Forumi Evolucion


Join the forum, it's quick and easy

Forumi Evolucion
Forumi Evolucion
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Emigrantët

2 posters

Shko poshtë

Emigrantët Empty Emigrantët

Mesazh nga Vizioner Sun Feb 07, 2010 12:22 pm

Nënshtetësia, Greqia shton kërkesat, Italia vendos sistemin e pikëve

Në Greqi është paraqitur projektligji, me shumë më tepër ndryshime seç u trumbetua. Italia paraqet "marrëveshjen e integrimit" me emigrantët


Pavarësisht shpresave për më shumë liri, në të dyja rastet, qeveria greke dhe ajo italiane kanë vendosur t'i shtrëngojnë kriteret për emigrantët.

Greqia
Të dy prindërit emigrantë duhet të jenë banorë të ligjshëm dhe do të nevojiten gjashtë vjet shkollë. Brezi i dytë i emigrantëve të cilët shpresojnë të marrin nënshtetësinë greke, sipas ligjit të ri të propozuar nga qeveria, do të kenë ligje më të ashpra sesa u trumpetuan në fillim.
PASOK-u paraqiti projektligjin e rishikuar në parlament dhe ku shpejt u vu re se disa nga kushtet për të marrë nënshtetësinë janë shtrënguar që në kohën kur filloi konsultimi me publikun dhe kur u përfol se marrja e nënshtetësisë ishte shumë e lehtë. Sipas kritereve të reja, një fëmijë i lindur në Greqi me prindër emigrantë, duhet që prindërit e tij të kenë qëndruar ligjërisht për 5 vjet aty para se të fitojë nënshtetësinë, ndërkohë që më pare mjaftonte që të ishte i ligjshëm vetëm njëri prej prindërve. Gjithashtu, fëmija duhet të provojë se ka kryer gjashtë vjet arsimim në shkollat greke në krahasim me tre vjet që u propozua fillimisht. Një ndryshim i madh nga plani fillestar është se aplikuesit duhet të kenë dhe letra rekomandimi nga tre shtetas grekë. Ligji i propozuar gjithashtu do të lejojë brezin e dytë të emigrantëve të votojnë në zgjedhjet lokale dhe të jenë këshilltarë bashkiakë pasi të fitojnë nënshtetësinë dhe të provojnë se kanë aftësi të mira të greqishtes. Ministria e Brendshme bën të ditur se ky projektligj do të lejojë 250 000 vetë që të votojnë në zgjedhje pasi të fitojnë nënshtetësinë. Ministri i Brendshëm, Janis Ragusis, u shpreh se ligji do të zbatohet për çdo emigrant që ka qenë i ligjshëm që nga janari i vitit 2005. Pavarësisht kritereve të rrepta të projektligjit të ri, Demokracia e Re sërish kritikoi për tolerime. "Çdo kriter i propozuar nga qeveria për emigrantët është në nivelin më të ulët në Evropë për të fituar nënshtetësinë", u shpreh zëdhënësi Panos Panajotopulos. Ndërkohë, këshilli i kishës greke u shpreh se nuk besonte se projektligji do të ndikonte efektshëm për zgjidhjen e problemit të emigracionit në vend.

Italia
Brenda 24 muajve, një ekstrakomunitar duhet të mësojë italishten, të mësojë Kushtetutën, të regjistrohet në sistemin shëndetësor dhe t'i dërgojë fëmijët në shkollë. Nëse do t'ia dalë mbanë, do të fitojë 30 pikët e nevojshme. Nëse do t'i afrohet kësaj shifre, do të përfitojë edhe një vit shtesë. Nëse mbetet në zero, do të dëbohet. Kush dënohet, edhe jo në formë të prerë, me një dënim jo më pak se tre muaj do t'i hiqen të gjitha pikët dhe do të largohet nga Italia. Ky është sistemi që pas dy muajsh pritet të hyjë në fuqi në Itali për emigrantët në rastet që ata duhet të marrin lejen e qëndrimit. Një sistem i tillë pikësh është propozuar nga ministri i Brendshëm dhe ai Punëve dhe Çështjeve Sociale në Itali. Ministrat e cilësuan atë si një "marrëveshje integrimi". "Kemi diskutuar rregulloren, - u shpreh ministri i Brendshëm Maroni, duke u bazuar në një "marrëveshje integrimi" me emigrantin në momentin e dhënies së lejes së qëndrimit. Në marrëveshje përkufizohen objektiva të qartë që duhen arritur në dy vitet e vlefshmërisë së lejes. Më pas do të jetë një vlerësim prej një paneli lidhur me arritjen e këtyre objektivave. Nëse do të jenë arritur, do të bëhet rinovimi i lejes, në të kundërt, do të dëbohet". Ministri Maroni u shpreh se kjo do të kontribuojë për të arritur objektivin e njohjes së gjuhës italiane, punës dhe shtëpisë. Marrëveshja e integrimit do të zbatohet vetëm për lejet e reja të qëndrimit dhe s'do të ketë asnjë kosto për emigrantin. "Gjithçka do të jetë në ngarkim të Ministrisë së Brendshme, - tha ai. - Do të kemi kështu nën kontroll organizimin dhe do të garantojmë një standard për gjithë vendin". Marrëveshja është fryt i punës së specialistëve të Ministrisë së Brendshme dhe të Punëve Sociale dhe që së shpejti do të hyjë në fuqi. Marrëveshja nënkupton një kartë për emigrantin i cili duhet të arrijë 30 pikë në dy vjet. Pas dy vjetësh shteti do t'i japë një zgjatje prej një viti dhe nëse akoma nuk ka arritur të marrë pikët minimale, nuk do t'i jepet leja e qëndrimit. "Marrëveshja thekson përgjegjësitë, të drejtat dhe detyrimet e personit. Parashikon detyrimin për t'u nënshkruar në shërbimin shëndetësor, të mësojë gjuhën italiane dhe të sigurojë një edukim të vazhdueshëm për fëmijët e tij",- tha ministri i Brendshëm.


Edituar për herë të fundit nga Vizioner në Sun Aug 15, 2010 2:05 pm, edituar 1 herë gjithsej
Vizioner
Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1299
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Emigrantët Empty Re: Emigrantët

Mesazh nga ely Sat Jun 05, 2010 3:23 am

si ju duket juve ky fakt...... leje qendrimi me pike si patenta !
skam asgje qe me pengon ky vendim se per momentin eshte baza....flas te pakten per kete vendim ne itali, kerkojne mjeksine...shkollen per femijet dhe gjuhen......por me nje fjale thote edhe punen e nese nuk ka pune ?????
ky esht nje nisje pastaj sipas mendimit tim nga mbrojtese do dalin aq shume nenshkrime sa do behet aq e veshtire dhe aq me shume e kontrolluar jeta jone..... eshte e drejte te kontrollohemi si te ishim te paafte te marrim nje mjek.... te dergojme femijet ne shkolle...etj etj?????...me kete me bejne te mendoj qe na dine aq te prapambetur!!! kemi ardhur per nje jete me te mire per liri veprimi dhe fjale keta duan te na kontrollojne...... ju mungon ideja e nje nr matrikole te stampuar eeee.... me mire jo koment!!!ky esht maroni qe drejton shtetin italian ne kete moment ..kjo eshte influenza e lega nord!!!
ely
ely
Anëtar
Anëtar

Anzahl der Beiträge : 239
Reputation : 6
Anmeldedatum : 31/03/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Emigrantët Empty Re: Emigrantët

Mesazh nga Vizioner Tue Aug 10, 2010 8:54 pm

Skema si emigrantët marrin 2 pensione, ja si plotësohet vjetërsia

Të gjithë ata persona që kanë vite të munguara pune mund t'i plotësojnë ato në mënyrë vullnetare për të përfituar pagesën e plotë të pensionit, ose për të mos humbur vitet e punës kur ata nuk arrijnë kufirin e duhur të përfitimit.

Drejtori i Drejtorisë së Kontributeve në ISSH, Naim Balluku, ka shpjeguar dje për "Shekulli"-n se është drejt përfundimit një manual sa më praktik për të gjithë qytetarët që kanë nevojë të njihen me procedurat e pagesës së sigurimit vullnetar. "Janë shumë persona që kanë vite pune në Shqipëri, por që punojnë dhe jetojnë jashtë shtetit, të cilët mund të përfitojnë pensione duke derdhur pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore në mënyrë vullnetare. Me anë të kësaj pagese të gjithë personat që jetojnë jashtë dhe kanë periudha të paplotësuara të vjetërsisë në punë mund t'i plotësojnë ato dhe të marrin pension në Shqipëri",- shprehet Balluku, duke theksuar se, kjo kategori punonjësish, që janë emigrantë dhe që plotësojnë edhe vitet e punës në Shqipëri, ndryshe nga të tjerët, mund të përfitojë dy pensione pleqërie në kohën që do të kenë plotësuar moshën dhe vitet e nevojshme të punës, pasi mund të marrin pension si në Shqipëri ashtu edhe në vendin ku jetojnë.

"Dua të theksoj se kategoria më i interesuar është ajo pjesë e emigrantëve, në prag të pensionit, që ka pasur vite pune në Shqipëri, por që nuk i ka plotësuar vitet e duhura për të hyrë në skemë, apo vitet e plota, për të përfituar pension të plotë", -shprehet Balluku, i cili ka shpjeguar se përmes kontakteve me disa Patronate në Itali është bërë e mundur që shumë emigrantë të njoftohen edhe në mënyrë online për procedurat e sigurimit. Ndërkaq, sipas Ballukut, emigrantët edhe pse ndodhen jashtë shtetit mund të autorizojnë të afërmit e tyre, për të lidhur marrëveshje me strukturat e ISSH-së. Kjo marrëveshje do të lidhet në nënqarkun ku ka banuar i interesuari dhe ku mund të ketë të arkivuar dhe vjetërsi në punë nëpërmjet sigurimit të detyrueshëm.

Sa është pagesa
Aktualisht, pagesa aktuale për një muaj sigurim vullnetar është 3 633 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 16 820. Pra është 21.6% e kësaj page. "Nëse dikush dëshiron të plotësojë vitet e shkuara, ai do t'i paguajë me këtë masë kontributesh. Ndërkohë që nëse do të paguajë për vitet e ardhshme, ai ka një zbritje deri në 6 %, nëse paguan për të gjithë vitin", -ka shpjeguar Balluku. Kjo pagesë, sipas ballukut, shërben për të gjitha llojet e pensioneve: pensionin pleqërie, invaliditeti dhe familjar. "Ndërkaq, pagesa vullnetare lejon edhe pagesën për pensione më të larta se niveli bazë, sipas llogaritjeve mbi shumëfishin e pagave te paguara", -ka shpjeguar drejtori i Drejtorisë së Kontributeve në ISSH.

Si paguhet sigurimi vullnetar
Sipas Ballukut, personi i interesuar për sigurim vullnetar duhet të paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendit ku ai banon dhe duhet të marrë kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar. Personi i interesuar për këtë pagesë duhet të ketë me vete fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit, fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon si dhe fotokopje të letërnjoftimit elektronik. "Pasi bihet dakord për pagesën, sipas procedurës së përshkruar, dhe bëhet pagesa nga qytetari, inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore është i detyruar të bëjë pasqyrimin në librezë të kontributeve të personit të interesuar, ose të hapë librezë të re nëqoftëse nuk ka",- shprehet Balluku.

Shembull
Shtetasi A.D. ka gjithsej 15 vjet periudhë kohore të ndarë në 12 vjet periudhë sigurimi dhe tre vjet të pambuluar me sigurim. Ai dëshiron t'i mbulojë këto tre vjet me sigurim vullnetar. Masa e kontributit që do të paguhet nga shtetasi A.D do të jetë e barabartë me pagesën aktuale mujore për sigurim vullnetar, e cila aplikohet e tillë për gjithë periudhën tre vjeçare. Më konkretisht, pagesa aktuale për një muaj sigurim vullnetar është 3 633 lekë x 12 muaj x 3 vjet = 130 788 lekë(për tre vjet).

Tabela
Procedurat e pagesës dhe çfarë përfitohet nga sigurimi vullnetar

Kush përfiton nga skema e sigurimit vullnetar?
Të gjithë shtetasit shqiptarë që:

1. Kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar;
2. Për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm;
3. Janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre;
4. Nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi.

Çfarë përfitohet nga skema e sigurimit vullnetar?
1. Personi që ka paguar kontribut për sigurim vullnetar, pasi plotëson kushtet e përcaktuara në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, është përfitues, sipas rastit, i:
- Pensionit bazë të pleqërisë;
- Pensionit të pjesshëm të pleqërisë;
- Pensionit të reduktuar të pleqërisë;
- Pensionit të invaliditetit;
- Pensionit të pjesshëm të invaliditetit.
2. Personi i siguruar për vitin korent dhe që ka paguar kontribute deri në nivelin maksimal, pasi plotëson kushtet e Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, është përfitues, sipas llogaritjeve, i:
- Pensionit të pleqërisë mbi kufirin e pensionit bazë;
- Dyfishit të pensionit bazë të pleqërisë.
3. Në sigurimin vullnetar, pasi janë plotësuar kushtet e Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, bën pjesë edhe pensioni familjar.

Cilat fusha mbulohen me sigurim vullnetar?
Me sigurim vullnetar mbulohen katër fusha të kësaj skeme:

I. Sigurim vullnetar për vitin korent.
II. Sigurim vullnetar për periudha të kaluara.
III. Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura.
IV. Sigurim vullnetar për degët e tjera të sigurimit.

I. Sigurimi vullnetar për vitin korent.
Sigurim vullnetar për vitin korent mund të paguajnë të gjithë shtetasit shqiptarë që:
- Kanë mbushur moshën 18 vjeç, deri në arritjen e moshës për pension;
- Nuk mund të sigurohen në sistemin e sigurimit të detyrueshëm;
- Nuk mund të sigurohen në sistemin e të vetëpunësuarve në bujqësi;
- Nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar.

Sa është masa e kontributit për sigurim vullnetar për vitin korent?
1. Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar, është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës për efekt kontributesh të miratuar në periudhën kur bëhet pagesa.
2. Pagesa aktuale për një muaj sigurim vullnetar është 3 633 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 16 820 lekë x 21.6%. Për pagesat paradhënie, aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa. Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje:
- 6% mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit Janar);
- 3% mbi shumën për një pagesë 6-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar);
- 1.5% mbi shumën për një pagesë 3 mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar).
3. Por pagesat e vitit korent mund të bëhen edhe me shumëfishin e kuotës minimale mujore, 3 633 lekë, deri në pesëfishin e saj.

Përfitimet nga sigurimi vullnetar për vitin korent.
- Pensione bazë pleqërie, invaliditeti dhe familjar;
- Pensione më të larta se niveli bazë, sipas llogaritjeve mbi shumëfishin e pagave te paguara.
II. Sigurim vullnetar për periudha të kaluara.
Kush mund të paguajë sigurim vullnetar për periudhat e kaluara?
1. Shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar.
2. Shtetasit shqiptarë meshkuj për periudhën e studimeve pasuniversitare.
3. Shtetasit shqiptarë që kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm dhe dëshirojnë t'i plotësojnë ato nëpërmjet sigurimit vullnetar.
4. Personat që kanë lënë shtetësinë shqiptare mund të bëjnë sigurim vullnetar për mbulimin e periudhave të kaluara nga data 01.01.1994 deri në datën që kanë lënë shtetësinë.

Sa është masa e kontributit për sigurim vullnetar për periudhat e kaluara?
1. Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurim vullnetar nga personi i interesuar për mbulimin e periudhave të kaluara përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa (aplikohet masa që është në fuqi në momentin e kryerjes së pagesës, masë e cila miratohet me VKM, për degën e pensioneve).
2. Pagesa aktuale për të mbuluar periudha të kaluara, bëhet vetëm në kuotën minimale dhe është 3 633 lekë për një muaj sigurim vullnetar. Kjo kuotë i korrespondon pagës minimale mujore: 16 820 x 21.6%. Në këto pagesa nuk aplikohen zbritje.

Përfitimet nga sigurimi vullnetar për periudhat e kaluara.
-Vjetërsi pune, e cila influencon në plotësimin e kushteve për të përfituar një pension;
-Pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar, në nivel minimal.

III. Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura.
Kush mund të paguajë sigurim vullnetar për më shumë të ardhura?
1. Të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
2. Ky sigurim bëhet vetëm për vitin korent.

Sa duhet të paguhet për sigurim vullnetar për më shumë të ardhura.
a) Personat e vetëpunësuar - sigurohen me pagë minimale mujore 16 820 lekë ose shumëfishi i asaj mbi të cilin do të paguajnë kontributet dhe kjo pagë shumëzohet me 21.6%, pra është sigurim me kuotë fikse 3 633 lekë ose shumëfishi i kësaj kuote;
b) Të punësuarit - sigurohen me pagë minimale mujore 16 820 lekë ose shumëfishi i asaj mbi të cilin do të paguajnë kontributet dhe kjo pagë shumëzohet me 21.6%, pra sigurim me kuotë fikse 3 633 lekë ose shumëfishi i kësaj kuote;
c) Punëdhënësit - sigurohen me pagë minimale mujore 16 820 lekë ose shumëfishi i asaj mbi të cilin do të paguajnë kontributet dhe kjo pagë shumëzohet me 21.6%, d.m.th sigurim me kuotë fikse 3 633 lekë ose shumëfishi i kësaj kuote.

Përfitimet nga sigurimi vullnetar për më shumë të ardhura.
- Pensione bazë pleqërie, invaliditeti dhe familjar;
- Pensione më të larta se niveli bazë, sipas llogaritjeve mbi shumëfishin e pagave të paguara.

IV. Sigurim vullnetar për degët e tjera të sigurimit.
Kush mund të paguajë sigurim vullnetar për degët e tjera të sigurimit.
1. Të vetëpunësuarit, të punësuarit dhe punëdhënësit.
2. Ky sigurim bëhet nga të vetëpunësuarit vetëm për vitin korent.

Përfitimet nga sigurimi vullnetar për degët e tjera të sigurimit.
- Paaftësi të përkohshme në punë. Periudha e përfitimit për paaftësi të përkohshme në punë fillon në ditën e 15 të raportit mjekësor dhe zgjat jo më shumë se 6 muaj nga data e fillimit të pagesës;

Si paguhet sigurimi vullnetar.
1. Personi i interesuar, paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendit ku ai banon dhe merr kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar.
2. Personi i interesuar duhet të ketë me vete dokumentat e mëposhtme:
a) Fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit;
b) Fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon;
c) Fotokopje të letërnjoftimit elektronik.
3. Nëse personi i interesuar bie dakord për t'u siguruar vullnetarisht, do të marrë dokumentin tip "Urdhër veprimi", i cili plotësohet nga inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore.
4. Duke disponuar këtë "Urdhër veprim" personi i interesuar paraqitet në bankë për të bërë pagesën. Me kryerjen e pagesës ai pajiset nga banka me "Mandat arkëtimi".
5. Pas marrjes së mandat arkëtimit, personi i interesuar rikthehet tek inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore, me të cilin lidh marrëveshjen e sigurimit vullnetar, që nënshkruhet nga personi i interesuar dhe inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (mandat arkëtimi në asnjë rast nuk i dorëzohet punonjësit të sigurimeve shoqërore. Ai është personal dhe mbahet nga vetë personi i interesuar).
6. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore është i detyruar të bëjë pasqyrimin në librezë të kontributeve të personit të interesuar, ose të hapë librezë të re nëqoftëse nuk ka.



Vizioner
Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1299
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Emigrantët Empty Re: Emigrantët

Mesazh nga Vizioner Sun Aug 15, 2010 2:04 pm

...por jo vetem emigrantet.

Manuali i ISSH, si merret pensioni i plotë i pleqërisë

Në një manual të Institutit të Sigurimeve Shoqërore jepen detaje mbi llojet e pensioneve dhe kushtet e përfitimit të tyre. Për lexuesit që na kanë shkruar lidhur me kushtet dhe dokumentacionin e nevojshëm për përfitimin e "Pensionit të Plotë të Pleqërisë" po botojmë sot në rubrikën tonë "Shërbim", të dhënat e mëposhtme.
Sqarojmë se këto të dhëna janë zyrtare të ofruara nga ISSH dhe baza ligjore e përdorur në këtë artikull sqarues për lexuesit është a- Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 "Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar; b) Udhëzimi Nr. 2, i ISSH-së, datë 05.10.2005 "Për llogaritjen dhe indeksimin e bazës së vlerësuar dhe pagës neto për efekt pensioni"; c) Rregullore Nr. 1, e ISSH-së, datë 19.10.2009 " Mbi administrimin dhe llogaritjen e pensioneve".


***

Personat që kanë periudha sigurimi, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të plotë të pleqërisë kur:
a) Plotësojnë moshën 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë, si dhe të kenë plotësuar:
- 35 vjet periudhë sigurimi;
- Të jenë tërhequr nga veprimtaria ekonomike.
b) Nënat që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë mbi 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 50 vjeç dhe kanë 30 vjet periudhë sigurimi;
c) Për periudhën e tranzicionit, për moshën e daljes në pension, zbatohet neni 92, i Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 "Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar.

***

Për të përfituar pension të plotë pleqërie përfituesi ose i autorizuari me prokurë paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (ALSSH) të vendbanimit, sipas regjistrimit në gjendje civile, për të bërë kërkesën e përfitimit të pensionit të pleqërisë. Përfituesi për pension të plotë pleqërie ose i autorizuari me prokurë, së bashku me kërkesën duhet të paraqesë dhe dokumentat e mëposhtme:
a) Dokumentat që vërtetojnë moshën dhe identitetin:
- Fotokopje e letërnjoftimit elektronik, ose certifikatë lindjeje me fotografi;
- Certifikatë e gjendjes familjare;
- Certifikatë martese (vetëm për aplikueset femra);
- Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, duhet të paraqitet edhe certifikatë e veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje, për fëmijët që nuk figurojnë në certifikatën e gjendjes familjare;
- Dy copë fotografi.

Dokumentat që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë:
- Libreza e punës;
- Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj;
- Vërtetim për periudhën e sigurimit, e lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare, si dhe të siguruarit sipas VKM;
- Vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (në se shikohet e arsyeshme);
- Vërtetim i vjetërsisë në punë për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore, para vitit 1992;
- Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj);
- Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët;
- Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna).
Për personat që përfitojnë nga Ligji nr. 7514, datë 30.09.1991 "Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë" duhen edhe:
- Vërtetim i gjendjes gjyqësore;
- Vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik;
- Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë;
- Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qenien në punë.

Dokumentat që vërtetojnë të ardhurat e realizuara janë:
- Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994);
- Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributeve.

***


Masa e pensionit të plotë të pleqërisë:
Masa mujore e pensionit të plotë të pleqërisë përbëhet nga një shumë baze dhe nga një shtesë.
Shuma bazë e pensionit iu jepet të gjithë personave të siguruar. Shtesa që iu jepet personave të punësuar është 1 % për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që i siguruari ka arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së tij kontributeve. Shuma e përgjithshme e pensionit do të jetë jo më shume se dyfishi i shumës bazë, ose 75 % e pagës neto mesatare të 3 viteve rresht, në 10 vitet e fundit të punës të personit të siguruar, cila të jetë më e vogël.
Pensioni bazë përcaktohet me VKM.
Vizioner
Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1299
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Emigrantët Empty Re: Emigrantët

Mesazh nga Vizioner Mon Oct 11, 2010 11:16 am

Greqia në krizë ekonomike, shqiptarët sërish në mërgim

Duke kërkuar për një fat më të mirë, ata ose detyrohen të kthehen në atdheun e tyre, ose provojnë një hap të ri në të panjohurën, duke udhëtuar në vende të tjera perëndimore.
Kriza ekonomike në Greqi ka prekur edhe emigrantët, të cilët po shohin se ditët e punës po pakësohen dita-ditës. Rënia e lirë e ndërtimit dhe mbylljet e njëpasnjëshme të fabrikave dhe bizneseve të çdo lloji, si edhe pakësimi i kërkesës për duar punëtore në bujqësi, detyrojnë shumë të huaj - ndërmjet tyre edhe familje- të marrin për herë të dytë rrugën e emigracionit.
Akoma edhe gratë që kujdeseshin për të moshuar dhe fëmijë, tashmë kanë mbetur pa punë, pasi shumë familje greke nuk ia dalin për të paguar koston që t'i mbajnë. Shumica e emigrantëve që braktisin Greqinë, bëjnë pjesë në valët e para emigruese. Janë njerëz që jetonin prej shumë vitesh në Greqi dhe të integruar në shoqërinë greke, disa me fëmijë në shkollat greke, të tjerë me bizneset e tyre. Ata kanë ndërtuar një nyje të vogël që u jep mundësinë të kthehen në atdhe, ose të jetojnë në një vend tjetër evropian, ku kanë të afërm apo shokë.


Parashikim i OSBE-së: Ulje e hyrjes së të huajve në Greqi
Rritje të madhe të papunësisë dhe pakësim të punës së qëndrueshme për emigrantët parashikon raporti i veçantë i sivjetshëm i OSBE-së "Migration Outlook 2010", pasi kriza ekonomike po prek veçanërisht emigrantët.
Organizimi ndërkombëtar parashikon për Greqinë pakësimin e hyrjes së emigrantëve në vend, pakësimin e numrit të emigrantëve, por edhe ngushtim të zhvillimit. Madje mund të kalohet edhe në pakësimin e numrit të përgjithshëm të popullsisë së vendit, pasi sipas të dhënave të OSBE, emigrantët ishin ata që shtuan rreth 90% popullsinë ndërmjet viteve 2002-2006.
Parashikimet e organizmit ndërkombëtar tashmë i shohin në praktikë emigrantët në qendër të Athinës. "Përveç dyqaneve të grekëve, po mbyllen edhe dyqanet e emigrantëve. Nuk ka punë, ka problem me krizën. Edhe unë dua të iki, po ku të shkoj? Nëse do të kisha ndonjë të afërm apo shok në ndonjë vend evropian, do të ikja", - thotë një pronar dyqani në Aharnon.

Më pak ditë pune për të huajt, grekët u kthyen në fushë
Po pakësohen gjithnjë e më shumë ditët e punës për emigrantët nëpër punët bujqësore, pasi kriza ekonomike u shtrëngon rripat dhe i detyron bujqit që tashmë të punojnë sa të munden vetë ose me familjen e tyre nëpër fusha.

"Mendësia ka ndryshuar. Tashmë nuk marrim më punëtorë që të çlodhemi, por çfarë të mundemi e bëjmë ne me familjet tona", - thotë presidenti i Shoqatës Agrare të Timbaqisit, duke theksuar se ditët e punës së emigrantëve janë kufizuar në punët që nuk arrijnë t'i bëjnë vetë bujqit. Kështu, shumë emigrantë kanë ikur nga Tibaqi. "Kanë mbetur bullgarë dhe disa pak shqiptarë, sepse është ulur edhe kostoja e ditës së punës", - plotëson ai.

Të njëjtën gjë thekson edhe, nënprefekti i Kardhicës dhe anëtar i Bashkimit të Bujqve të Rinj. "Emigrantët janë pakësuar shumë në fushën e Thesalisë. Dikur kultivimet ishin më intensive dhe nuk e mendoje shumë që të merrje disa punëtorë. Tani janë pakësuar të ardhurat dhe detyrohesh të punosh më shumë vetë. Unë çdo verë punësoja 2-3 persona, ndërsa sivjet nuk kam marrë asnjë", - thotë ai.

Por edhe në Greqinë e Veriut gjërat janë gati të njëjta. "Shqiptarët e zonës ikin në atdheun e tyre. Unë për 8-9 muaj punësoja katër punëtorë dhe tani kam vetëm një person", - thotë nje bujk nga Kilkis. Pakësimin drastik të ditëve të punës e shton edhe ndërrimi i kulturave. Dikur në fushat e duhanit punonin qindra emigrantë. Tani ullishtat dhe mbledhja e ullinjve nuk kërkojnë shumë duar punëtore. "Dy vitet e fundit në Kilkis u mbyllën 110 njësi blegtorale dhe mbi 200 familje emigrantësh shqiptarë dhe bullgarë dolën në rrugë", - plotëson bujku.

-nga Shekulli-
Vizioner
Vizioner
Admin
Admin

Anzahl der Beiträge : 1299
Reputation : 16
Anmeldedatum : 21/11/2009
Ort : Frankfurt

http://www.alb-derflatv.blogspot.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Emigrantët Empty Re: Emigrantët

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi