vjen nga Rruga Skënderbej dhe nga Rruga e Kavajës.
Ana trembet, s'do të hajë. Do vetëm të flejë. Thotë që nuk i do zhurmat. Flitet se turma që sapo u shpërnda, do të vijë përsëri. Pranë mureve të ambasadave sjellin përforcime: policë, civilë, mbase sampistë, gardistë. Bashkë me ta ruajnë edhe tre qen të mëdhenj...
Nata qetësohet.
Bëjnë pak zhurmë vetëm gjermanët, që siç më thotë Gjergji, po e ndërtojnë vetë murin e tyre. Njerëzit që ruajnë pranë pallatit tonë (rreth 20), bisedojnë me zë të ulët. Qentë janë të shqetësuar.
Edhe dashi i Ambasadës Gjermane. Edhe unë që po shkruaj këto radhë, ulur përdhe. Pesë orë rresht në një pikë të aneksit ku s'mund të më shikojnë edhe sikur të ngjiten në dritare. Po kush? Policët? Përse???
Mani persekutimi, apo kujdes prej maniaku?
Qielli u zbardh. Makina murthyese ka mbetur me drita ndezur, e ndarë mes Shqipërisë e Greqisë.
Flitet se sot (e martë, 3 korrik), do të vijnë njerëz nga Shkodra. Të gjitha rrugicat që çojnë në muret e ambasadave janë mbushur plot policë. Lejohen të kalojnë vetëm ata që kanë shtëpitë aty.
Policët qëndrojnë tre nga tre e shoqërohen edhe nga civilë.
Në punë më presin me padurim që t'u tregoj ç'kam parë nga dritaret e shtëpisë. Mësoj edhe unë ato që kanë parë apo kanë dëgjuar të tjerët. Ajo që më bën më shumë përshtypje është sulmi i sampistëve mbrëmë mbi njerëzit në rrugën e Kavajës. Prandaj vinte deri te ne ajo oshëtimë e largët.
Njerëzit që thërrisnin "o burra, trima shqiptarë" ishin sulmuar nga sampistët e sjellë aty me makina ushtarake. Thanë se këta sampistë kishin qenë të pajisur me mburoja e me pistoleta të vogla, të gjelbra, me korrent, që i paralizonin njerëzit. Siç tregohej, ata që mbeteshin shtrirë e nuk iknin dot me vrap, i ngarkonin nëpër makina.
Flitej se ndaj të gdhirë kish pasur kontrolle nëpër shtëpitë e rrugës së Kavajës për të zbuluar nëse atje kishin qëndruar mysafirë gjatë natës.
U kontrolluan e u numëruan edhe pjatat e palara. Në rrugë, në autobus, në punë, s'ka asnjë temë tjetër. Po përmendet dhe Mali me Gropa, se thonë që atje i kanë çuar.
Gjatë ditës, pranë Stabilimentit janë grumbulluar kaq shumë njerëz, sa të duket sikur je në miting. Shumë të rinj, shumë policë, shumë spiunë.
Këta të fundit janë të mobilizuar në gradën më të lartë të devocionit, ndjekin me biçikleta njerëzit që i dyshojnë, duan të zbulojnë "krerët". Në asnjë mënyrë s'mund të heqin dorë nga teoria e konspiracionit imperialist, që kërkon të turbullojë këtë parajsën tonë tokësore... Por me të filluar ndeshja Argjentinë-Itali, rruga pothuaj boshatiset. Kamionët mbledhin policët e qëndrojnë në gatishmëri.
Të dyja rrugicat që çojnë te shtëpia jonë janë të bllokuara për automjetet, njëra me një kamion të madh me karroceri të mbuluar, tjetra me një makinë-vinç. Sa fillon koha shtesë e ndeshjes, dëgjohet një krismë e fortë, po s'marrim dot vesh se ç'ka ndodhur.
Në mbrëmje, pranë Bankës, një numër i madh të rinjsh mbanin "rrethuar" një makinë policie. Qëndronin në distancë dhe i bënin "karshillëk" me krahë të kryqëzuar, në heshtje.
Në mëngjesin e 4 korrikut, që në orën 5:30, pranë murit të Ambasadës Greke afrohen dy gra. Bisedojnë me policët me zë të lartë.
Tani muret ruhen fort, në dy-tre metra një polic, me shkop në dorë. Siç kuptohet, njërës nga gratë i ka hyrë djali në Ambasadën Gjermane. Pas dy të parave, vijnë edhe gra të tjera. Ngjiten në shkallët e pallatit tonë dhe thërrasin fëmijët.
Ndjehet një gjë jo e natyrshme në sjelljen e tyre. Kur shkoj në punë mësoj se nëpër ndërmarrje janë bërë mbledhje dhe janë vënë para përgjegjësisë familjet e njerëzve që hynë nëpër ambasada.
(Qeverisë sonë iu hapën këto avaze fill mbasi ndryshoi ligji dhe arratisja nuk quhet më tradhti ndaj atdheut. Deri tani njerëzit kishin ruajtur jo vetëm veten, po edhe familjen e të afërmit, që do ndëshkoheshin rëndë për shkak të tyre).
Krisma e mbrëmshme ishte shkaktuar nga një bombë rudimentare që s'dihet kush e kishte vënë në oborrin e Ambasadës Kubane. Zhurmë e madhe, por vetëm xhame të thyera.
Kjo është ambasada që ia dorëzoi qeverisë sonë njerëzit e hyrë nga muret. Banorët e pallateve aty pranë ishin tmerruar nga mënyra se si policia kërkonte fajtorët. Në shumë shtëpi kishte pasur mysafirë që kishin shkuar për të parë ndeshjen së bashku.
Çdo njeri që nuk ndodhej në shtëpinë e vet, për policinë ishte i dyshimtë. Me automatikë në duar ata qëndronin nëpër hyrjet e pallateve dhe pengonin daljen e njerëzve që kërkonin të shkonin në shtëpitë e tyre.
Të gjithë kishin frikë mos përsëritej ajo që kish ndodhur një natë më parë në rrugën e Kavajës. I lanë të largoheshin pas mesnate, pasi u kishin marrë adresat dhe numrin e pasaportës.
Në mbrëmje, kur po kalonim nga Sheshi "Skënderbej" për t'u kthyer në shtëpi, të tre mbi një biçikletë, dëgjuam tri krisma të forta një pas një, që vinin nga hyrja e Rrugës së Durrësit.
Njerëzit u nisën vrap të shihnin se ç'kish ndodhur, mbase dhe me dëshirën që diçka të kish ndodhur... Kishte plasur një gomë biçiklete. (Për këtë gomë folëm më pas edhe në punë.) S'mbetet zhurmë pa u regjistruar. Të gjithë presin, por askush nuk e di se çfarë...

-vijon-


_________________

Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1304
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Korrik 1990: Ambasadat

Mesazh nga Vizioner prej Sat Jul 10, 2010 8:17 pm

...Kapërcimi i murit gjerman

Ditar 2-5 korrik 1990 / Reportazh nga një dritare pranë mureve të ambasadave: Ata brenda ambasadës kanë nevojë për veshje, ujë, cigare... Për një shishe ujë japin 1000 lekë të vjetra, për tri paketa "Partizani", një orë elektronike

* * *
Mëngjesi i 5 korrikut (e enjte), gdhiu si gjithnjë, me rrugët të bllokuara e me policët në gatishmëri. Dy rrugicat që çojnë tek muret e Ambasadës Greke tani janë zënë jo me makina, por me dy kolona të mëdha betoni, rreth 60 cm të larta, që do t'i kenë marrë nga ndonjë ndërtesë e prishur.

Që të kalosh duhet ose t'i kapërcesh (disi e vështirë, sidomos po të jesh ngarkuar me trajsta), ose të prekësh muret e shtëpive anash.

Aty afër drekës, një gjë e çuditshme: pjesa e rrugicës Justin Godar nga Rruga Frederik Shiroka deri tek muri i Ambasadës Gjermane, "hapet" (d.m.th. largohen policët që deri tani s'lejonin të afrohej njeri).

Mbeten vetëm nja dy policë tek hyrja e Ambasadës Greke. Dy çuna të rinj, pasi flasin diçka me njërin polic, nisen drejt rrugicës së ngushtë që mbyllet nga muri i Ambasadës Gjermane dhe kalojnë përtej.

Polici s'bën as orvatjen më të vogël për t'i ndaluar. Pas tyre nisen dy-tre të tjerë, që sikur mbijnë nga dheu, pastaj të tjerë e të tjerë. Hipin tek muri i ulët i një oborri, pastaj vënë këmbën tek një çati furriku pulash, që aty tek muri gjerman e më pas hidhen poshtë e bien drejt e në Gjermani.
Krijohet, sa mbyll e hap sytë, turma e kureshtarëve që sa vjen e rritet.

Njerëzit që vijnë për të kaluar përtej, futen një herë mes turmës, shikojnë se si kalojnë të tjerët, sigurohen që me gjithë mend mund të kalohet, pastaj, si rastësisht, shkëputen nga turma dhe rruga të çon vetë në Gjermani. Ka edhe shumë çifte që i afrohen murit të kapur dorë për dore.

Dalin tek dera disa punonjës të ambasadës greke, shikojnë, qeshin. Në mes të turmës së kureshtarëve ka edhe dy-tre policë. Kuptohet, sot kanë marrë urdhra të tjera. Duket sikur s'janë ata që para një dite bëheshin si të çmendur kur ndokush i afrohej sadopak territorit të ndaluar, apo edhe kur vetëm hidhte sytë andej.

Mureve të ambasadës gjermane kacavirren përherë e më shumë njerëz. Ngjiten jo vetëm këtej, nga Rruga "Frederik Shiroka", po edhe nga dy pika të tjera, te rrugëzat Gjon Muzaka e Xhezmi Delli, ndërsa dera në rrugën Skënderbej është e mbyllur, por mund të hysh nëse je i zoti t'u kacavirresh kangjellave...

Në përgjithësi hyjnë të rinj, por ka edhe burra e gra që vijnë bashkë me fëmijët. Tok me të tjerët iku dhe ndihmës bojaxhiu që po lyente shtëpinë e fqinjës përballë apartamentit tonë, ndërsa vetë mjeshtri qëndroi dhe vazhdoi të lyente pa ndihmës.

Në krye të shkallëve të Ambasadës Gjermane dalin tre nëpunës. Njëri zbret dhe pas pak vjen përballë hyrjes së Ambasadës Greke, shikon prapa pallatit 4-katësh atë sheshin djerrë, plot barishte, të mbyllur nga tri anë, përballë murit të Ambasadës Greke. Duart i mban në xhepat e pantallonave mjaft të gjëra. I ndritin faqet dhe kravata e kuqe. Është i pakët e ngjan me një Hitler të ri.

Edhe flokët i mban si modeli i tij paraardhës, po ashtu mustaqet. Ngjitet mbi një si bregore të vogël përballë hyrjes së ambasadës greke, shikon sa shikon, pastaj largohet pa folur me njeri.

Dalloj Eva Pëllumbin që i afrohet murit, me vajzën për dore e me një qese të vogël në dorën tjetër.

Një 12-13 vjeçare nxiton. "Prit", i thërresin nga turma "ku shkon, je e vogël!". Por ajo s'ndalon, përgjigjet duke ecur: "Më thërret vëllai", - dhe tregon me dorë Ambasadën Gjermane.

Një grua e re tepër-tepër e shëndoshë vjen rrotull, bisedon me tre burra që e shoqërojnë, më në fund vendos: i afrohet murit, ata e ndihmojnë dhe ngjitet e hidhet matanë. Disa vijnë me biçikleta, i braktisin rrëzë pallatit tonë, pastaj çajnë përpara drejt murit gjerman.

Policët s'ndalojnë njeri, vetëm u flasin atyre që rrinë për të parë: "Ju lutem largohuni. Kush të dojë, mund të hyjë, këtu mos rrini, na pengoni..." S'arrij të kuptoj përse pengohet ky polic, por s'kam kë të pyes...

Drekën e hamë vonë. Nesër do të lyejmë shtëpinë. Pa u ngritur nga tryeza, troket dera. Hyjnë një polic e një civil. Polici, fytyrë e njohur, nga këta që ruajnë murin (mendojmë se duan ujë, shpesh na trokasin policët në këto ditë të nxehta). Ata na kërkojnë ndjesë për shqetësimin dhe i afrohen dritares.

Befas, civili i veshur me xhaketë, nxjerr një kamera të vogël që e mbante nën sqetull, brenda xhaketës dhe kërkon të filmojë ata që kalojnë murin. Kamera më duket e përsosur...

Shikohemi sy në sy me Gjergjin. Me siguri edhe ai mendon si unë, që këtë s'duhet ta lejojmë të bëhet nga shtëpia jonë. Por s'qe nevoja për asnjë reagim: pa kaluar një minutë, ata e kuptojnë që vendi s'ishte i përshtatshëm dhe se duhej një pikë më ballore. Kur dalin, marrim frymë të lehtësuar.

Sa bie nata rrugët e rrugicat bllokohen, patrullat e policëve s'lënë të kalojë as miza. Jo vetëm për të hyrë, por çuditërisht as për të dalë. Ne që duam të dalim nga zona, se do flemë tek Mamaja, meqë shtëpinë e kemi bërë gati për ta lyer, s'na lënë të dalim...

Kudo policët na thonë se atje ku ruajnë ata s'lejohet kalimi dhe na dërgojnë në pikat e tjera, por edhe atje ka policë të tjerë dhe përsëritet e njëjta gjë. Më në fund arrijmë tek unaza, përballë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, por sërish një patrullë. Na kërkojnë pasaportat, por nuk i shikojnë. Na pyesin vetëm nëse jemi nga Tirana dhe më në fund arrijmë të dalim nga rrethimi.

Kur kthehem në shtëpi (të premten në mëngjes) shikoj se ndryshe nga mëngjesi i kaluar, një pjesë e rrugicave kanë mbetur të bllokuara. Megjithatë, rruga "për në Gjermani" nuk është krejt e mbyllur. Njerëzit lejohen të hyjnë, por vetëm nga Rruga "Gjon Muzaka". Shikoj që kalojnë aty vargje njerëzish - burra, gra e fëmijë duken nga rrethet, me shumë, shumë trajsta...

Rruga e Kavajës është plot me policë e ushtarë. Në trotuare seç po hapin ca gropa. Ushtarët rrinë gatitu me lopata të vogla të xhenios në brez (thonë se këto i kanë për armë, që "armikun" të mos e vrasin, por vetëm ta pengojnë).

Është paradite jave, megjithatë në rrugë ka shumë njerëz, më shumë se në një pasdite të diel. Policët rrinë katër nga katër në çdo dhjetë metra. Ka edhe shumë civilë, me shirita të kuq krahut, të ashpër, të egërsuar, të frikësuar. Urbani s'ndalon më as te Kisha katolike, as te stabilimenti.

Në Rrugën e Kavajës dhe në Rrugën e Durrësit, 50 metra para dhe pas pikave të takimit me Rrugën Skënderbej ushtarët kanë gjelbëruar trotuaret, duke qëndruar ngjitur pas njëri-tjetrit, vende-vende edhe në dy rreshta. Nuk krijojnë gardh, po mur. Për të hyrë te ushqimorja në Rrugën e Durrësit, duhet të kalosh nëpër një rrugicë të blertë ushtarësh me lopata brezit.

Në zonën "e ndaluar", qetësi. Dy-tre policë, tre katër civilë.
Sot (është e shtunë), rreth e rrotull Ambasadës Gjermane fryn një erë alarmi. E përhapin vetë policët që s'lënë të lëvizin as banorët e lagjes.

Anës i janë shfaqur puçrat dhe e skuqura e fruthit, por mjeku nuk sillet dot deri te shtëpia jonë. Bëhem ndërmjetës, vizita bëhet me korrespondencë, për fat e kam kaluar këtë sëmundje kur isha 20 vjeç dhe mbaj mend disa gjëra...

Policët thonë se do hyjnë t'i nxjerrin "refugjatët" nga ambasada. Presim me ankth se ç'do të ndodhë. "Refugjatët" rrinë të qetë majë mureve (për të parë se ç'ndodh në Atdheun nga i cili mezi presin të largohen).

Ata u bënë të parët banorë të shtëpisë së posandërtuar të ambasadorit, brenda selisë së Ambasadës së Gjermanisë Perëndimore (u nis si e tillë dhe përfundoi si Ambasadë e Gjermanisë së ribashkuar). Nga sa thonë vetë "refugjatët", ata presin vetëm t'u bëhen gati pasaportat e të nisen për në Gjermani. Me siguri s'dinë gjë për ato që fliten jashtë mureve...

Ndërkaq ne nuk zëmë dot punë me dorë. Mbetemi dritareve duke pirë duhan. Thonë se "sulmi" mbi ambasadë do të bëhet kur të fillojë ndeshja Itali-Angli. Ndeshja fillon e mbaron dhe për fat nuk ndodh asgjë.

Nga ora një e natës dëgjohet një gurgule e madhe brenda mureve. Bërtasin: bjeri, mor zagarit!.. shtypja kokën!.. me tullë, mor me tullë!.. Në gurgule përzjehen përherë e më shumë zëra. Pastaj platiten. Mendojmë se do jetë zbuluar ndonjë "spiun".

S'ka gjumë as brenda, as jashtë mureve. Ndjehet frymëmarrja e një turme shumë të madhe.

Dëgjohen të kollitura (nata është e freskët), por mund ta kenë edhe nga duhani. Herë pas here edhe të qara fëmijësh. Thonë se ambasadat që kanë pritur "refugjatë" u kanë kërkuar shteteve të tyre ushqime dhe mbulesa për të fjetur, por shteti ynë s'i ka lejuar avionët të ulen.

Erdhi e diela. Ata nga brenda mureve thonë se do t'i nisin të hënën. Policët shtohen, po ashtu dhe ushtarët.

Kudo nëpër rrugë ka makina ushtarake. Që të vish në shtëpi, duhet t'i biesh rreth e rrotull nëpër diell, të kalosh nëpër disa postblloqe ku mund të të kontrollojnë edhe çantën, madje edhe sasinë e ushqimeve që çon në shtëpinë tënde (nga frika se mos shkojnë për ata brenda mureve të ambasadës).

Ndërkaq, këta kanë filluar të komunikojnë me të afërmit, kur mundin, nga tarraca e pallatit tonë (që është mjaft afër) dhe nga një pallat tjetër, shumë më larg.

S'arrij ta përfytyroj se si mund të merren vesh, por që nga muret dërgojnë të fala për gjysh e për gjyshe, kërkojnë që dikush të kujdeset për kanarinën...

Përsëri flitet se policët mund të sulmojnë. Ndërkaq, ata brenda ambasadës kanë nevojë për veshje, ujë, cigare... Për një shishe ujë japin 1000 lekë të vjetra (e tmerrshme, një të pestën ose një të gjashtën e një rroge mesatare!) për tri paketa "Partizani", një orë elektronike, për të sjellë e për të futur brenda mureve gruan dhe fëmijët që presin përtej, 40 000 lekë të vjetra.

Policët e ushtarët grinden me njëri-tjetrin për të zënë atë pjesë muri brenda një shtëpie private, ku mund të bëhen pazaret mes ruajtësve dhe të ruajturve, pa rënë në sy.

Më në fund, finalja e botërorit, Gjermani-Argjentinë. Britma e tifozllëk mijëra-zërash për skuadrën gjermane, si në stadium. Sa mbaron, shpërthejnë brohoritjet "Dojçland! Dojçland!". Pastaj "Liri-Demokraci!" Me sa kuptohet u ka hipur të dalin "për miting" në Rrugën Skënderbej. Policët vrapojnë të shqetësuar.

Dalëngadalë zërat pushojnë, por refugjatët nuk flenë. Disa rrinë deri vonë më këmbë, majë mureve të Ambasadës Gjermane dhe në murin që ndan këtë nga ambasada greke. Shumë të tjerë rrinë në ballkonin e shtëpisë së ambasadorit, në parvaz, me këmbët varur përjashta, apo ulur në parvazet e dritareve.

Duken si të lodhur, mbase nga pritja, mbase nga kushtet e vështira, por sidoqoftë, mbahen mjaft mirë. Kanë filluar edhe të lajnë veshjet, që i ndejnë për t'u tharë në parvazet e ballkonit dhe në disa tela mbi garazhin e Ambasadës Greke. Herë pas here mblidhen dhe dikush u flet shqip, por s'e kuptojmë për çfarë bëhet fjalë.

Dëgjohen qartë vetëm brohoritjet për demokracinë dhe kundër diktaturës. Nëpër Tiranë po qarkullojnë fjalë se "gjermani u ka bërë gjilpëra djemve tanë e ata janë shushatur", "janë bërë si qentë, hiqen zvarrë", "njerëzit e familjes u flasin, por ata veç i shikojnë në sy, si budallenj..." Kështu thoshte sot e sigurt edhe një plakë në autobus.

Në Kinostudio mësoj se rebeli i përhershëm, Ilir Demalia, që ka hyrë në Ambasadën Gjermane, i mbledh "vëllezërit shqiptarë" dhe i këshillon të sillen në mënyrë të qytetëruar, pasi tashmë ndodhen "në tokë të huaj".

Ne i shikojmë me respekt e dhembshuri, dhe me pak keqardhje se vendosën të largohen tani kur këtu gjërat po ndryshojnë. Megjithëse vetë këta refugjatë mbase janë pjesë e ndryshimit, ne as që na shkon mendja të hyjmë në ambasadë.

"S'kemi ç'bëjmë, çupë, edhe im atë, edhe yt atë, janë treguar budallenj" - bën shaka im shoq, duke nënkuptuar faktin se i ati, dëshmor, ish vrarë më 1944 nga pushtuesit nazistë, ndërsa im atë ishte konfliktuar po me ata për çështje të monedhës, si ekonomist kur ishte konsulent në Bankë.

E vërteta është se asnjërit nga ne nuk i vjen për mbarë të lërë pas çdo gjë që kemi këtu, të fillojmë një jetë të re... ndonëse do ta kishim aq të lehtë, deri në momentin e fundit dhe ndonëse ai ka studjuar në Gjermaninë Lindore dhe flet gjermanisht...

E enjte, vjen më në fund dhe nata e nisjes. Të gjithë kanë dalë në oborrin e pasëm të ambasadës dhe dikush lexon emrat. Listat janë 200-vetëshe. Fillojnë me Albana, Arben, Artan, mbarojnë me Ylli, Zamir, Zana. S'di se sa lista u lexuan, por kam përshtypjen se ishin më se 15 lista. Mes tyre dhe shumë mbiemra të njohur.

Njerëzit dalin nga hyrja kryesore dhe hipin në autobusët që i presin te Rruga Skënderbej. Tek Ambasada Greke vetëm një autobus, ku hipin nja 7-8 vetë. Me sa kuptohet, të tjerët kanë kaluar edhe një mur tjetër dhe që nga Greqia janë hedhur në Gjermani.

E premtja sjell qetësi dhe një ndjenjë zbrazësie. Pastruesit e rrugëve kanë mbledhur me qindra letra me porosi për familjarët, mbase dhe ndonjë kërkim ndjese nga dikush që u nis pa lajmëruar... se ashtu i erdhën punët, se s'pati mundësi të dërgojë fjalë.

Në shkallët e pallatit tonë ngjitet, duke u kapur pas parmakut një pesëvjeçar që thërret me sa mundet: Liri-Demokraci, Liri-Demokraci...
Del me vrap e ëma dhe e tërheq brenda.

Marre nga "Shekulli"
Autor:Atalanta Pasko

_________________

Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1304
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Korrik 1990: Ambasadat

Mesazh nga Sponsored content Today at 10:54 pm


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi