Forumi Evolucion


Join the forum, it's quick and easy

Forumi Evolucion
Forumi Evolucion
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Rishkimi i historisë së evolucionit njerëzor

Shko poshtë

Rishkimi i historisë së evolucionit njerëzor Empty Rishkimi i historisë së evolucionit njerëzor

Mesazh nga Sennia Thu Mar 11, 2010 4:15 pm

Rishkimi i historisë së evolucionit njerëzor Gobekl10

Një kompleks tempujsh në Turqi që janë ndërtuar edhe më parë se piramidat është duke rishkruar historinë e evolucionit njerëzor

E quajnë kodra barkdalë, për shkak të konturit të rrumbullakët të këtij vendi në Turqinë juglindore. Në veri ka male me pyje. Në lindje të kodrës është rrafshnalta biblike e Harranit dhe në jug është kufiri sirian, i dukshëm 20 milje larg, që çon drejt tokave të lashta të Mesopotamisë dhe të Gjysmëhënës pjellore, rajoni që i dha jetë qytetërimit njerëzor. Dhe nën këmbët tona, sipas arkeologut Klaus Schmidt, janë gurët që shenjojnë pikërisht pikën prej ku njeriu e nisi atë ngjitje.

Tek qëndron mbi kodër në agim, duke mbikëqyrur në ekip prej 40 gërmuesish kurdë, arkeologu gjerman tregfon me dorë zbulimin e tij këtu, një revolucion në historinë e origjinës së njeriut. Schmidt ka zbuluar një kompleks shumë të madh dhe shumë të bukur tempujsh, një strukturë kaq e lashtë saqë mund të jetë e para gjë që qeniet njerëzore kanë ndërtuar ndonjëherë.

Ky vend nuk është thjesht i lashtë, ai në fakt jep një ripërcaktim të së djathtës: tempulli u ndërtua 11500 vjet më parë - është tronditëse: 7000 vite përpara Piramidës së Madhe dhe më shumë se 6000 vite përpara se Stonehenge të merrte formë.

Rrënojat janë kaq të hershme, saqë ato datojnë shumë përpara fshatrave, poçarisë, kafshëve të zbutura dhe madje edhe bujqësisë - thëngjijtë e parë të qytetërimit. Në fakt, Schmidt mendon se vetë tempulli, i ndërtuar pas fundit të të fundmes Epokë e Akullt u bë ai thëngjill - ishte shkëndija që lançoi njerëzimin drejt bujqësisë e blegtorisë, jetës urbane dhe të gjithë të tjerave që pasuan.

Göbekli Tepe - emri në turqisht për "kodrën barkdalë" - paraqet artin dhe fenë në fillimin e atij udhëtimi. Pas disa vitesh punë plot durim, Schmidt ka zbuluar atë që ai mendon se është prova përfundimtare që këtu ka qenë një vendndodhje gjigante ceremonialësh "një Romë e Epokës së Akullnajës", siç thotë ai, ku gjuetarët u mblodhën për të ndërtuar një komunitet fetar. Përtej kodrës, ai ka gjetur rrathë të skalitur prej guri, me dysheme e parketë si dhe stola dysh. Të gjithë rrathët kanë kolona në formë T-je që të kujtojnë monolitët e Ishullit të Pashkëve.

Ndonëse jo aq i madh sa Stonehenge - rrethi më i madh është 27 metra në diametër, ndërsa kolonat më të gjata janë 5 metra - rrënojat janë mbresëlënëse në numër. Vitin që kaloi Schmidt gjeti shembullin e tretë dhe të katërt të tempullit. Radarë që penetrojnë në tokë tregojnë se janë edhe 15 apo 20 rrënoja të tjera të tilla monumentale nën sipërfaqe.

Ekipi gjermano-turk i Schmidt ka zbuluar gjithashtu 50 prej kolonave shumë të mëdha, duke përfshirë dy që u gjetën gjatë sezonit më të fundit të gërmimeve që nuk janë ende më të mëdhatë, por, sipas gjetjes së moshës me metodën e karbonit, janë veprat monumentale të artit më të lashta në botë.

Zbulimet e reja janë duke riformësuar më në fund konsensusin e avashtë të arkeologjisë. Göbekli Tepe është "jashtëzakonisht shumë e madhe dhe e mrekullueshme, dhe i përket një date shumë të lashtë", sipas Ian Hodder, drejtor i programit të arkeologjisë në Stanford.

I mbushur me entuziazëm nga "gurët shumë të mëdhenj si dhe artin e mrekullueshëm" në Gobekli, Hodder - i cili ka kaluar dekada të tëra në vendgërmime rivalë neolitikë - thotë: "Shumë njerëz mendojnë se kjo ndryshon gjithçka... Ajo e përmbys të gjithë karrocën me mollë. Të gjithë teoritë tona kanë qenë të gabuara".

Teza e Schmidt është e thjeshtë dhe e guximshme: ishte nevoja për të besuar që bashkoi njerëzimin në grumbullimet e para urbane. Nevoja për të ngritur dhe mirëmbajtur këtë tempull, thotë ai, i bëri ndërtuesit që të viheshin në kërkim të burimeve të qëndrueshme të ushqimit, si drithëra si dhe kafshë që mund të zbuteshin dhe më pas të vendoseshin për të ruajtur mënyrën e tyre të re të jetesës. Tempulli lindi qytetin.

Kjo teori përmbys një kronologji standarde të origjinës njerëzore, sipas të cilës njeriu primitiv kaloi nëpër një "revolucion neolitik" 10 000 - 12 000 vjet më parë. Sipas modelit të vjetër, në fillim u shfaqën barinjtë dhe bujqit, dhe më pas këta krijuan qeramikën, fshatra, qytete, punë të specializuar, mbretër, shkrim, art dhe - diku rrugës drejt aeroplanit - organizuan fenë. Deri tek Jean-Jacques Rousseau, mendimtarët kanë argumentuar se ngjeshja sociale e qyteteve erdhi në fillim dhe vetëm pas kësaj erdhën fetë me tempujt e tyre madhështorë, një model që vazhdon të ofrohet sot në shkolla.

Feja tashmë shfaqet kaq herët në jetën e civilizuar - më herët se sa jeta e civilizuar, nëse Schmidt ka të drejtë - saqë disa mendojnë se ajo mund të jetë më pak një produkt kulture dhe më shumë një shkak i saj, më pak një zbulim dhe më shumë një trashëgimi gjenetike. Arkeologu Jacques Cauvin dikur ka parashtruar se, "fillimi i perëndive ishte fillimi i bujqësisë" dhe Gobekli mund të vërtetojë këtë teori të tijën.

Ndërtuesit e Göbekli Tepe nuk mund të shkruanin apo të linin shpjegime të tjerë mbi punën e tyre. Schmidt spekulon që grupe nomadë nga 100 milje larg në çdo drejtim kishin nisur të mblidheshin këtu për ritualë, gosti, si dhe rite të tjerë që përpara se të priteshin gurët e parë. Qëllimi fetar i këtij vendi lihet të kuptohet nga madhësia dhe vendndodhja e tij. "Nuk mund të zhvendosësh gurë 10 tonë pa arsye", vëren Schmidt. "Tempujt duhet të jenë në vende të lartë", shton ai, duke treguar me dorë nga kodra. "Vendet e shenjtë ndërtohen larg nga bota e përditshme".

Ndryshe nga shumica e zbulimeve prej botës antike, Göbekli Tepe u gjet e paprekur, gurët në këmbë, rendi dhe pamja artistike e veprave e dallueshme edhe për syrin e pastërvitur. Më mbresëlënës është skalitja e gjetur në pothuajse gjysmën e 50 kolonave që Schmidt ka zbuluar.

Ka disa simbole abstraktë, por vendi është pothuajse i mbuluar me skulptura shumë të bukura natyraliste dhe bazo-relievë të kafshëve që kanë qenë të pranishme në imagjinatën e gjahtarëve. Ka derra të egër dhe gjedhë, bashkë me totema të fuqisë dhe inteligjencës, si luanë, dhelpra dhe leopardë. Shumë prej kolonave më të mëdha janë të skalitura me krahë, duke përfshirë shpatulla, kapakë sysh dhe gishtërnj.

Forma T duket se tregon humanoidë në kulla, por nuk kanë fytyra. "Në Bibël tregohet se si Zoti krijoi njeriun sipas imazhit të tij", thotë Glenn Schwartz, arkeolog i Johns Hopkins. Göbekli Tepe thotë se, "është hera e parë që mund të shohësh qenie njerëzore me këtë ide, që ata u ngjajnë perëndive".

Tempujt ofrojnë kështu prova të papritura që njerëzimi doli nga mbretërimi 140 000-vjeçar i gjahtarëve me një fjalor të gatshëm imazhesh spiritualë dhe në gjendje për të bërë përpjekje të mëdha logjistike, ekonomike dhe politike. Një katolik i lindur në Frankonia, në Gjermani, Schmidt vjen vërdallë nëpër vendin e gërmimit me një çallmë, duke nxjerrë në dukje provat e këtij tranzicioni. "Njerëzit këtu shpikën bujqësinë. Ata kanë qenë shpikës të bimëve të kultivuara, të arkitekturës së brendshme", thotë ai.

Göbekli Tepe ndodhet në majën më veriore të Gjysmëhënës pjellore, një zonë kufitare produktive, pranë të cilës ka pyje të shumtë. Zona ka qenë ideale për gjahtarët në lashtësi. Gazela të egra vazhdojnë të migrojnë këtu dy herë në vit siç kanë bërë 11 mijëvjeçarë më parë dhe zogjtë fluturojnë mbi kokë në tufa të gjata.

Hartëzimi gjenetik tregon se rritja për herë të parë e drithërave nga njeriu ka ndodhur pikërisht në këtë zonë - ndoshta në një nga malet e dukshëm në distancë - disa shekuj pas zbulimit të Göbekli. Edhe administrimi i kafshëve nisi po këtu - derrat e parë të zbutur erdhën nga zona përreth afërsisht në vitin 8000 para Krishtit dhe gjedhët u zbutën në Turqi përpara vitit 6500 para Krishtit. Pas kësaj erdhën produktet e qeramikës.

Këto zbulime u derdhën më pas në vende si Çatalhöyük, fshati më i vjetër neolotik që ne njohim, që ndodhet 300 milje më në perëndim.

Aretistët e Göbekli Tepe kanë pikturuar tufa të atyre që Schmidt i quan krijesa "të frikshme dhe të shpifura": akrepë, merimanga, gjarpërinj, monstra me tre dhëmbë dhe më të zakonshëm nga të gjithë, kërma zogjsh.

Punimi më i madh me gdhendje tregon një hutë mbi një njeri pa kokë. Schmidt teorizon se kufomat e njerëzve silleshin këtu në majë të kodrës për t'u konsumuar nga zogjtë - ajo që një tibetian do ta quante varrim qiellor. Shoshitja e disa tonë dheu që janë nxjerrë nga ky vend ka prodhuar shumë pak kocka njerëzish, ndoshta sepse këta janë zhvendosur atëherë në shtëpi të larta.

Mungesa është burimi i pretendimit të madh teorik të Schmidt. "Nuk ka gjurmë të jetës së përditshme", shpjegon ai. "Nuk ka gropa zjarri. Nuk ka pirgje plehërash. Nuk ka ujë këtu". Çdo gjë, që nga ushqimi deri tek stralli duhej të importoheshin, pra ky vend "nuk ka qenë në fshat", thotë Schmidt. Përderisa tempujt janë më të vjetër se çdo lloj vendbanimi i gjetur, kudo, Schmidt konkludon se shtëpia e parë e njeriut ka qenë një shtëpi adhurimi: "Në fillim tempulli, pastaj qyteti", këmbëngul ai.

Disa arkeologë, si Hodder, specialisti i periudhës neolitike, pyesin nëse Schmidt-it thjesht i kanë shpëtuar provat e një fshati apo nëse datimi që ai i ka bërë vendit nuk është shumë i saktë.

Por arsyeja e vërtetë përse rrënojat në Göbekli Tepe mbeten pothuajse të panjohura, ende të papërfshira në tekste shkollorë, është se provat janë shumë të forta dhe jo shumë të dobëta. "Problemi me këtë zbulim, - siç thotë Schwartz, - është se ai është unik". Nuk është gjetur asnjë vend tjetër monumental që t'i përkasë të njëjtës epokë.

Përpara Göbekli Tepe, njerëzit vizatonin figura shkopinjsh në mure shpellash, me argjilë krijonin kukulla të vogla dhe ndoshta bënin bashkë disa gurë për strehim apo lutje. Edhe pas Göbekli Tepe, ka shumë pak prova për ndërtime të sofistikuar.

Gjetja e datës për vendet e lashtë është diçka që gjithmonë kontestohet, por Çatalhoyuk është ndoshta 1500 vite më i ri se sa Göbekli Tepe dhe ai nuk ka skalitje apo ndërtime të mëdha. Muret e Xherikos, që deri sot mendohet se janë ndërtimi më i vjetër monumental i ngritur nga njeriu, me shumë gjasa kanë nisur të ndërtohen më shumë se një mijë vite pas Göbeklit. Tempuj të mëdhenj u ngritën sërish - por tempulli i radhës për të cilin nuk ka dyshime është ngritur 5000 vite më vonë, në jug të Irakut.

Vendi i gjetur është kaq i veçuar, saqë një arkeolog amerikan që ndeshi në të në vitet '60 thjesht u largua, duke mos qenë në gjendje të interpretonte atë që pa. Schmidt ndoqi shënimet e amerikanit në majë të kodrës 15 vjet më parë, një ditë që edhe sot e kujton me një zgërdheshje të madhe.

Ai kish parë ngado gurë stralli të skalitur, si dhe vërejti një karrierë neolitike në një kodër aty pranë, me pllakat e papërfunduara të mermerta që tregonin se një monument ishte nën tokë diku pranë. "Në një minutë - në një sekondë - ishte e qartë", kujton arkeologu mjekërrosh tashmë i nxirë krejt nga dielli. Thotë se edhe vetë kish menduar të largohej, duke e ditur se po të qëndronte, do t'i duhej të kalonte pjesën e mbetur të jetës duke gërmuar në këtë kodër.

Sot 55 vjeç dhe pjesëtar stafi në Institutin Arkeologjik Gjerman, Schmidt i është bashkuar një linje të gjatë bashkëpatriotësh këtu, që shkojnë pas në kohë deri tek Heinrich Schliemann, zbuluesi i Trojës. Ai është vendosur këtu, është martuar me një turke dhe jeton në një shtëpi modeste në rrugët e ngushta të Urfas së vjetër. Ka dekada të tëra punë para vetes.

Mosmarrëveshjet janë normale në këtë vend gërmimi - punëtorët, ankohet Schmidt, janë të ndarë në tre klane të ndryshme që zihen vazhdimisht. ("Tre grupe", thotë arkeologu i i pezmatuar. "Jo dy. Tre.") Deri tani Schmidt ka zbuluar më pak se 5 përqind të vendit dhe ai ka në plan të lërë të paprekur disa tempuj, me qëllim që kërkuesit në të ardhmen të kenë mundësi t'i ekzaminojnë me mjete më të sofistikuara.

Çfarëdolloj ritualësh misteriozë të jenë kryer në këta tempuj, ata përfunduan në mënyrë të menjëhershme përpara vitit 8000 para Krishtit, kur i gjithë ky vend u fut nën dhe, në mënyrë të njëkohshme. Tempujt kishin qenë në rënie prej një mijë vitesh - rrathët e mëvonshëm janë sa gjysma e atyre të mëhershëm, gjë që tregon një mungesë burimesh apo motivimi mes besimtarëve. Ky devijim i pasuar nga një varrosje e papritur shënon "fundin e një kulture shumë të çuditshme", thotë Schmidt.

Por ishte gjithashtu lindja e një qytetërimi të ri, teksa tashmë njerëzimi kishte shkëmbyer majat e kodrave të gjahtarëve me luginat e bujqve dhe barinjve. Mënyrat e reja të jetesës kërkonin praktika të reja fetare, thotë Schmidt "dhe kur ke perëndi të reja, duhet të heqësh qafe të vjetërit".

Patrick Symmes
Sennia
Sennia
Moderator
Moderator

Anzahl der Beiträge : 852
Reputation : 4
Anmeldedatum : 09/03/2010
Alter : 31

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi